Dilema e maturantëve Dilema e maturantëve

Dilema e maturantëve

Opinione 28 May, 2019, 15:49

Fundi i vitit shkollor i ballafaqon maturantët me dilema se çfarë të studiojnë, nga t’ia mbajnë. Pas mbrëmjeve të hallakatura të maturës, ku i... Dilema e maturantëve

Fundi i vitit shkollor i ballafaqon maturantët me dilema se çfarë të studiojnë, nga t’ia mbajnë. Pas mbrëmjeve të hallakatura të maturës, ku i kanë haxhuar paratë e të tjerëve, ata e shohin që nuk janë kurrkund, sepse jeta reale nuk është një banket me sallama pule, koka-kola e me muzikë tallava. Ata e ndiejnë se duhet të bëjnë diçka, por nuk e dinë saktësisht se çka.

Edhe pse ata janë në konfuzion total (përveç një pakice, që sigurisht e kanë të qartë se çka duan) askush nuk mirret me ta. As shkolla, as familja, as shoqëria, as qeveria. Demek, jemi shoqëri e lirë dhe le të bëjnë si të duan. Por mosha e tyre është e tillë që ata më të shumtën nuk e dinë çka duan.

Henri Fordi (1863- 1947) kur e ka zbuluar prodhimin masiv të veturës, ka thënë se po t’i pyeste klientët se çfarë u duhej, ata do t’i kërkonin një kalë më të shpejtë. Pra ata nuk do të dinin kurrë të kërkonin veturë, sepse nuk e dinin çka ishte. Ashtu janë edhe shumica e maturantëve tanë, si klientët e Fordit, thjesht nuk dinë çka u duhet.

Kush do të duhej të dinte se çka u duhet atyre? Natyrisht, shkolla e familja, ama qeveria në rend të parë. Fjala vjen, qeveria do të duhej ta dinte se vendi nuk ka nevojë të regjistrojë 3000 studentë në ekonomik, po vetëm 100, ndërsa tregu evropian i punës jep shenja se duhet të regjistrohen 3000 studentë të rinj në vit në programet e shkencave kompjuterike.

Tregu i punës për profesionet e reja po zgjerohet çdo ditë, ndërsa disa profesione thjesht po shuhen. Prandaj nuk duhet të drejtohen të rinjtë atje ku nuk kanë asnjë perspektivë.

Thjesht, qeveria ka përgjegjësi për politikat në arsimin e lartë, për planifikim, natyrisht në bashkëpunim me universitetet. Por, qeveria jonë nuk përzihet në punët e veta, e pakta në këtë fushë. Pse? Nuk përzihet, sepse nuk di!

Ndërsa të rinjtë mbesin të hutuar, konfuz. Dhe bëjnë ç’bëjnë e meqë nuk dinë çka të bëjnë, u bëjnë hyxhym kafeneve, diskotekave, drogave dhe bastoreve. Po prindërit ku janë, ç’bëjnë?