Dështimi i institucioneve – tetë persona të vdekur në vendin e punës këtë vit Dështimi i institucioneve – tetë persona të vdekur në vendin e punës këtë vit
27-vjeçari, Visar Behrami nga Mitrovica humbi dje jetën në vendin e punës. Ai pësoi nga rrënimi i objektit të ish-hotel “Adriatikut” në këtë këtë... Dështimi i institucioneve – tetë persona të vdekur në vendin e punës këtë vit

27-vjeçari, Visar Behrami nga Mitrovica humbi dje jetën në vendin e punës.
Ai pësoi nga rrënimi i objektit të ish-hotel “Adriatikut” në këtë këtë komunë, shkruan lajmi.net.

Behrami aty raportohet se punonte pa kontratë pune, teksa në ditë paguhej vetëm 10 euro, shkruan lajmi.net.

Ai mbeti i ngujuar, derisa njësitet e zjarrfikësve arritën ta gjenin trupin e tij të pajetë.

Fatin e njëjtë si të Visarit, vetëm këtë vit e patën edhe 7 punëtorë tjerë që pësuan keq në vendet e tyre të punës.

Këtë të ditur për lajmi.net e bën Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve në Sektorin Privat.

Ai thotë se shteti ka dështuar në mbrojtjen e punëtorëve në këtë sektor.

“Vetëm sivjet i kemi 8 raste të vdekjeve në vendin e punës. Shteti ka dështuar me këtë rast. Vetëm dje i patëm tri raste të shembjes së objekteve në ndërtim në Kosovë. Ne kemi kërkuar gjithnjë që familjarëve të punëtorëve që humbin jetën në vendin e punës t’i ndahen mjete”, ka thënë ai.

Azemi ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për neglizhencë, duke përmendur edhe rastin kur ky institucion ka ndarë mjete për familjen e zëvendësministrit, Arian Daci.

“Përderisa Qeveria ndan 15 mijë euro për familjen e një zëvendësministri, si është e mundur që të mos ndahen mjete për raste të tilla”, thotë ai.

Hetim për vdekjen e 27 vjeçarit në Mitrovica ka paralajmëruar edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj sot pas mbledhjes së Qeverisë.

E në vendin e punës kishin vdekur edhe dy punëtorë të kazinove në Kosovë.

Njëri në Lipjan e tjetri në Suharekë kishin rënë viktima të grabitjeve, që si pasojë rezultuan të jenë fatale për ta.

Pas këtyre rasteve, Kuvendi kishte vendosur për mbylljen e të gjitha lokaleve të lojërave të fatit. /Lajmi.net/