Editorial i gazetës Sovrani.info 1.Zvarritja e zgjatjes së mandatit të EULEX-it nga institucionet e vendit dhe lënia e këtij misioni pa mandat, po del...

Editorial i gazetës Sovrani.info

1.Zvarritja e zgjatjes së mandatit të EULEX-it nga institucionet e vendit dhe lënia e këtij misioni pa mandat, po del të jetë vazhdimësi e një politike të re të Kosovës karshi faktorit ndërkombëtarë e cila nëse nuk tregon rezultate pozitive gjithsesi ka qenë mëse e domosdoshme, pas 17 vite aprovimi të secilës kërkesë ndërkombëtare. Por problemi është diku tjetër. Sado që ky mision me gjithë dështimet ka arritur të zhvillojë disa procese me të cilat vështirë se do të merrej drejtësia kosovare, prap se prap kundërshtimi i palës kosovare duhet analizuar në dy aspekte. Nëse kërkesë e institucioneve të Kosovës është që vertetë gjitha fuqitë ekzekutive t’i kenë vendorët, atëherë shtrohet pyetje, kjo kerkesë vie nga fakti se vendorët kanë arritur të shkëputen nga ndikimi politik dhe korrupsioni në gjyqsorë, apo një kerkesë e tillë vie për faktin se po tentohet që gjykatësve dhe prokurorëve kosovar të i’u mundesohet t’i injorojnë hetimet sa herë që dikush nga politika iu dërgon sinjale të tilla. Ky kundërshtim sado që mund të ketë interesa tjera të politikës kosovare për të mbajtur sistemin e gjyqsisë nën ndikim, tregon se faktori politik kosovarë ka arritur një konsensus në heshtje që të bëjë politikë më proaktive qoftë edhe duke kundërshtuar ata që i konsiderojmë partner dhe përkrahës të shtetit.

2. Ҫështja tjetër e cila po mbetet si mur përpara Kosovës dhe hapin e parë për ta kaluar nuk po e ndërmerr askush është ajo e Demarkacionit me Malin e Zi. Deklaratat e zyrtarëve të lartë të PDK-së se Demarkacioni nuk kalon dhe duhet të rishikohet i japin kësaj ҫeshtje dimension krejt tjetër. Tashmë nuk kemi kundërshti vetëm të bllokut opozitar por ky kundërshtim ka marrë ecuri tjerët. Prandaj, shikuar nga ky aspekt për ҫështjen e Demarkacionit, ose do të ketë zgjidhje siҫ e dëshiron opozita ose kjo cështje do të shkaktojë trazirë të vërtetë. Dhe kjo trazirë tashmë nuk mund të ndodhë brenda përbrenda faktorit politik shqiptarë sepse pothuajse shumica e partive po e kundërshtojnë por mund të shkaktojë trazirë edhe në raport me Bashkimin Evropian. Trazirën më të madhe mund t’ia shkaktojë kryeministrit Mustafa dhe presidentit Thaçi si bartës të këtij procesi.

3. Deklarata e Presidentit Thaҫi se shumë shpejt do të hartohet statuti i Asosacionit të Komunave Serbe hap po ashtu një etapë të re të situatës politike. Një parashikim logjik i situatës do të ishte që në komisionin për hartim të statutit do të ftohej edhe opozita, ndërkohë ajo në mospajtim do ta lëshonte këtë komision, dhe i njëjti do ta hartonte statutin i cili më pas do të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese ashtu sic thotë Marrëveshja e 13 prillit. Cilat do të ishin veprimet e opozitës në këtë rast është vështirë e parashikueshme mirëpo në bazë të gjitha parametrave kjo ҫështje do të jetë kulmi i vështirësimit të situatës politike e cila pas një kohë të qetë disa mujore tashmë ka filluar vlimin më të njëjtat ҫështje më të njëjtit akter por me kundërshtime më të mëdha.

4. Është mëse e qartë se tashmë kjo qetësi e këtyre muajve të fundit nuk do të zgjasë. Në bazë të gjitha hulumtimeve të fundit partitë politike nuk janë të interesuara për zgjedhje të parakohshme sepse klima e mosbesimit që është krijuar ndërmjet tyre ka bërë që ato as të mos mund të parashikojnë ndonjë partner eventual. Muajt në vazhdim vërtetë se po dalin të jenë të vështirë dhe se një pasqyrë të saktë të asaj që mund të ndodhë askush nuk mund ta ofrojë. Përderisa politika kosovare po i kthehet temave të vjetra që shkaktuar krizë në horizont po shfaqet edhe një problem tjetër i cili për nga përmasat mund t’i eklipsojë gjitha debatet dhe konfliktet politike të deritanishme, dhe ai është ndërtimi që qeveria e Serbisë po synon ta bëjë në veri të Kosovës. Institucionet e vendit dolën menjëherë me deklarata se e kundërshtojnë këtë projekt por mbetet e paqartë dhe askush nuk ka informacion si do të kundërshtohet dhe si do të mund të veprojë me forcën e ligjin, zv-kryeministrja Edita Tahiri në veri, kur që 17 vjet në atë pjesë ka pasur gjithҫka përveҫ sundim të ligjit. Opinioni duhet të ketë informacione me të detajuara lidhur me këtë ҫështje sepse deri më tash ҫdo gjë është e mjegulluar.

Pra, vendin po e presin një sërë procesesh që për nga përmbajtja mund të jenë me kapacitet të shkaktojnë sërish përplasje dhe trazira. Një gjë është e sigurt, vëmendja e qytetarëve në Kampionatin Evropian në futboll dhe pushimet verore do të përfundojnë shpejt. Vjeshta do të vie dhe të gjithë do t’i kthehemi realitetit që siҫ po shihet nuk do të jetë i lehtë.