Babai kërkon kompensim për djalin e mitur që humbi jetën pasi ra në gropë nga pakujdesia e kompanisë punëkryese Babai kërkon kompensim për djalin e mitur që humbi jetën pasi ra në gropë nga pakujdesia e kompanisë punëkryese
52 mijë euro është shuma që Nexhmedin Goxhufi po kërkon nga kompania “Hertica”, në emër të dëmshpërblimit për vdekjen e djalit të tij, pasi... Babai kërkon kompensim për djalin e mitur që humbi jetën pasi ra në gropë nga pakujdesia e kompanisë punëkryese

52 mijë euro është shuma që Nexhmedin Goxhufi po kërkon nga kompania “Hertica”, në emër të dëmshpërblimit për vdekjen e djalit të tij, pasi që kishte rënë në një gropë të mbushur me ujë.

Tani paditësi Goxhufi, padinë e kishte ushtruar në maj të vitit 2012, ndërsa seanca përgatitore është mbajtur pas shtatë vjetësh, konkretisht të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në padi thuhet se kompania “Hertica”, kishte hapur një gropë e rastin e ndërtimit të rrugës që lidhte fshatrat Koliq dhe Dyz dhe pas përfundimit të punimeve ,nuk e kishte mbyllur gropën dhe siç thuhet në padi, gropa vazhdimisht kishte paraqitur rrezik për banorët.

 
Në padi thuhet se fëmija i paditësit, A.G, aksidentalisht kishte rënë në këtë gropë të mbushur me ujë dhe kishte humbur jetën.

Lidhur me këtë rast, të hënën, përfaqësuesi me autorizim zëvendësues i paditësit, Faton Hyseni, ka thënë se për shkak të mos aplikimit të rregullave në punë nga kompania “Hertica”, ka humbur jetën i mituri A.G.

Fillimisht, ai ka thënë se qëndron pranë padisë dhe kërkesës së saj, duke kërkuar nga gjykata që e njëjta të aprovohet si e bazuar.

Ai tha se nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nuk kishin arritur të siguronin ndonjë informatë lidhur me rastin.

Prandaj, ai i ka propozuar gjykatës që t’i drejtohet zyrtarisht Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për të kërkuar informacion lidhur me epilogun e procedurës penale të zhvilluar në këtë rast, i cili propozim është aprovuar nga gjykatësi i rastit, Dardan Kadolli.

 
Në anën e kundërt, përfaqësuesi i të paditurës, avokati Mentor Neziri, e ka kundërshtuar legjitimitetin pasiv të të paditurit në këtë procedurë.

Ai fillimisht tha se qëndron pranë përgjigjes në padi të dorëzuar në gjykatë më 22 korrik 2015, në të cilën përgjigje e ka kontestuar bazën dhe lartësinë e padisë.

Neziri, kontestimin e bazës së padisë, e ka mbështetur në pretendimin se paditësi deri tani me asnjë provë nuk ka arritur ta arsyetojë legjitimitetin pasiv të të paditurës në këtë procedurë.

Lidhur me mungesën e informacioneve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për këtë rast, përfaqësuesi i të paditurës, Mentor Neziri, ka pretenduar se është e pamundur që prokuroria të mos ketë vendosur për këtë rast, duke marrë parasysh kohën prej kur ka ndodhur rasti.

Pas kësaj, përfaqësuesi i paditësit, ka kërkuar që seanca të shtyhet, në mënyrë që në seancën e radhës të prezantojë vet avokati me autorizim i paditësit, Skender Musa, cili propozim është aprovuar nga gjykatësi Kadolli.

Kadolli, me procesverbal ia ka tërhequr vërejtjen përfaqësuesve të paditësit, që të njëjtit të kenë parasysh parimin e ekonomizimit në këtë procedurë, për faktin se ata dy herë radhazi kanë kërkuar shtyrjen e seancës përgatitore.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 5 nëntor 2019, duke filluar nga ora 13:30.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 3 maj 2012, paditësi Nexhmedin Goxhufi po kërkon nga kompania “Hertica”, kompensimin e dëmit në vlerë prej 52 mijë euro, për dhembje dhe vuajtje shpirtërore të humbjes së djalit të tyre.

Bazuar në padi, deri të rasti kishte ardhur ashtu që në lagjen “Goxhufaj”, kompania “Hertica”, e paditur në këtë procedurë, kishte hapur një gropë për të marr material për ndërtimin e rrugës.

Sipas padisë, e paditura pasi që ka përfunduar punimet nuk e kishte mbyllur gropën, e cila siç thuhet në padi, vazhdimisht kishte paraqitur rrezik për banorët e lagjes.

Në padi thuhet, se fëmija i paditësit, aksidentalisht kishte rënë në këtë gropë të mbushur me ujë dhe kishte humbur jetën.

Në padi thuhet se familjarët e posaçërisht nëna e fëmijës kishte përjetuar trauma psikike dhe me çrregullime të përhershme.

Prandaj, me anën e kësaj padie, paditësit po kërkojnë kompensim dëmi nga kompania “Hertica”, pasi që pretendojnë se e njëjta është përgjegjëse direkte për humbjen e fëmijës së tyre.