E meritonte Enver Hoxha heroizimin pas mbledhjes së Moskës? E meritonte Enver Hoxha heroizimin pas mbledhjes së Moskës?
Studimi i paradokohëve i autorit Met Dervishi “Intertekstualja dhe Disidenca te Dimri i Vetmisë së madhe” më shërbeu si nxitje që të shpreh opinionin... E meritonte Enver Hoxha heroizimin pas mbledhjes së Moskës?

Studimi i paradokohëve i autorit Met Dervishi “Intertekstualja dhe Disidenca te Dimri i Vetmisë së madhe” më shërbeu si nxitje që të shpreh opinionin e mëposhtëm. Fjala është pёr pёrshkrimin e personazhit tё diktatorit në roman, gjë për të cilën shkrimtarin Kadare e keqkuptojnë dhe e keqinterpretojnë dashakeqësisht. Do argumentoj përse them e keqkuptojnë dhe keqinterpretojnë dashakeqësisht.  Ky roman përmban një veçori themelore. Romani u krijua si vepër artistike duke u bazuar tërësisht mbi një ngjarje të madhe historike, shkёputjen e shtetit shqiptar nga kampi sllavo-komunist. Temë sa e vështirë aq edhe me përgjegjësi të jashtëzakonshme për fatin e autorit. Kjo ndodhte në 1973. Për herë të parë lexuesi shqiptar e ai botëror i gjente të mbledhur në një sallë ata që ende e bënin të dridhej botën Perëndimore.

Në këtë roman të gjithë personazhet si, shtresa e intelektualëve dhe artistëve, shtresa e të rinjve shqiptarë, shtresa e klasës punëtore, udhëheqja e partisë dhe komunistët, nëpunësit e Sigurimit famëkeq dhe drejtuesi i tyre K. Xoxe, shtresa e të deklasuarve politikë, shtresa e familjeve të dëshmorëve, fshesaxhinjtë e rrugëve, etj, janë trajtuar artistikisht në mënyrën më realiste. D.m.th. tema e shkëputjes është bërthama e romanit dhe sjella, reagimi i shtresave shoqërore në raport me këtë bërthamë janë zhgualli që e bëjnё romanin një vepёr të tërë. Kaq vërtetësisht është pasqyruar ajo periudhë në roman, kaq reale janë dialogjet e personazheve, sa lexuesi e gjen veten brenda personazheve. Nuk ka asnjë dyshim se kjo shkёputje historike nga Moska shkakun nuk e kishte te ndonjë prirje pro perëndimore e udhëheqjes së shtetit shqiptar të asaj kohe.

“Çështje doktrine, mbrojmë doktrinën komuniste”, gjëmonte propaganda e partisë. Arsyeja ishte tjetër, lufta e E. Hoxhës për të ruajtur mbijetesën e vet në pushtet. Enver Hoxha ishte njё njeri shumё diabolik dhe njё politikan i klasit tё parё. Ishte gjithashtu njё njohёs i mirё i letёrsisё por edhe njё shkrimtar mediokёr. Pa dyshim edhe një vlerësues i pamohueshëm i talentit të madh të shkrimtarit Kadare. E. Hoxha ishte njё djall i vёrtetё nё eleminimin e rivalёve e kundёrshtarve politikё, nё zbatimin e luftёs sё klasave, nё luftёn kundёr fesё, nё manipulimin e masave, nё izolimin e vendit. Për të keqen e popullit të vet ishte më i zi sesa vet e zeza. Njerёz tё ditur qё pёr vite tё tёra kanё qёnё afёr tij pohojnё se E. Hoxha ishte frikacak. Në kohën e dënimit të kultit të individit në gjithë Bllokun Lindor komunist E. Hoxha arriti tё kapte pёrmasёn historike tё situatёs kur historia e vendosi para provës, të mbijetonte në pushtet apo të eleminohej fizikisht si disa udhëheqës të tjerë nga vendet e Lindjes komuniste.

E. Hoxhën në vitet ‘60-70 njerëz të kulturuar të fushave të ndryshme në Tiranë e quanin “artisti ose aktori” mbasi gjithmonë ai dukej që luante një pjesë, një rol. Luante lojën e udhëheqësit të dashur dhe shumë të drejtë me popullin. Ai jo pak herë përpara njerëzve arrinte të autosugjestionohej deri në shprehjen e fytrës të përlotur, që mallëngjehej thellësisht nga entusiazmi dhe kontaktet me njerëzit e thjeshtë. Ai “përbënte burimin e ujit të kristaltë” që vadiste partinë dhe jetën e popullit të tij të dashur. E. Hoxha kishte një etje të madhe për lavdi, e cila te ai me kalimin viteve mori përmasa groteske. Ishte qartësisht me mendësi narcizisti. Shkëlqimi dhe fama e Titos në vendin fqinj e bënte që psikologjikisht të vuante shumë. Rivalizonte me Titon dhe reagonte shpejt duke bërë të kundërtën e tij. Një aspekt – Titua bënte vetadministrimin, Enveri zbatonte kolektivizimin. Nuk mund të harrohet shprehja e asaj kohe të përpiluar në zyrat e dizinformimit të KQ të partisë se, “fatkeqësia e shokut E. Hoxha është që atij i ka rënë fati që të udhëheqë një popull fare të vogël. Si udhëheqës largpamës kapaciteti i tij është për një popull bie fjala 20 milion e sipër”. Në vazhdim të këtij mentaliteti narcizist, për të krijuar aureolë herë pas here nga të njëjtat zyra dilnin pëshpëritje, alibira, se këtë udhëheqës të madh donin ta vrisnin shërbimet e huaja inteligjente. Në popull thuhej se më në fund shqiptarët fatlum kishin gjetur udhëheqësin legjendar. Në këto rrethana E. Hoxhës si sekretar i parë i partisë iu imponua alternativa më e rrezikshme kur Hrushovi i kërkoi rregullimin e marrëdhënieve me Titon. D.m.th që më pas detyrimisht nën parullën e luftës kundër kultit të individit, të lëshonte pushtetin.

Lind pyetja: Si ka mundësi qё ky njeri tepër i mprehtё, diabolik dhe frikacak njёkohёsisht, vendosi qё në mes të rrezikut maksimal tё shkonte nё Moskё dhe tё bёnte atё ndeshje historike qё tashmё njihet. Kur frika e eleminimit ishte e madhe. Me sa duket mendjet me intelekt tё zhvilluar kanё aftёsinё qё nё njё moment tё caktuar tё akumulojnё energji analizuese tё asaj shkalle sa qё arrijnë të reagojnë shumë fuqishëm psikologjikisht nё tё njёjtёn masё shpёrthyese me vlerёn historike tё ngjarjes ku janë përfshirë.

E. Hoxha zgjodhi të bënte të vetmen zgjidhje mbijetese, heroin, jo frikacakun e strukur brenda zyrёs sё tij nё Tiranё. Ai e sfidoi kupolën e mafies komuniste në shtëpinë e vet, brenda në Kremlin. Nuk mund të mohohet se ky qëndrim e rriti figurën e tij në sytë e popullit të thjeshtë për një farë kohe. E. Hoxha mund edhe ta shmangte vajtjen në Moskë në krye të delegacionit. Mund të dërgonte atje M. Shehun, apo si në Bukuresht H.enveri Kapon. Kalkulimet që E. Hoxha ka bërë me këtë rast, ky njeri që nuk mbahej për trim i çartur e që në luftë nuk kish marrë pjesë në asnjë betejë, duhet që të kenë mbartur brenda tyre edhe një argument që mendoj se është kryesor. E. Hoxha rrethohej nga bashkëpunëtorë luftëtarë që kishin qënë me vite në frontin e parë të zjarrit partizan. Ata psikologjikisht e moralisht kishin epërsinë e të qënurit në front dhe jo si ai në prapavijë. Kjo gjë i ishte thënë në sy në disa raste. E. Hoxha e kish kuptuar mirë se këtë diferencë në kredite trimërie në raport me ata që e rrethonin, i duhej që domosdoshmёrisht ta plotësonte në një apo në një tjetër mënyrë. Në rast se E. Hoxha nuk do tё shkonte në Moskë, lavdia e tij te bashkëpunëtorët e afërt do zvogëlohej, para tyre ai do dukej akoma më frikacak. Kjo gjë do e bënte më të lehtë për t’a rrëzuar nga pushteti. Mbrojtja e doktrinës ishte një alibi.

Mbas parashtrimit të këtyre argumentave le të vazhdojmë arsyetimin me mëndje të ftohtë.

Shtrohet pyetja: a mundet që në roman tё pasqyrohej ndryshe e vërteta e aktit historik të shkёputjes së Shqipërisë së vogël nga kampi sllavo-komunist pa rolin e E. Hoxhës? Tё atij njeriu qё luajti në mënyrën më diabolike rolin kryesor nё konfliktin historik të kampit komunist? Duke qënë fakt historik i pamohueshëm që E. Hoxha në Moskë u qёndroi rusёve dhe satelitёve tё tyre i vetëm, duke qënë se në biografinë e tij prej udhëheqësi e arkivoi realisht si shumë pozitiv këtë moment heroik, akt të cilin ia vlerësuan edhe politikanë të tjerë të njohur, atëhere bëj pyetjen: Po si mund ta devijonte e ta përshkruante shkrimtari nё roman ndryshe nga e vërteta reale e ngjarjes? Pёr njerёz me arsyetim normal kёto pyetje mendoj se kanё vetёm njё pёrgjigje, e cila nё kёtё rast shkon nё favor tё shkrimtarit Kadare. Nga një lexim i vëmendshëm i tekstit, portreti i E. Hoxhës del i favorshëm vetvetiu, për faktin që E.Hoxha në atë ngjarje historike është i vetmuar përballë 80 liderëve të tjerë komunistë, shumica e të cilëve janë vrasës gjithashtu. Pra, momenti historik i zgjedhur është në favor absolut të tij. Aq sa është në favor tërësisht e vërteta. Në qoftë se shkrimtari do ta përshkruante ndryshe, atëhere do të kritikohej me të drejtë si lajkatar. Por ngjarja ka qenë e vërtetë. Dhe fjalimi i tij ka qenë po ashtu. Ndaj autori s’mund të akuzohet për deformim të historisë.

Nuk kemi lexuar në roman në ato 30-40 faqe përshkrim ndonjë gjë që s’na u duk e vërtetë, as atëhere kur u botua romani, dhe aq më pak tani kur kanë kaluar 40 vjet. Romani u shkrua dhe u botua në fillim të viteve ‘70, në kohën kur pas prishjes me B.Sovjetik dhe Kampin, Shqipëria po prishej me Kinën. Pra, procesi i ndarjes së Shqipërisë nga kampi komunist vazhdonte. Mendoj se kjo përbën arsyen që studiuesi Eric Faye përdori në një studim këtë karakterizim për romanin: “Si një këngë lamtumire me kampin komunist”. Në Shqipëri gjithashtu, nga klasa e përmbysur, kështu u konceptua libri. Ideja e Europës e përshkon librin nga kreu në fund.

Romani përshkohet nga pyetja: Do të shkojë Shqipëria drejt Europës tani që mbeti e vetmuar? Kjo dilemë i mundon shqiptarët. Një nga personazhet me të cilën hapet romani është plaka Nurihan, e cila përgjon ditë e natë tek radioja lajmin për përçarjen e komunizmit. Ajo e quan “lajm i bekuar që na ngjalli të gjithëve”.

TO GO WITH STORY BY LAURENT LOZANO Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP on February 8, 2015 in Jerusalem. Born in 1936 in the Albanian mountain town of Girokaster, Kadare has won a number of prestigious prizes including the first international Man Booker Prize in 2005.  AFP PHOTO/ GALI TIBBON

Nuk mund të mos bëhet një pyetje: Përse kritikuesit dhe dashakeqët e Kadaresë shkojnë nga shkojnë dhe kapen djallëzisht te gjoja “mitizimi” i E. Hoxhës në roman? Nuk dyshoj se këtu ka diçka shumë më esenciale, shumë më gërryese për kritikuesit e shkrimtarit sesa portreti i E. Hoxhës në Moskë.

Me pak vëmendje konstatohet se në roman një nga linjat më me përgjegjësi rreziku, me shijen e saj të plumbtë është ajo e përshkrimit të armës famëkeqe të Sigurimit të shtetit. Institucion që ishte kopje e origjinalit në BS dhe në vendet e tjera komuniste, si në funksionim ashtu edhe në fatin e atyre që e drejtonin.

Stalini ia veshi krimet e 10 milionë viktimave ish ministrit të Brendshëm të asaj kohe Genrikh Yagoda, të cilin e pushkatoi. Edhe Yezhovi që e pasoi mbasi e kreu misionin e tij të krimeve gjakatare u pushkatua nga Stalini. Vdekja e mori Stalinin përpara sesa të vazhdonte me eleminimin e Berias, i cili u akuzua dhe u pushkatua nga Hrushovi. Me të njëjtin stil hipokrizie kriminale, Titua ia veshi të gjitha krimet në ish Jugosllavi numrit dy të pushtetit të vet Aleksandër Rankoviçit. Titua vetë doli i larë, gjoja nuk ka ditur gjë për krimet dhe raprezaljet e Rankoviçit. Po me Enverin si u zhvillua kjo dramë? Krimet dhe tmerrin e viteve të mbasluftës E. Hoxha ia ngarkoi në kurriz të gjitha K. Xoxes. Inatin dhe xhelozinë që mbante përbrenda kundra intelektualëve E. Hoxha ia veshi natyrës kriminale dhe injorante të K. Xoxes. Ai vetë djallëzisht luajti rolin e atij që nuk e pyesnin për ato që bënte sigurimi i K. Xoxes. Ish numri dy K. Xoxe u pushkatua simbas të njëjtave akuza si të ngjashmit e vet në BS dhe Jugosllavi. Ndërsa Titua e mbylli periudhën e krimeve me eleminimin e Rankoviçit, të kundërtën bëri Enveri. Koha tregoi se në vitet e mëvonshme E. Hoxha krimet kundra intelektualëve i vazhdoi dhe i intensifikoi, po aq dhe akoma më mizorisht sesa K. Xoxe.

Shkrimtari i përshkruan njerëzit e policisë sekrete në mënyrën më të neveritshme, i tall, i ironizon, i jep me pelerina dhe duar të përgjakura. Personazhi i ish punonjësit të Min. së Brendshme Aranit Çorraj, gjaksor, i larguar dhe i punësuar si magazinier në një ndërmarrje tregtare si edhe bashkëpunëtorët e tij, janë në libër simboli makabër i Policisë sekrete të E. Hoxhës. Me nivel mediokër K. Xoxe përshkruhet si ato hienat që gjahun e lakmuar kishte intelektualët. “Ah këta shkrimtarët” psherëtinte. Të gjithë intelektualët e shkolluar në Perëndim i syrgjynosi nëpër burgje ku i pushkatoi. Temat më të preferuara të K. Xoxes ishin bisedat për Titon dhe intelektualët. Autori mban qëndrimin më ndëshkues, më demaskues ndaj K. Xoxes e policisë sekrete, por të mos harrojmë asnjë çast se indirekt gishtin e kishte drejtuar te E. Hoxha. K. Xoxe ishte numri dy në pushtet, bashkëpunëtori më i afërt i E. Hoxhës. Aq afër sa në ato vite edhe familjet e tyre jetonin në të njëjtën banesë me dy kate…