A është e domosdoshme edukata fetare te shqiptarët ? A është e domosdoshme edukata fetare te shqiptarët ?
Artan Lame Po bëhen dy a tri javë, që temë e ditës është bërë futja e edukimit fetar ndër shkolla. Janë tjerrë shumë teori... A është e domosdoshme edukata fetare te shqiptarët ?

Artan Lame

Po bëhen dy a tri javë, që temë e ditës është bërë futja e edukimit fetar ndër shkolla. Janë tjerrë shumë teori e leksione për këtë çështje, nga të dyja palët, nga ata që janë kundër a që janë pro ndaj, për të mos u bërë i mërzitshëm, do donja të jap vetëm nja dy shembuj se pse them se është e domosdoshme edukata fetare ndër shqiptarët e rinj.
Nja 10 vjet të shkuara, diku në në qendër të Tiranës, aty në atë që kish qenë dikur lulishte dhe ku më pas ishte vrarë Azem Hajdari, nisi të ngrihej kulla e rradhës. E veçanta e kësaj kulle, nuk ishte që zinte një tjetër lulishte, se këtu nuk ndryshonte fare nga të tjerat. E veçanta e saj ishte në faktin se një pjesë e kësaj godine po ngrihej mu përsipër tyrbes (varrit monumental) të Kapllan pashë Toptanit. Për ata që nuk e dijnë, Kapllan pashë Toptani është figura më e rëndësishme e mesjetës osmane në Tiranë, ndaj të ndërtosh sipër varrit të tij (që sidozot është edhe Monument Kulture) ishte si me thënë të shkosh te varri i Filipit të Maqedonisë në Selanik apo varri i Dantes në Ravenë dhe t’u ndërtosh përsipër.
Po prapë nuk është ky thelbi. Së fundmi merret vesh – dhe kushdo që kalon asaj ane mund ta shohë – që pjesa që u ndërtua sipër tyrbes, nuk do shërbejë thjesht si mbulese moderne për monumentin (siç u justifikuan me të madhe vite të shkuara kur morën lejen e ndërtimit), por do të jetë në fakt një kat i tërë i shfrytëzueshëm që, nga forma ngjan të jetë klub, a bar, a restorant, a ndonjë tjetër gjë e këtillë.
Tyrbja e Kapllan pashës (ishte kush ishte pashai në të gjallë) është varr, ku brenda të cilit si në çdo varr, prehen eshtra njeriu dhe, s’ka fe e Krisht e Muhamet në botë, që të lejojë që t’i prishet qetësia të vdekurve nga të gjallët që do i rrinë përsipër. I bie që përsipër do pihet alkool e raki, do hahet mish e do bjerë muzika, pa do shkohet edhe në banjo, se domosdo ha e ha atje do sosë, ndërsa poshtë është varr e varrezë mbi 200 vjeçare. Atje sipër djem e vajza do ulen në banjo, dhe ulur aty me pak gjeometri mund të përcaktojnë që ekzaktësisht disa metra nën vendin ku janë ulur për atë punë, gjenden varre ku flenë gjumin e përjetshëm besimtarë të gjorë që ja besuan përjetësinë njerëzve që lanë pas, e që tani po jua bëjnë përsipër.
Duke menduar që xheç marr vesh nga bota sa për të nxjerrë konkluzion, e them me bindje që mund t’i bini globit mbarë, nga Alaska në Australi dhe nga Uganda deri në Siberi; dhe nuk do të gjeni dot një shembull barbarie të këtillë si ky që së afërmi po shohim në Tiranë. Ndaj ngul këmbë që një i tillë popull e ka të domosdoshme edukatën fetare, që të paktën të mos dhj… mbi varre.
Që shqiptarët askurrë nuk kanë patur respekt për të vdekurit, nuk është sekret. Mjafton të shkosh në një varrezë shqiposh e të shohësh se si lulëzon tregtia e varreve, sesi i hipin varret sipër njëri-tjetrit, të rrethuar me kangjella një nga një që të mos vidhen, por të parrethuar me mur të gjithë bashkë, sesi kullosin lopët duke bajgosur mermerin e kujtimit të përjetshëm. Mjafton pastaj të kujtojmë se si ju vërsulëm e ç’u bëmë varreve më 67-ën.
Edhe legjenda se demek varrin Skënderbeut ja hapën turqit, zor t’i qëndrojë dot një analize të mirëfilltë shkencore, po s’është vendi këtu të merrem me këtë punë, e të le pa gjumë shqiptarët e trungut arbëror.
Për ata patriotë mëmëdhetarë që do inatosen keqazi, thjesht do t’u kujtoja se nja 5 shekuj më pas, shqiptarët e Kosinës në Përmet bënë të njëjtën gjë, ju shitën grekëve me euro në dorë, eshtrat e gjyshërve për eshtra ushtarësh grekë. Kësaj radhe eshtrat nuk përfunduan në Vjosë vetëm se pazari vajti mbarë dhe u bitis.
E pra, edhe kjo e Kosinës është një arsye pse shqiptarët, muhamedanë e të krishterë, me zot e pa zot, kanë nevojë të marrin edukatë fetare.
Por jo vetëm shqiptarët e thjeshtë, ata të shkretët që nga padija shkelin mësimet shenjta që as i dinë hiç dhe për të cilët Krishti thotë ende sot: “fali zot se s’dinë ç’bëjnë”. Edhe barinjtë fetarë të tyre, kanë të njëjtën nevojë ulëritëse për edukatë fetare. S’do harruar se atje në Kosinë s’qenë vetëm fukarenjtë e fshatit që hapën varret dhe shitën kockat. Në krye të tyre dhe të gjithë këtij pazari kafkash e kokallash, ishte vetë prifti i fshatit, bariu i grigjës, i cili me ç’më kujtohet vazhdoi të gënjejë edhe në gjyq për këto punë.
Ndërsa këtu, në rastin e këtij klubit dhe banjove mbi varre që po ndërtohen midis Tiranës, s’do harruar që firmën për t’u ndërtuar e ka dhënë në kohë të vet vetë Komuniteti Mysliman Shqiptar, pra vetë institucioni të cilit ia beson trupin çdo muhamedan i mirë pas vdekjes.
Fali Zot se s’dinë ç’bëjnë dhe çoji sa më shpejt në shkollë të edukatës fetare që, me shpresë të Zotit, një ditë të turpërohen për atë turp që po ndërtohet sot.
Edukata fetare nuk do na shpëtojë nga fanatikët e nga terroristët. Katër a pesë të çmendur mes gjithë të urtëve do gjenden gjithmonë. Por edukata fetare shërben fare mirë – dhe e ka bërë këtë punë për mijëra vjet – për t’u ngulitur të egjërve e të paditurve, të pangopurve e pasunarëve, ca parime morale nga ato që edhe sot e gjithë ditën janë në bazë e në themel të jetës së qytetëruar.
Rezistoftë tyrbja e gjorë deri në ditën që bijtë e atyre që po e bëjnë atë përdhosje të ligjit të shtetit e moralit të fesë, të amanetit të të vdekurve e të qytetërimit të të gjallëve, të kenë kuptuar aq nga edukata fetare, sa të shkojnë e ta ndreqin atë hata.
Nuk mjafton të bësh pakt me Djallin për të hapur udhën në t’a pastë zënë, një ditë duhet t’i kthehesh paktit me njerëzit për të shijuar mirësinë e tyre./shqiptarja.com