5 librat që duhet t’i keni patjetër nën çadër këtë verë 5 librat që duhet t’i keni patjetër nën çadër këtë verë
Vera njihet si koha ideale për të lexuar, sepse leximi në këtë periudhë të vitit nxit dëshirën për të njohur dhe për të kuptuar... 5 librat që duhet t’i keni patjetër nën çadër këtë verë

Vera njihet si koha ideale për të lexuar, sepse leximi në këtë periudhë të vitit nxit dëshirën për të njohur dhe për të kuptuar më shumë. Pushimet dhe plazhin nuk mund t’i nisësh asnjëherë pa të paktën një libër me vete. Duke bërë valixhen, shumica prej nesh vihet shpesh në dilemë edhe për librat që do të marrë me vete. Veç të gjithë aksesorëve të domosdoshëm, bashkë me trendet e rrobave të banjës, në valixhe duhet të ketë patjetër hapësirë edhe për librat dhe titujt e rinj, transmeton Revista Class.

Nën çadër, mund të lexosh vjedhurazi dhjetëra tituj librash të cilët të intrigojnë. Ka edhe nga ata që, kush e di që kur i ke lexuar (sa mirë të vjen që ia mban mend historinë atij libri fije për pe), por ka edhe tituj që do të doje t’i lexoje me një frymë. Propozimet e këtij sezoni janë të ndryshme, por ato që vërtet nuk duhet t’ju mungojnë, i sjell për Class Aida Baro nga shtëpia botuese “Pegi”.

Jam ende këtu – Clelie Avit

Ky është titulli i dytë i koleksionit Fluturëzat, një koleksion i konceptuar për romane të lehta dhe të ëmbla, me funde të lumtura për të rinjtë e të rejat që kanë ende kohë të ëndërrojnë e të përhumben pak përmes rreshtave të dashurisë.

Në këtë roman romantik debutues, një grua në komë dhe një burrë i dëshpëruar i ndryshojnë jetën njëri-tjetrit.

Elsa nuk ka më ftohtë, nuk ka më uri, nuk ka më frikë, sepse pas një aksidenti ka rënë në një komë të gjatë, nga e cila duket se nuk ka për t’u kthyer.

Tibòja ka humbur besimin dhe rrugën e tij. Ai endet në korridoret e spitalit ku është shtruar i vëllai, pas një aksidenti që tragjikisht u ka kushtuar jetën dy vajzave të reja. Hyn gabimisht në dhomën e Elsës. Qetësia dhe aroma e saj e rrethojnë dhe ai, i dëshpëruar për një kontakt të mirëfilltë njerëzor, nis të flasë, të rrëfehet, pa pritur që dikush t’i përgjigjet.

Ai nuk e di që Elsa po e dëgjon. Ajo e mban vesh, pasi prej disa kohësh ka filluar të dëgjojë, megjithëse mjekët, familja dhe miqtë e saj janë dorëzuar dhe po mendojnë të shkëputin fijet dhe tubat që e mbajnë në jetë.

Kështu, krejt natyrshëm, nis të krijohet një lidhje e heshtur, por më e vërtetë se shumë të tjera, të mbushura me hipokrizi. A do ta shpëtojë kjo ndjenjë e re Elsën? Po Tibònë?

As të parët, as të fundit – Esther Perel

Është një libër këshillues për këdo që do të thellojë njohjen me partnerin dhe të vetes në lidhje me një aferë apo flirt të mundshëm. Na pëlqen apo jo, flirtimi është diçka që ndodh ngaherë. Pavarësisht se sa bojë është derdhur për të na këshilluar se si ta “mbrojmë nga tradhtia” marrëdhënien tonë, kjo nuk i ka mbajtur në fre as burrat dhe as gratë. Mosbesnikëria ndodh në martesat e mira, në martesat e këqija, e madje edhe atje ku dënohet me vdekje. Ajo ndodh edhe në marrëdhëniet e hapura, ku seksi jashtëmartesor është negociuar me kujdes që më parë. Dhe liria për t’u ndarë apo divorcuar nuk i ka nxjerrë ende nga moda gënjeshtrat.

Ky libër nuk flet vetëm për mosbesnikërinë. Aferat na mësojnë shumë për marrëdhëniet: çfarë presim, çfarë mendojmë se duam dhe çfarë na duket e drejtë. Ato janë një dritare unike nga mund të shihen qëndrimet tona personale dhe kulturore mbi dashurinë, epshin dhe besnikërinë.

Vajza e dikurshme – JP Delaney

Për këdo që dëshiron ca drithërima në mes të verës, ja tek vjen një triller psikologjik gozhdues, i cili ngërthen fatin e dy grave: të mirën dhe të mistershmen, në një vorbull dysie, vdekjeje dhe mashtrimi.

Me saktësi dhe elegancë, Delaney zhvesh personazhet nga sekretet e tyre, pak nga pak, derisa del në shesh e vërteta e kulluar dhe pa zbukurime.

Delaney ka krijuar një situatë vërtet të frikshme dhe tërheqëse në shtëpinë e rrugës “Folgejt”. […] Struktura e romanit gërshetohet mes rrëfimeve të Emës, para, dhe të Xhejnit, pas, teksa të dyja fillojnë të dyshojnë për fatin e tyre të mirë.

Të dyja vajzat kërkojnë qetësinë pas disa fatkeqësive që u kanë ndodhur në jetë dhe shtëpia e rrugës “Folgejt” presupozohet t’u sjellë atë paqe të munguar. Por arkitekti i mistershëm që e ka ndërtuar, ngulmon se banorët duhet të jetojnë sipas disa rregullave të rrepta. Shtëpia është ndërtuar me qëllimin e vetëm që t’i ndryshojë banorët e saj, dhe ashtu ndodh… Një vrasje dhe shumë pikëpyetje do të ngrihen mbi të zotin e shtëpisë dhe mbi dy vajzat.

Dita e mbetur – Kazuo Ishiguro

Për këdo që kërkon shijen e letërsisë së zgjedhur, sugjerojmë nobelistin Ishiguro me romanin e tij më të mirë “Dita e mbetur”.

Një rrëfim i qetë dhe i shtruar mbi mungesën e kurajës për të bërë zgjedhjet, që mund të vënë në rrezik jetën e kontrolluar dhe të planifikuar, për ne, nga të tjerë.

“Dita e mbetur” fitoi çmimin Man Booker Prize në 1989. Mbetet një prej veprave letrare më të njohura dhe të respektuara në Angli.

Ngjarjet e këtij romani rrëfehen nga mazhordomi Stivens, i cili, për më shumë se tridhjetë vjet, ka jetuar në Darlington Holl, rezidenca madhështore e lordit Darlington. Stivensi rrëfen një pjesë të jetës së tij, diku nga mesi i viteve ’30, një periudhë e ngarkuar për të personalisht, por edhe për historinë e Anglisë dhe të Evropës. Punëdhënësi i tij është një personazh publik, tejet i angazhuar edhe politikisht. Stivensi, nga ana tjetër, nuk ka njohuri të thella mbi çështje të ndërlikuara politike. Ai është njeri i përmbajtur, i cili krenohet me sjelljen e tij prej xhentëlmeni të mirëfilltë dhe të vetmen përparësi ka t’i shërbejë sa më me dinjitet punëdhënësit të tij.

Romani i tretë i Kazuo Ishiguros, “Dita e mbetur”, është një roman ëndrre: një komedi argëtuese mbi mirësjelljen formale që shndërrohet pothuajse si me magji në një përsiatje të thellë dhe prekëse mbi personalitetin, klasat dhe kulturën.

Ditari i një trupi –  Daniel Pennac

Për këdo që kërkon të njohë më mirë trupin e vet në të gjitha funksionet e tij, rrëfyer me shumë dashuri dhe humor të hollë nga një prej autorëve më të njohur francezë, Daniel Pennac.

Pennac-u nuk na tregon thjesht trupin, nuk e përshkon atë, por e përdor për atë që është: pra, një formë dhe një enë mbajtëse e historive, rrëfimeve, ngjarjeve.

Zëri rrëfyes është një francez i lindur në vitet ’30, i cili vendos t’i lërë së bijës, Lizonit, ditarin e jetës së vet, treguar pikërisht nga këndvështrimi i trupit. Që nga fëmijëria, në pjekuri e deri në agoni, të gjitha ngjarjet që i ndodhin protagonistit paraqiten ashtu siç i ndien dhe i përjeton trupi i njeriut.

Ai nis të mbajë ditar që në moshën trembëdhjetëvjeçare se çfarë ndodh me trupin e njeriut kur ndien frikë, gëzim, hare, trishtim, nëpërkëmbje etj.

Ai është një përkthyes ndjesish dhe ndjenjash. Një libër tepër intim, që rrëfen përditshmërinë universale, gjërat që godasin mishin dhe kockat e kujtdo, një autobiografi e një shekulli dhe zakonet e saj.