Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi pritet të dërgohet këtë javë nga qeveria për ratifikim në Parlamentin e Kosovës. Ky lajm është bërë...

Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi pritet të dërgohet këtë javë nga qeveria për ratifikim në Parlamentin e Kosovës. Ky lajm është bërë i ditur nga këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Sokol Havolli.

Kundër këtij ratifikimi tashmë dihet se është opozita, të cilët thonë se një gjë e tillë është në dëm të Kosovës. Por, ka edhe shumë deputetë të pozitës të cilët tashmë janë deklaruar kundër marrëveshjes me Malin e Zi.

Por cila do jetë forma e kundërshtimit nga opozita që një marrëveshje e tillë të mos kalojë në Kuvend?

Vetëvendosje ka kohë që në një farë mënyre e ka bërë të qartë formën e kundërshtimit të kësaj çështje, duke paralajmëruar trazira në ditën kur do të sillet në Kuvend kjo marrëveshje, madje sipas deklaratave të fundit nuk përjashtohet as mundësia e hedhjes së gazit lotsjellës.

Në anën tjetër, AAK dhe NISMA pritet që të kthehet në Kuvend në ditën e ratifikimit. Por, ata nuk pritet  që t’iu bashkohen veprimeve të Vetëvendosjes.

Këtë e kanë konfirmuar për sovrani.info anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj dhe ai i NISMA-s për Kosovën, Bilall Sherifi.

Nitaj për Sovrani.info tregon edhe formën e kundërshtimit, duke thënë se edhe AAK edhe NISMA do e kundërshtojnë atë me mjete politike.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës së bashku me NISMA-n për Kosovën, do jetë pjesë e kundërshtimit të ratifikimit në seancës e Kuvendit të Kosovës. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës por edhe NISMA për Kosovën janë organizata politike dhe do ta kundërshtojnë me mjete politike dhe jo me mjete të tjera. Ajo çfarë mund të them unë është vota kundër e forcon pozicionin e Kosovës në planin e brendshëm dhe të jashtëm dhe është një votë që i mundëson Kosovës ta ndaloj këtë çështje serioze”, thotë Nitaj.

Në anën tjetër Bashkimi Evropian po bënë presion te deputetët kosovarë se pa ratifikimin kësaj marrëveshje nuk do të ketë liberalizim të vizave./Sovrani/