Demarkacioni është problem që zgjidhet me vullnet shtetformues të përfaqësuesve të Kosovës dhe BE Demarkacioni është problem që zgjidhet me vullnet shtetformues të përfaqësuesve të Kosovës dhe BE
Demarkacioni, sot është fjala dhe çështja më e përdorur dhe më e keqpërdorur në fjalorin politik të Republikës së Kosovës, nga qershori i vitit... Demarkacioni është problem që zgjidhet me vullnet shtetformues të përfaqësuesve të Kosovës dhe BE

Demarkacioni, sot është fjala dhe çështja më e përdorur dhe më e keqpërdorur në fjalorin politik të Republikës së Kosovës, nga qershori i vitit 2015 deri më sot, duke hyrë në vitin e tretë dhe ende nuk po gjen zgjidhje.
Pse nuk ka zgjidhje?

Unë, sa isha deputet, jam përpjekur që të ofroj zgjidhje. Zgjidhja e ofruar nga ana ime, ishte e lidhur kryekëput me interesin e qytetarëve të Kosovës e assesi me ndonjë pozicion, shumicë-pakicë në Kuvend. Aq më pak me ndonjë kapric politik.

Oferta për zgjidhjen e këtij problemi dhe për këtë çështje, kam deponuar dhe protokolluar në Parlament edhe dokumente të cilat mund të jenë të dobishme për t’u përdorur edhe sot, qoftë nga aspekti politik por edhe për çështje tjera, qoftë edhe për analiza të ndryshme me interes të demarkacionit.

Shumë kam menduar se kush është fajtori kryesor i këtij problemi, pse qytetarët tanë nuk gëzojnë liberalizim të vizave, krahasuar me rajonin.

Konsideroj se Bashkimi Evropian (BE s’ka interes ta zgjidh. Arsyeja është se pikërisht në BE duhet të ketë një alibi për zvarritje që ky fakt apo kërkesë ndaj shtetit tonë, të jetë e paplotësuar për arsye se janë pesë shtete të saja që nuk e pranojnë Kosovën shtet, dhe nuk do ta lejojnë liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

Hipotetikisht, po e ratifikuam kështu siç është demarkacioni, BE do të sfidohet nga këto pesë shtete dhe nuk do të ketë ashtu e ashtu liberalizim të vizave. Por, çka tutje?

Kjo do të ishte një goditje serioze pas BREXIT për autoritetin e BE-së. Pardje dhe sot, edhe Spanja deklarohet negativisht për planin e Zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, aty ku është Kosova. Me gjithë këto situata që dikush mund të thotë se janë konspiracione, këtu fshihen edhe disa të vërteta. Por, për këto, nuk do të lëshohem këtu.

Çështje tjetër në këtë tablo të kësaj problematike, ishte dhe është Hashim Thaçi, ish Ministër i jashtëm në vitin 2015 dhe sot, më 2018 kryetar shteti, dhe Isa Mustafa, ish kryeministër i Qeverisë, atëherë në 2015 dhe sot lideri kryesor i opozitës. Qëndrimet e tyre, besoj kanë qenë në sinkron që ta degjenerojnë opozitën me qëndrimin e tyre që Kosova nuk humb asnjë centimetër tokë që u shndërrua në kauzë për opozitën e atëhershme, tash Kryeministrin Ramush Haradinaj.

Edhe Albin Kurti që u fsheh prapa një kauze tjetër , atë të asociacionit e cila sillte frikë për shqiptarët por në esencë është një flluskë, për ta përdorur edhe si kauzë edhe si mjet. Gjithë këtë kaos e përdori edhe Serbia duke këmbëngulur që asociacioni është shpëtim i substancës serbe, dhe për ta arsyetuar vetveten para serbëve, ndërsa para ndërkombëtarëve punoi për rrënimin e besueshmërisë ndaj shtetit tonë në skenën ndërkombëtare.

Ky kaos e kjo zallamahi vazhdon sot e tri vite, dhe asnjëra palë nuk ofron zgjidhje. Vendi nuk po vendnumëron por ka kthim prapa.

Sot, jemi me një Kryeministër të cilit i erdhi radha ta çoj nderin në vend, ta anuloj versionin Meha dhe të tregoj se demarkacioni vërtet është i keq.

Në këtë pikë, edhe unë pajtohem që është keq, por po shoh që brenda Qeverisë ka një bashkëjetesë me eksploziv në dorë kush përpara ta tërheq siguresën, e këtë siguresë asnjëri s’ka sot për sot interes ta tërheq, por po luajnë lojëra të cilat po prodhojnë depresion publik, humbje besimi institucional në lidership, mos besueshmëri në faktorin ndërkombëtar dhe mundësi për rrëshqitje drejtë anarkisë.

Mali i Zi përkundër problemeve të brendshme që ka tani me mos pasjen e votave shumicë në Kuvend, assesi s’e mendon të fut në rivotim demarkacionin dhe për këtë stabilitet të rrejshëm politik thotë “ne s’kemi çka të bisedojmë, ky problem është në Prishtinë”. Vuçiqi tanimë ka në dorë dy karta, demarkacionin e Malit të Zi dhe minoritetin serb atje që i drejton në interes të tij dhe Listën Serbe në Kosovë që e cenon stabilitetin politik fragjil në Kosovë.

Në këtë situatë, BE nuk duhet fjetur, të tregohet apatike e anemike, por është koha që t’i thuhet qartë Serbisë, o rrugën e Evropës o izolimin total. Ndërsa qytetarëve të Kosovës, gjeni rrugën e zgjidhjes, na jepni opinion unik dhe konsensual parlamentar e politik për demarkacionin, për asociacionin, për gjykatën speciale dhe për ushtrinë.

Mendoj se të gjendur në këtë situatë, duhet të mendojmë racionalisht dhe të jemi të balancuar. Deputetët duhet ta dinë se në zgjedhje të parakohshme tanimë nuk mund të hyhet, askush nuk del i fituar përveç anarkisë, askush më nuk do të jetë lider në procese që po e presin vendin. Në këtë situatë, ne do të humbim edhe nismën drejt rrugës euroatlantike, ne duhet të ofrojmë një ofertë për demarkacionin. Këtë ofertë e keni në Parlament të protokolluar. Mund ta merrni, edhe autorësinë merrni kush ta dojë, vetëm bëhuni racional dhe të balancuar. Bashkësia ndërkombëtare do ta ketë fatin tonë dhe se angazhimi ynë është parimor e jo destruktiv.

Ndërkombëtarët s’kanë parë qartësi dhe vendosmëri, në këtë pikë, duhet të gjithë të jemi dakord, ata që janë brenda në Parlament dhe ata që janë jashtë tij. Pas interpelancës për ajrin në Prishtinë e Kosovë, demarkacioni si çështje është më i rëndësishmi.

Propozoj një rezolutë e cila të gjithë do t’i nxjerr me fytyrë të bardhë nga kjo katrahurë, secilin aktor, që nga Presidenti, Kryeparlamentari dhe Kryeministri, deputetët, bashkësinë ndërkombëtare si dhe miqtë tanë por edhe qytetarët e Kosovës, pronarët e pronave në zonat që preken nga demarkacioni.

Ja propozimi për Rezolutë:

1. Ne deputetët e Republikës së Kosovës, unanimisht e kundërshtojmë pjesërisht marrëveshjen për demarkacionin e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës në Gusht të vitit 2015, me Republikën e Malit të Zi.

2. Ne propozojmë që pjesa ku ne e kundërshtojmë nga segmenti i parë ku ne jemi futur jashtëligjshëm në territorin e Malit të Zi për afër 761 hektar, të kthehen në pozicionin e vijës administrative të vitit 1974.

3. Koordinatat nga segmenti i parë në drejtim të Kullës, segmenti i dytë, në kurrizin e Hajlës dhe nga segmenti i tretë në drejtim të Çakorrit e që janë të markuara sipas materialit të bashkangjitur, rezolutet në 789 pika të markuara në largësi secila në 50 metra të rikthehen si segmente në vijën administrative të vitit 1974 dhe të cilat stabilizojnë tërësinë territoriale të Kosovës duke u bazuar në dokumentet valide të Kosovës dhe ligjeve të ish RSFJ dhe Republikës së Malit të Zi dhe Republikës së Serbisë dhe Krahinës Autonome të Kosovës.

4. Çdo prononcim i zyrtarëve të lartë dhe çdo prononcim i ish Komisionit për mirëmbajtjen e Kufirit nga viti 2015, për marrëveshjen e nënshkruar për mirëmbajtjen e kufirit dhe shënimit të vijës kufitare nuk është valide para institucioneve të Republikës së Kosovës dhe para faktorëve ndërkombëtar dhe fqinjin tonë, Malin e Zi.

a) Komisioni i kaluar ka tejkaluar kompetencat e veta të parapara me vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

b) Mali i Zi, edhe pse republikë me më eksperiencë, s’ka reaguar që komisioni ynë po tejkalon kompetencat siç ka tejkaluar edhe komisioni i tyre që në mënyrë obligative kanë qenë të detyruar të bëjnë vetëm saktësimin e vijës administrative e jo të hyjnë në delimitim të ri pa marrëveshje dhe pajtim të ndërsjellë.

5. Palët mbrojtëse zyrtare të versionit “Meha” qofshin ata qeveritar e presidencial dhe kundërshtimet e opozitës së atëhershme amnistohen nga çdo vlerësim juridik dhe penal.

a) Qëndrimet e presidencës dhe Qeverisë, komisionit dhe përkrahësve tjerë shkencor e individual s’kanë prodhuar asnjë efekt juridik dhe si të tilla s’kanë asnjë reperkusion juridik.

b) Reagimet e opozitës me pengimin e Parlamentit duke përdorur gazin lotsjellës, amnistohen nga çdo ndjekje penale sepse kanë përdorur mjetin për të arritur qëllimin politik por pa dëmtuar askënd fizikisht, dhe si veprim i tillë të amnistohen të gjithë pa dallim nga këto procese gjyqësore për të gjithë ata deputet dhe politikanë që janë në procedura gjyqësore.

6. Të formohet një delegacion informues për Malin e Zi në përbërje të Komisionit të ri për shënimin e vijës kufitare dhe nga deputetët dhe te njoftohet komisioni i Malit të Zi për të gjeturat.

7. Mali i Zi nuk ka nevojë ta anulojë ratifikimin e vitit 2015, por me një aneks marrëveshje që lidhen me pikën dhe koordinatat sipas pikës së parë dhe të dytë të rezolutës të bëj korrigjimin.

8. Luten BE dhe SHBA që të ndihmojnë në arritjen e kësaj marrëveshje sepse kjo është e drejtë e jona për këto arsye.

a) Ne bazohemi në pikat e marrëveshjes që për të gjeturat kemi te drejtë të kërkojmë rishikim, në të kundërtën nëse kjo nuk lejohet, ne nuk na obligon ta respektojmë marrëveshjen.

b) Faktet që janë gjetur t’i nënshtrohen një ekspertize mikste ndërkombëtare të Malit të Zi dhe të Kosovës.

c) Mali i Zi dhe Republika e Kosovës janë në proces të faktimit praktik dhe të gjeturat kanë kohë të inkorporohen edhe në proces.

Në fund, po Ju drejtohem, Juve të nderuar deputetë, të nderuar përfaqësues të Quintit dhe të BE-së, ky është një vullnet që unë e kam marrë dhe kam vërtetuar gjatë këtyre tri viteve për të zgjedhur problemin e demarkacionit.

Ky propozim i Demarkacionit që është aktual, nuk votohet as në këtë përbërje të Parlamentit dhe vendi prapë shkon në zgjedhje. Kam bindje të thellë se nuk do të mund të përzgjidhen deputet pa kurrizorë që ta votojnë demarkacionin jashtë vullnetit të tyre, as në përbërjen e re. Kjo është e drejtë e jona për ta ruajtur territorin, këtë të drejtë mos na cenoni sepse po cenoni parimet e demokracisë dhe vendimmarrjes autonome, po shkelni mbi të drejtat e njeriut dhe po krijoni presedan të papranueshëm.

BE nëse do dhe ka vullnet mundet edhe ta pengojë edhe të mos e pengojë me çështjen e demarkacionit, liberalizimin e vizave për Kosovën. Por, më në fund, duhet vendet e BE-së ta kuptojnë se përgjatë gjithë historisë, asnjëherë shqiptarët s’kanë asnjë shënim të uzurpimit të territoreve të huaja përveç humbjes së territoreve të veta. Nëse nuk është kështu, qofsha i gabuar që angazhohem për këtë çështje.

PS: Për të gjitha sa u cek më lartë në propozime, do t’i protokolloj edhe një herë në Parlamentin e Kosovës

Dr. Shaip Muja

Ish deputet i Parlamentit të Kosovës në dy legjislatura nga PDK