Ministria e Arsimit në Shqipëri është gati të ofrojë çdo të dhënë në lidhje me vërtetësinë e diplomave të marra nga kosovarët nëpër universitete...

Ministria e Arsimit në Shqipëri është gati të ofrojë çdo të dhënë në lidhje me vërtetësinë e diplomave të marra nga kosovarët nëpër universitete private atje, që u mbyllën më 2014 nën dyshimet për parregullsi, të cilat Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë tashti ka vendosur t’i fusë në procedurat për njohje dhe pranim të tyre.

Drejtues të Ministrisë së Arsimit në Shqipëri kanë thënë për “Kohën Ditore” se pas mbylljes së 18 universiteteve private ato janë futur në proces të verifikimit një për një.

Por ata nuk e kanë mohuar faktin se ka pasur raste kur diplomat kanë dalë të jenë edhe false, pasi autenticiteti i tyre nuk ka mundur të verifikohej. E rreth këtyre rasteve janë gati të njoftojnë të gjitha institucionet, brenda dhe jashtë vendit.

Në Kosovë zyrtarisht është pranuar se janë mbi një mijë kosovarë që kanë marrë diploma të niveleve të ndryshme nëpër universitetet private të Shqipërisë, kryesisht nga i ashtuquajturit “Universiteti Kristal”, të cilit i është marrë licenca në Shqipëri.