Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që me datë 3 gusht të mbahet debati profesional-shkencor mes komisionit shtetëror për Demarkacion dhe grupit të...

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që me datë 3 gusht të mbahet debati profesional-shkencor mes komisionit shtetëror për Demarkacion dhe grupit të njohësve profesionist për diskutim dhe ballafaqim faktesh për çështjen e Demarkacionit Kosovë-Mali i Zi.

Opozita shpreson që ky debat të ndikojë në formësimin e qëndrimeve të deputetëve që nuk janë deklaruar ende a janë pro a kundër.

Derisa ata presin shumë që kjo ditë të jetë në të mirën e tyre, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tashmë ka deklaruar se nuk ka hapësirë për marrëveshje të re.

 “Në tryezën e 3 gushtit për demarkacionin do të ofrohen mendime nga fusha të ndryshme profesionale, politike dhe shkencore, por çdo gjë duhet të jetë në përputhshmëri me dokumentet, mbi të cilat është shpallur pavarësia e Kosovës. Në qoftë se dalin jashtë asaj, atëherë është problem të gjendet një zgjidhje. Ne e kemi shpallur pavarësinë me dokumente të pakos së Ahtisarit”, ka deklaruar Mustafa.

Nga kjo del se çdo kundërshti i opozitës për ndryshim të marrëveshjes do jetë i kotë.

Prandaj, sa është i nevojshëm një debat i tillë?

Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, për sovrani.info thotë se ky debat është i panevojshëm dhe nuk duhet të zhvillohet fare, pasi kryeministri ka thënë se opozita nuk do ketë asnjë hapësirë për marrëveshje të re.

“Debati më 3 gusht nuk ka nevojë të zhvillohet fare. Kryeministri Isa Mustafa e ka bërë të qartë se nuk ka hapësirë për marrëveshje të re, andaj është plotësisht e panevojshme që të organizohen tryeza koti, të cilat mund të shërbejnë për kënaqjen e apetiteve të dikujt ose përfitimi poenësh politikë, por jo për të zgjidhur problemin”, thotë Mushkolaj.

Por njëjtë nuk mendon edhe analisti Nexhmedin Spahiu. Ai për sovrani.info thotë se Mustafa nuk është ai që e miraton këtë marrëveshje, por parlamenti.

Gjithashtu, Spahiu thotë se Mustafa po bën lojë fjalësh dhe se deklaratat e tij janë rrena të kulluara.

“Të thuash se kjo hartë është e vendosur në flamur është rrenë e kulluar, sepse harta në flamur s’ka mund të bëhet nga hartat që nuk kanë ekzistuar. E të gjitha hartat që kanë ekzistuar e kanë përcaktuar kufirin në Çakorr. Pra hartat shkollore, hartat ushtarake, të gjitha hartat përveç hartave të reja që i ka bërë komisioni”, thotë Spahiu.

E sa i përket fjalëve të Mustafës për deklaratën e pavarësisë, Spahiu thotë se në këtë deklaratë nuk janë të vizatuara kufijtë./Sovrani/