Ashpërsohet lufta tregtare SHBA-Kinë Ashpërsohet lufta tregtare SHBA-Kinë
Shtetet e Bashkuara i rritën për më shumë se dyfish tarifat ndaj prodhimeve kineze, në vlerë prej 200 miliardë dollarësh. Tarifat u rritën në... Ashpërsohet lufta tregtare SHBA-Kinë

Shtetet e Bashkuara i rritën për më shumë se dyfish tarifat ndaj prodhimeve kineze, në vlerë prej 200 miliardë dollarësh. Tarifat u rritën në 25% nga 10% dhe Pekini u zotua se do të hakmerret.

Ai tha se “i vjen thellësisht keq”, porse do të ndërmarrë “kundërmasa të nevojshme”.

Këto zhvillime vijnë derisa zyrtarë të nivelit të lartë nga të dyja palët po përpiqen të shpëtojnë një marrëveshje tregtare në Uashington.

Ministria e Tregtisë e Kinës konfirmoi rritjen e fundit të tarifave amerikane në faqen e saj të internetit.

“Shpresohet se palët amerikane dhe kineze do të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet ekzistuese nëpërmjet bashkëpunimit dhe konsultimit”, tha ajo përmes një deklarate.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e paralajmëroi rritjen e tarifave qysh të dielën e kaluar, duke shkaktuar lëkundje në tregje.

Ka qenë e paraparë që ato të rriten në fillim të vitit, por ky veprim është shtyrë, pasi negociatat kanë shënuar përparim. Megjithatë, Trump tani thotë se bisedimet po përparojnë “shumë ngadalë”.

Lufta tregtare SHBA-Kinë ka peshuar edhe në ekonominë globale gjatë vitit të kaluar dhe ka krijuar pasiguri për bizneset dhe konsumatorët.

Situata mund të përkeqësohet, pasi Trump ka paralajmëruar gjithashtu se mund të vë së shpejti 25% taksë në mallrat kineze në vlerë prej 325 miliardë dollarësh.

Bisedimet midis zëvendëskryeministrit të Kinës, Liu He, përfaqësuesit amerikan të tregtisë, Robert Lighthizer, dhe sekretarit amerikan të Thesarit, Steven Mnuchin, pritet të vazhdojnë të premten.

Kina ka qenë një cak i shpeshtë i Trumpit, i cili ka kritikuar, siç ka thënë, pabarazitë tregtare mes dy vendeve dhe rregullat kineze të pronësisë intelektuale, që, sipas tij, i pengojnë kompanitë amerikane.

Disa në Kinë e shohin luftën tregtare si pjesë të përpjekjes së SHBA-së për të frenuar rritjen e saj.

Të dyja palët tashmë kanë vendosir tarifa mbi mallrat e njëra-tjetrës në vlerë prej miliarda dollarësh.

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi se këto mosmarrëveshje përbëjnë “kërcënim për ekonominë globale”.

“Të gjithë humbasin në një konflikt të zgjatur tregtar”, tha FMN-ja, duke bërë thirrje për një “zgjidhje të shpejtë”. /Rel