Agnus Dei fiton edhe tri çmime në Spanjë Agnus Dei fiton edhe tri çmime në Spanjë
Në edicionin e 32-të të festivalit spanjoll “La Rioja es de Cine”, i cili ka përfunduar mbrëmë në Logrono të Spanjës, filmi kosovar “Agnus... Agnus Dei fiton edhe tri çmime në Spanjë

Në edicionin e 32-të të festivalit spanjoll “La Rioja es de Cine”, i cili ka përfunduar mbrëmë në Logrono të Spanjës, filmi kosovar “Agnus Dei” me skenar e regji të Agim Sopit, ka triumfuar duke rrëmbyer tri çmime të rëndësishme: ‘Filmi më i mirë ndërkombëtar’(Mejor pelicula extranjera ), Skenari më i mire (Mejor guion) dhe Montazhi më i mirë (Mejor edicion).

Në gala ceremoninë e ndarjes së çmimeve, drejtori i festivalit, David Reymonde Alboger-Hansen, duke ndarë çminim për filmin më të mirë ndërkombëtar, ka thënë se çmimi i filmit më të mirë ndërkombëtar shkon për filmin kosovar “Agnus Dei” të autorit Agim Sopi.

“Agnus Dei që ambientohet në kohën e luftës së Kosovës, padyshim është një film i mahnitshëm. Një festë kinematografike që të ngazëllen, duke depërtuar thellë në mendjen dhe shpirtin e secilit shikues, duke udhëtuar nëpër historinë e shpirtit njerëzor nga antikiteti e deri në kohët e sotme të trazuara, përplot lufta, krime e mizori. Dhe jo vetëm për këtë. Filmi Agnus Dei shpërblehet për inovacion kinematografik, për ndërtimin mjeshtëror të përmbajtjeve kuptimore dhe estetike. Agnus Dei është një film i veçantë që i bënë nderë çdo kinematografie”, citohet të ketë thënë Alboger-Hansen, raporton Koha.net.

Nga ana tjetër, regjisori Sopi, duke mos patur mundësi të udhëtojë në Logrono për të marr çmimet, përmes një prononcimi me Skype, i është drejtuar publikut spanjoll në “Cines Moderno” me fjalët: “Jam i nderuar dhe shumë i lumtur që filmi im “Agnus Dei” ka fituar disa çmime të rëndësishme në festivalin tuaj. Me këtë rast, dua të falënderoj gjithë ekipin e festivalit, jurinë e festivalit, dhe veçanërisht Davidin! Me kujtohet se shkrimtari spanjoll Carlos Zafon ka thënë: ‘Po të pikturoja edhe njëqind vjet, nuk do të mund ta ndryshoj as edhe një presje të vetme nga brutaliteti, injoranca dhe mizoritë njerëzore’. Duke qenë pjesë e këtyre mizorive gjatë jetës sime, kam mësuar të vërtetën dëshpëruese se arti pavarësisht fuqisë që ka, nuk mund ta ndryshojë botën, por megjithatë unë jam i bindur se arti mund të ndryshoj njerëzit të cilët do të jenë në gjendje ta ndryshojnë botën. Unë besoj thellësisht në këtë. Ju faleminderit”.

Agnus Dei, tashmë radhit pas vetes 75 çmime ndërkombëtare, duke qenë pjesë e programeve zyrtare në më shumë se 160 festivale të ndryshme në të katër anët e globit.