Angela Merkel në aksion për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë Angela Merkel në aksion për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë
Shkup/Bruksel, 08 qershor, Zhurnal.mk – Kancelarja gjermane Angela Merkel nga java që vjen do të vihet në aksion për të tentuar zgjidhur lëmshin e krijuar... Angela Merkel në aksion për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Shkup/Bruksel, 08 qershor, Zhurnal.mk – Kancelarja gjermane Angela Merkel nga java që vjen do të vihet në aksion për të tentuar zgjidhur lëmshin e krijuar nga Franca për bisedimet e BE-së me Maqedoninë së Veriut dhe Shqipërinë, shkruan Zhurnal.mk.

Përkundër propozimit pozitiv të dytë me radhë nga Komisioni Evropian (KE) për të hapur bisedimet e anëtarësimit pa vonesë, Franca është vendi i cili ende nuk e ka ndryshuar qëndrimin dhe është kundër hapjes së këtyre bisedimeve.

Kjo ka bërë që qeveria e Merkelit të mos e kërkojë ende dritën e gjelbër nga parlamenti gjerman e që Berlini të votojë në favor të hapjes këtë muaj e Franca t’i bllokojë përsëri ato.

Gjermania, përkatësisht qeveria e Merkel nuk do që të turpërohet për herë të dytë nga Franca, përkatësisht Emmanuel Macron për strategjinë dhe taktikat e Berlinit për rajonin e Ballkanit, në këtë rast për Shkupin dhe Tiranën.

Paralajmërimet e kryeministrit Zoran Zaev për dorëheqje dhe zgjedhje të hershme të mundshme e kanë nxitur Merkelin që të takohen që të dy të enjten që vjen në Berlin.

Dorëheqja eventuale e Zaevit kësaj vere për shkak të mos-marrjes në qershor apo korrik të një date për fillim të bisedimeve më vonë këtë vit, do të shkaktonte kokëçarje të reja në skenën e brendshme politike në Shkup dhe do të forconte argumentet e Francës dhe Macronit për mos hapje të bisedimeve, shkruan Zhurnal.mk.

Merkel nuk do prishje të ambientit të brendshëm politik në Maqedoni të Veriut dhe vonesa të reja atje apo situata të njëjta të tensioneve si ato si në Shqipëri.

Kancelarja gjermane pritet që të kërkojë nga Zaevi që të mos ngutet me dorëheqje të qeverisë dhe t’i jap asaj kohë për diplomaci për të bindur Parisin që të ndërrojë mendjen.

Merkel dhe Macron, e po aq edhe vendet e tjera anëtare të BE-së, krejt qershorin do ta harxhojnë kryesisht për arritjen e kompromiseve për përbërjen e Komisionit Evropian të ardhshëm, postet e larta në Parlament Evropian, emrin e ri të shefit të Bankës Qendrore Evropiane dhe Kryetarin e ri të Këshillit Evropian, shkruan Zhurnal.mk.

Nga këto bisedime dhe kompromise Macron do të mund të ndryshojë qëndrimin ndaj bisedimeve të BE-së me Shkupin dhe Tiranën.

Partia e Macronit nga zgjedhjet e 29 majit për parlamentin evropian nuk doli e para në Francë. Macron mbeti i pakënaqur dhe tash para publikut francez ai do të tentojë që të nxjerrë sa më shumë nga vendet e BE-së poste të larta në institucionet e BE-së në Bruksel dhe Bankën Qendrore në Frankfurt.

Nëse për këto çështje Macron do të dalë i kënaqur nga negociatat me Merkelin dhe të tjerët e BE-së, ai ka gjasa të mëdha që të ndryshojë mendjen dhe t’iu thotë PO hapjes së bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Qershori, Korriku e Gushti do të jenë kohë negociatash dhe procedurash brenda vet BE-së. Në shtator apo tetor, situata do të sqarohet për shumëçka dhe do të mësohet nëse të dy vendet e rajonit ballkanik do të mësojnë datën e hapjes së bisedimeve.

Nëse Franca pas kësaj vere do të pajtohet për një PO, atëherë qeveria gjermane pritet që të bëjë kërkesë në parlamentin gjerman për dritë të gjelbër aty në tetor dhe menjëherë më pas qeveritë anëtare ta japin dritën e gjelbër për Shkupin dhe Tiranën për caktimin e datës së hapjes së bisedimeve.

Në të kundërtën, nëse edhe tetori dështon, atëherë Zaev do të detyrohet që të mbajë fjalën për dorëheqje me çka hapet rruga për zgjedhje të reja parlamentare.

E në këtë skenar fajtorët për shtyrje të dytë të vendimit të BE-së për bisedimet e anëtarësimit nuk duhet kërkuar në Shkup por nëpër kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së, shkruan Zhurnal.mk