Bernard Challandes është paraqitur para mediave për herë të parë për ndeshjet e qershorit. Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje në muajin...

Bernard Challandes është paraqitur para mediave për herë të parë për ndeshjet e qershorit.

Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje në muajin qershor në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian “Euro 2020”.

Fillimisht, më 7 qershor, Kosova përballet me Malin e Zi dhe tre ditë më pas me Bullgarinë.

Trajneri i “Dardanëve”, Bernard Challandes, si gjithmonë nuk ka dashur të flasë për pikët që Kosova synon nga këto dy takime.

“Nuk është në filozofinë time të them që do të marrim tri pikë, një pikë apo sido që të jetë. Për mua ka rëndësi paraqitja e ekipit. E keni parë edhe me Bullgarinë që kemi luajtur lojë të mirë dhe në fund kemi marrë barazim 1-1, janë ndeshje të vështira në grup. Edhe me Danimarkën kemi zhvilluar ndeshje të mirë, kemi përfunduar 2-2. Pra për mua është më rëndësi që të luajmë mirë dhe me paraqitje pozitive, vijnë edhe rezultatet e mira. Pra duhet të bëjmë ndeshje të madhe dhe ndoshta do të marrim diçka”, tha ai.

“Duhet ta keni parasysh se kemi dy mundësi për t’u kualifikuar. Aktualisht jemi në rrugën e kualifikimeve të rregullta dhe duhet të jemi të përqendruar te kjo. E di që do të jetë e vështirë, por nuk guxojmë asnjëherë të mendojmë se mund të kualifikohemi nëse kemi qasje me frikë ndaj kundërshtarëve më të mëdhenj nëse kemi respekt pak më shumë sesa që duhet. Nuk guxojmë të themi se në Mal të Zi do të shkojmë për një pikë, për një barazim, do të dalim prej konceptit tonë. Por për të ëndërruar kualifikimin ne duhet të jemi paksa edhe të çmendur”, shtoi ai.