Dy dekada në liri Dy dekada në liri

Dy dekada në liri

Opinione 9 June, 2019, 11:47

Shkruan: Latif Mustafa  Para disa ditëve Policia e Kosovës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të shtetit, organizoi aksion për arrestimin e policëve, zyrtarëve shtetërorë dhe... Dy dekada në liri

Shkruan: Latif Mustafa 

Para disa ditëve Policia e Kosovës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të shtetit, organizoi aksion për arrestimin e policëve, zyrtarëve shtetërorë dhe qytetarëve të tjerë, të cilët e kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, janë përfshirë në afera të krimit të organizuar, ryshfet, kontrabandim mallrash dhe krime të tjera të natyrës së ngjashme.  Sado që në mikroplan të duket se është një përpjekje e luftimit të dukurive të krimit, kjo ngjarje në makroplan është po ashtu një përpjekje konsekutive e shtrirjes së autoritetit shtetëror dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës.

Nga deklaratat e autoriteteve serbe, ajo që më së shumti më bëri përshtypje ishte deklarata e kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq. Në Beograd pati deklarata nga më luftënxitëset, por megjithatë deklarata e kryeministres, gjegjësisht një fragment brenda saj, mbetet shënjuesi i një mendësie dhe simbolika e frymës së një dekade. Ajo literalisht u shpreh: “Imate posla s ljudima koji su bukvalno izašli iz šume – Keni punë me njerëz të cilët, tekstualisht, janë prej mali”, njashtu duke iu referuar Beogradit si “racional” dhe Prishtinës si “irracionale” dhe vetëm për shkak të racionalitetit të Beogradit, gjoja, rajoni po gëzuaka njëfarë paqe.

Në këtë qershor mbushen dy dekada të plota që nga intervenimi i NATO-s përmes sulmeve ajrore në ish-Jugosllavi dhe hyrja e këmbësorisë në Kosovë pas 78 ditëve bombardime. Ndërhyrja e NATO-s zgjoi një debat të përgjithshëm global, duke u vërtitur midis dy shpjegimeve kryesore: intervenimit brenda një shteti sovran dhe intervenimit humanitar për parandalimin e gjenocidit dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor. Para së gjithash, përfundimi i Jugosllavisë në këtë stad fillesat i kishte në narracionin tjetërsues të nacionalistëve serbë, duke projektuar tipolologjinë e “tjetrit”, malokut, të pagdhendurit, ekzotikut dhe irracionalit. Dhe, si të tillë, duke u vetëprojektuar në racionalin, të qytetëruarin ose të gdhendurin. Çdo gjenocid fillon në gjuhë dhe mbaron në trup. Ngjashëm ndodhi edhe me pushtetin serb ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve.

Misionet ndërkombëtar në Kosovë, UNMIK, dhe, më vonë, EULEX, qenë ndër misionet më të shtrenjta në botë, të cilat u përpoqën ta vënë rendin, sigurinë dhe të themelojnë kapacitete demokratike dhe shtetërore. Përkundër shumë dobësive, që i kishin këto misione, dhe kritikave që janë adresuar ndaj tyre si misione kolonialiste, ato konsiderohen të suksesshme në vendosjen e stabilokracisë, sigurisë dhe zhvillimit të beftë ekonomik. Vendosja e kësaj stabilokracie, sado e suksesshme të duket, ajo ka pasur një kosto të lartë financiare, hera-herës e shoqëruar me shkelje të të drejtave elementare njerëzore dhe indiferencë ndaj krimit të organizuar ekonomik dhe politik.

Tani kur po shënon dy dekada të plota në liri, ajo ndodhet para një sfidë të madhe për kapitalizmin e fitores së saj, duke e shtrirë sovranitetin e saj në çdo cep të vendit, njohjen e pavarësisë nga Serbia, harmonizimin e të gjitha çështjeve ndërshtetërore dhe fitimin e një ulëse në Kombet e Bashkuara. Por, gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Përkundër progresit që ka shënuar Kosova, bisedimet me Serbinë nuk kanë shënuar asnjë progres deri më sot, ngaqë Serbia nuk ka shprehur asnjë vullnet politik për normalizimin e marrëdhënieve bilaterale. Ajo ka ndjekur një logjikë jo vështirë të lexueshme veprimi diplomatik, duke i shndërruar bisedimet në qëllim për dhe jo mjet për arritjen e ndonjë qëllimi dhe, si e tillë, e ka bllokuar çdo iniciativë të Kosovës për hapërim drejt anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare.

Por, tanimë ka një iniciativë dhe vullnet të gjerë ndërkombëtar për përfundimin e problemit ndërmjet Kosovë dhe Serbisë. Në anën tjetër, Serbia e dëshiron Kosovën si gjysmë-shtet, disfunksional dhe nën ndikimin politik të Serbisë dhe tutelës ndërkombëtare në Kosovë, ani pse opinioni publik në Serbi e konsideron Kosovën si çështje të humbur. Ata e dëshirojnë një Kosovë, të përmbledhur në fjalët e Brnabiqit, “të udhëhequr nga njerëz të malit dhe si strofull të krimit dhe trafikimit”. Por, pyetja më e rëndësishme është kjo: Çfarë duan shqiptarët e Kosovës? Kjo është pyetje që duhet reflektuar. Kosova, sa më shpejt, duhet ta përfundojë këtë kapitull, me maturi dhe guxim, e koordinuar mirë me SHBA-të dhe miqtë e tjerë strategjikë ndërkombëtarë. Rrëshqitja drejt një konflikti të ngrirë me Serbinë, hipotetikisht, mund ta zhbëjë gjithë atë që është arritur deri më sot pa sovranitet shtetëror, subjektivitet politik dhe anëtarësim të plotë në institucionet ndërkombëtare.