Anatomia e krizës Anatomia e krizës

Anatomia e krizës

Opinione 23 February, 2016, 14:07

Melazim Koci për sovrani.info Kosova aktualisht ballafaqohet me krizën më të rëndë nga shpallja e pavarësisë. Gjenezën e saj disa e kërkojnë te epilogu... Anatomia e krizës

Melazim Koci për sovrani.info

Kosova aktualisht ballafaqohet me krizën më të rëndë nga shpallja e pavarësisë. Gjenezën e saj disa e kërkojnë te epilogu i zgjedhjeve të vitit 2014, disa të tjerë te dialogu me Serbinë, e deri te rënia e interesimit të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimet në Kosovë, për shkak të krizave tjera në botë. Rreshtohen edhe faktorë tjerë, siç janë nepotizmi, gjendja e rëndë sociale, mungesa e vizionit për zhvillim ekonomik  dhe korrupsioni i jashtëzakonshëm, që kanë frustruar një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë kosovare.

Një analizë më e hollësishme e shkaktarëve të krizës do të çonte deri te viti 2010 dhe raporti i Dick Marty-t, që pos tjerash akuzonte personalitete të larta të UÇK-së për trafikim të organeve. Kishim të bënim me një shpifje dhe goditje për Kosovën. Reagimi i zbehtë i udhëheqjes kosovare ndaj këtij rrëfimi të llahtarshëm, të cilit nuk i beson askush, bëri që Kosova të vihej pa drejtësisht në një pozitë defanzive në raport me shumë procese që do të pasonin.

Raporti i Marty-t ishte hartuar pikërisht për ta hendikepuar dhe për ta vënë Kosovën në pozitë inferiore para fillimit të dialogut me Serbinë. Ishte sajesë e atyre faktorëve në bashkësinë  ndërkombëtarë që kishin kundërshtuar intervenimin e NATO-s dhe pavarësinë e Kosovës. Ata me këtë raport kishin përgatitur skenën që dialogu me Serbinë të fillonte dhe të vazhdonte me një pozicion inferior të Kosovës.

Dialogu me Serbinë koincidoi pikërisht me raportin e Marty-t. Për shkak të tij dhe shumë faktorëve tjerë, Kosova në këtë proces hyri e shantazhuar, e pa përgatitur dhe pa e ditur se ku çonte rrjedha e tij. Serbia nga ana tjetër përmes Brukselit synon të bëjë atë që ka bërë gjatë gjithë historisë. Serbët janë të njohur për thënien “jemi fitues të luftërave dhe humbës të paqes”, por e vërteta është krejt e kundërt, sepse kanë qenë dhe kanë mbetur humbës të luftërave dhe fitues në tavolinat diplomatike, përmes shantazhit, gënjeshtrës dhe makinacioneve nga më të ndryshmet. Pikërisht me këtë logjikë, Serbia synon që përmes bisedimeve në Bruksel, humbjen e Kosovës ta kompensoi me koncesione politike dhe territoriale që për synim të fundit kanë bërjen e Kosovës shtet jo funksional. Rrjedha e deritashme e dialogut bëri që Serbia të përfitoj përmes një loje shumë të tejdukshme: flirtohet me Moskën për të siguruar nga Perëndimi koncesione në raport me Kosovën.

Zgjedhjet e vitit 2014 ishin një faktor tjetër i krizës aktuale. Rezultati i tyre ishte i qartë – fituese ishte PDK-ja, por shumicën parlamentare e kishte siguruar VLAN-i. Ishte një çështje krejtësisht politike dhe jo punë e Gjykatës Kushtetuese. Krejt çfarë duhej bërë ishte që kryetarit të PDK-së,  t’i ofrohej mandati për formimin e qeverisë për një afat të caktuar kohor. Gjasat që Thaçi të bënte shumicën parlamentare dhe të formonte qeverinë nuk ishin të mëdha, por teoretikisht ishte e mundur që kjo të bëhej permes joshjes politike të ndonjërit nga subjektet politike të VLAN-it. Nëse këtë nuk do ta arrinte, mandati për formimin e qeverisë duhej ofruar VLAN-it, ndërsa çështja e kryetarit të Kuvendit nuk kishte pse nderlikohej në këtë lëmsh, sepse duhej të dilte nga shumica parlamentare. Pavarësisht nëse PDK ose VLAN-i do të formonin qeverinë, Kosova do të shmangte tensionet, por edhe precedentin e Gjykatë Kushtetuese, që më vonë sërish do të shkaktoj situata kontestuese.

Korrupsioni, nepotizmi dhe gjendja e rëndë sociale janë faktorët tjerë që ushqejnë krizën e tashme. Jo se në vendet tjera nuk ka korrupsion, por në Kosovën me buxhet nën 2 miliardë euro, korupsioni i përmasave alarmuese shkakton frustrim të shtresës që është jashtë hallkave të pushtetit. Kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejt e pushtetit aktual, që pos ndonjë rasti sporadik, me asnjë lëvizje nuk dëshmoi përkushtimin serioz për ta luftuar ate. Viktimë e korrupsionit, nepotizmit dhe krimit të organizuar është rinia e cila sillet e pa shpresë dhe me sytë nga Evropa për të gjetur shpëtimin.

Në këto 17 vite as vendorët dhe as ndërkombëtarët nuk paten as vizion dhe as strategji zvillimore.

Në këto rrethana kriza aktuale nuk është befasuese. Por, do të ishte shumë e rrezikshme nëse liderët e pozitës dhe opozitës nuk shohin përmasat e kërcënimit që vjen nga kjo krizë e thellë.

Serbia dhe kundërshtarët e atëherhsëm dhe të tashëm të intervenimit të NATO-s dhe pavarësisë, janë në fërkim të duarve, sepse presin thellim të krizës dhe të dalin me tezën se Kosova po lëvizë drejtë dështimit.

Këtë kënaqësi atyre duhet mohuar dhe kjo bëhet vetëm nëse opozita heqë dorë nga çfardo forme e dhunës, ndërsa pozita dhe opozita ulen në tryezën e bisedimeve, me apo pa ndërmjetësim të jashtëm, për të diskutuar të gjitha çështjet e hapura, nga thirrja e zgjedhjeve të parakoshme dhe deri te dialogu me Serbinë, demarkacioni dhe Asociacioni.

Këtë duhet bërë sot, sepse nesër mund të bëhet vonë.

 

Autori ka qenë redaktor dhe udhëheqës i programit shqip kushtuar Kosovës të Radios Evropa e Lirë, në periudhën 1999/ 2011.