Fadil Hoxha në kontekstin historik Fadil Hoxha në kontekstin historik
Jusuf Bajraktari Fadil Hoxha është njeriu, luftëtari, komandanti, politikani dhe burrështetasi që me punën, përkushtimin dhe veprën e tij jetësore i dha vulë një... Fadil Hoxha në kontekstin historik

Jusuf Bajraktari

Fadil Hoxha është njeriu, luftëtari, komandanti, politikani dhe burrështetasi që me punën, përkushtimin dhe veprën e tij jetësore i dha vulë një periudhë historike për më shumë se 50 vjeçare, por që me vlerat e saj tejkalon suazat kosovare dhe ato kombëtare. Është pa dyshim një nga figurat e mëdha shqiptare të shekullit që lamë pas.

Shënimi i 100 –Vjetorit të lindjes së njërit prej figurave më të shquara të historisë moderne të Kosovës, 15 vjet pasi që pushoi zemra bujare e një politikani dhe shtetëtari fisnik siç ishte Heroi i Popullit – Fadil Hoxha, është padyshim ngjarje që meriton respektin e veçantë. Kjo për faktin se Kosova e posaçërisht Gjakova si çerdhe liridashëse dhe kopsht i kultivimit të virtyteve më të mira të vlerave njerëzore e patriotike, po e kujton birin e saj të merituar në këto kohë të mugëta të zvetënimit të humanitetit e të respektit për të merituarit. Pra, Gjakova si një qytet me traditat më pozitive, përkundër sfidave me të cilat ballafaqohet në realitetin e kundërthënieve aktuale shoqërore e politike, e gjen rastin për të shënuar me një Akademi këtë jubile simbolik ashtu siç e ka merituar biri i saj i devotshëm, Fadil Hoxha.

Sot, padyshim se e ndjejmë mungesën e madhe të intelektualëve e të veprimtarëve të shquar dhe të njohësve të jetës dhe veprës së Fadil Hoxhës si: Vehap Shita, Pajazit Nushi, Mark Krasniqi, Esat Stavileci, dhe së fundi dje na la lamtumiren edhe sekretari i SHVLANÇ-së, Sadri Kabashi, të cilët me angazhimet dhe kontributet e tyre e nderonin opinionin e Gjakovës në këso raste kujtimesh e përkujtimesh. Pikërisht në Gjakovë duhet të thuhet se ka ardhur koha që në bazë të argumenteve dhe fakteve historike të trajtohet roli i figurave dhe i personaliteteve që në të kaluarën tonë kanë lënë gjurmë e dëshmi të prekshme, të cilat pasqyrojnë veprimtarinë e tyre jetësore e politike.

S’ka dyshim se figura e Fadil Hoxhës është në krye të listës së personaliteteve që personifikojnë periudhën 50-vjeçare të historisë së Kosovës në regjimin komunist në ish-Jugosllavi. Prandaj edhe interesimet dhe interpretimet e rolit të tij janë trajtuar nga këndvështrime të ndryshme dhe në të shumtën e rasteve me nota të subjektivizmit të tepruar nihilist, çka për mendimin kritik historiografik nuk përkon me të vërtetën, e aq më pak me realitetin shoqëror të Kosovës.
E themi këtë konstatim mbështetur në studimin “Mjerimi i historizmit”, të njërit ndër mendjet më të ndritura të shekullit 20, Karl Popperit, i cili duke cituar Xhon Millin konstaton si vijon: “Gjendjet e shoqërisë janë… si moshat e ndryshme të një trupi fizik – ato janë kushtet jo të një apo pak organeve ose funksionimeve por të tërë organizmit”. Po ashtu në këtë drejtim duhet të na motivojë edhe themeluesi i doktrinës së historisë – Herodoti me maksimën e tij “se vetëm e vërteta duhet shquar pavarësisht interesave në të cilën jeton dhe mund të ketë personi që shkruan për ngjarjet historike”. Sot nëpërmjet kësaj Akademie nga Gjakova po e dërgojmë një mesazh rasti si për historianët, politologët, politikanët aktiv të jetës sonë shoqërore e ekonomike dhe përgjithësisht te njerëzit e letrave, që sa më parë të çlirohen nga ngarkesat me ngjyrime politike, të cilat apriori helmojnë mjedisin shoqëror me tendenca retrograde – përçarëse të rajoneve kosovare.

Kosova është një tërësi dhe çdo ndarje mbi çfarëdo baze qoftë është e dëmshme për perspektivën e saj. Burimet e shumta dokumentare që rrëfejnë jetën e Fadil Hoxhës dhe kohën e tij, na japin të drejtë me konkluduar se të arriturat por edhe gabimet e mundshme të bëra nga ai, paraqesin një tërësi (materie) interesante për historinë. Ato argumentojnë përkushtimin e tij për dy çështje fondamentale: 1) për idenë e bashkimit të viseve shqiptare në një shtet, që ka qenë dhe është ëndrra e të gjith patriotëve tonë dhe 2) për ngritjen dhe avancimin e Kosovës në shkallën e barazisë me të tjerët në ish-Jugosllavi në aspektin pragmatik, sipas rrethanave të kohës që i është imponuar.

Se çfarë figure ishte, çfarë roli luante, ç’rëndësi e ç’ndikim kishte karshi situatave dhe gjendjes së përgjithshme në Kosovë kur ai ishte në pushtet, është një punë që i takon perspektivës së hulumtimeve shkencore në të ardhmen. Mund të thuhet se botimet e derisotme na ofrojnë të dhëna e në disa raste edhe përgjigje që për opinion janë mjaft interesante. Ato konsistojnë para se gjithash në çështjen e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave; në çështjen e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi dhe qëndrimin që e ka mbajtur Fadil Hoxha ndaj saj; rreth Procesit të Prizrenit; Aksionit të mbledhjes së armëve; rreth Plenumit të Brioneve; rreth diskutimeve kushtetuese të viteve ’70-ta të shekullit 20, dhe të ngjarjeve të tjera të mëvonshme të cilat pak a shumë janë ende të freskëta për shumicën e njerëzve që merren me studimin e kësaj periudhe historike.
Që të pasqyrohet në mënyrë më reale roli i figurës së Fadil Hoxhës sigurisht që nuk mjaftojnë vetëm këto botime të derisotme. Duhet vazhduar me hulumtimin e burimeve të proveniencave të ndryshme, ku do të duhej patjetër të përfillet parimi i profesionalizmit të paanshëm dhe i njohjes së thellë të periudhës, ngjarjeve dhe proceseve shoqërore, duke bërë krahasimin e të dhënave të ndryshme të shkruara dhe të atyre që fshihen në labirintet e arkivave e që flasin për zhvillimet politike në Kosovë e më gjerë në Ballkan.

Kurrsesi ky problem kaq madhor nuk mund të jetë objekt i spekulimeve meskine të ditës, të matrapazëve pseudo intelektualë e tekanjozë, të cilët nuk lënë gjë pa njollosur e katranosur ashtu siç e kanë biografinë e tyre të përlyer.
Iniciativa e Komunës së Gjakovës dhe e kryetares së saj – znj. Kusari-Lila për ngritjen e Shtatores së Fadil Hoxhës në vendlindjen e tij në Gjakovë, e nderon atë dhe Kosovën përgjithësisht. Prandaj, ky projekt duhet përfunduar sa më parë që është e mundur, duke afirmuar të kaluarën tonë historike dhe ata që i kanë kontribuar afirmimit të qenies sonë shoqërore dhe kombëtare.

Fadil Hoxha është njeriu, luftëtari, komandanti, politikani dhe burrështetasi që me punën, përkushtimin dhe veprën e tij jetësore i dha vulë një periudhë historike për më shumë se 50 vjeçare, por që me vlerat e saj tejkalon suazat kosovare dhe ato kombëtare. Është pa dyshim një nga figurat e mëdha shqiptare të shekullit që lamë pas. Pra, është personalitet shumëdimensional, që hyri dhe do të mbesë në historinë e Kosovës përgjithmonë.
Nëse realisht i vlerësojmë kushtet dhe rrethanat historike nëpër të cilat kaloi Kosova në vitet e thyerjeve të mëdha, duhet të thuhet se janë të rralla personalitetet që u kanë bërë ballë sfidave të panumërta në mënyrë aq stoike si Fadil Hoxha. Ai shpresonte dhe ishte i bindur se nëpërmjet Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, si pjesë e Koalicionit Ndërkombëtar Antifashist, do t’i shërbente idealit të kahershëm të popullit të Kosovës “… i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipninë”, vendim ky i miratuar me Rezolutën e Konferencës së Bujanit, si një akt historik i pa kapërcyer deri më sot, e ku siç dihet botërisht roli i Fadil Hoxhës ka qenë vendimtar. Ndërkaq, ky do të jetë mëkati i pafalshëm i tij nga qarqet shoviniste serbomëdha gjatë gjithë ekzistencës së ish-Jugosllavisë, për çka do të kërcënohej e shantazhohej nga armiqtë e Kosovës.

Fadil Hoxha edhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur gjendja e Kosovës u keqësua tragjikisht, si pasojë e dhunës dhe kurtheve të imponuara nga hegjemonizmi serbo-jugosllav nuk u dorëzua. Ai me shokët e tij zgjodhi atë që e zgjedhin njerëzit e përgjegjshëm, dhe vendosi të qëndronte me ata që mund ta vazhdonte betejën. Siç do të shprehej profesor Besim Bokshi, vendosi të qëndronte e të vepronte për të zbutur sado pak goditjen e dhunës me besim për një stinë më të mirë drejt së ardhmes së popullit të tij. Fadil Hoxha në mbrojtje të interesave të popullit të vet do të angazhohet për emancipim, zhvillim kulturo-arsimor dhe ekonomik të Kosovës, si mjeti më efikas për të sfiduar shtypjen, pabarazinë dhe projektet antishqiptare. Ai në veçanti u angazhua dhe ndihmoi me bindje të plotë procesin e shkollimit e të perfeksionimit të kuadrove të të gjitha profileve, aq shumë të nevojshme për Kosovën, fatet dhe ardhmërinë e saj.Fadil Hoxha ishte konsekuent e parimor për të luftuar shpërnguljen e shqiptarëve dhe presioni që bënte pushteti jugosllav në vitet ’50 të shekullit të kaluar, për deklarimin e tyre si turq, si një nga mjetet për spastrimin etnik të Kosovës.
Në kohën kur shovinizmi serb, gjoja në emër të barazisë e të zemërgjerësisë serbe, deklarohej me demagogji se “shqiptarët në Kosovë duhet të ndihen si në shtëpinë e vet” ishte ky Fadil Hoxha, i cili pati guximin për të reaguar publikisht e me dinjitet kundër tezave antishqiptare, duke botuar një vepër me titull simbolik “Jemi në shtëpinë tonë”.

Siç do të shihet lajtmotiv i kësaj vepre është qëndrimi i palëkundur dhe konstatimi suprem i autorit se “shqiptarët janë zot shtëpie në shtëpinë e vet”, shprehje kjo që afirmonte autoktoninë e shqiptarëve dhe të drejtën e vetëvendosjes së tyre si rrugë e mundshme e shpëtimit për rrethanat e asaj kohe.

Atij i takon një meritë e veçantë në procesin e afirmimit dhe të unifikimit të gjuhës letrare shqipe. Ai nuk hezitoi që nëpërmjet profesor Fehmi Aganit t’u sugjeronte intelektualëve të njohur të kohës dhe institucioneve kosovare që të angazhoheshin sinqerisht rreth organizimit dhe përkrahjes së idesë për unifikimin e gjuhës letrare shqipe, si mjet i rëndësishëm i afrimit të shqiptarëve. Po ashtu ai do të jetë iniciatori kryesor edhe për shënimin e 500-Vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar – Skënderbeut (1968); 100-Vjetorin të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1978), si dy nga ngjarjet kulmore të jetës kulturore e shkencore në Kosovë. Këto e shumë fakte të tjera flasin për vizionin e një politikani patriot e modern, i cili diti dhe punoi me durim në interes të sendërtimit të kauzës së popullit që i takonte. Me një fjalë, roli i Fadil Hoxhës në tejkalimin e prapambetjes kulturoro-arsimore të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, përgjithësisht e atyre të Kosovës është veçanërisht i madh dhe i admirueshëm. Motiv dhe preokupim i tij dhe i bashkëmendimtarëve të tij të merituar për zhvillimin dhe emancipimin e popullit shqiptar do të bëhet deviza “Nga Abetarja deri tek Universiteti dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës”, e cila, siç u provua nga rrjedhat historike, është një nga idetë më fisnike që e ngritën në piedestalin e nevojshëm dëshirën e një populli të vendosur për të gjakuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Largpamësia dhe dashamirësia ndaj atdheut dhe popullit të tij kujtojmë se mund të pasqyrohen realisht edhe në angazhimin e tij, tash e 45 vjet më parë për realizimin e idesë së lidhjes së Kosovës me Shqipërinë përmes hekurudhës Prizren-Durrës, si arterie e një rëndësie të veçantë që do të ndikonte në shkurtimin rrugëve të integrimeve ekonomike, shpirtërore e kulturore të kombit shqiptar përballë sfidave të kohës. Për këtë dhe shumë veprime të tjera pragmatike më ka folur disa herë profesor Pajazit Nushi, i cili ishte një bashkëpunëtor i afërt i tij, në bisedat tona për të kaluarën.
Besoj se është me rëndësi të kujtoj me këtë rast edhe një ngjarje që profesor Mark Krasniqi e ka treguar para disa vitesh në Akademi.

Sipas rrëfimit të tij ishte kjo kohë e diskutimeve intensive për ndryshimet kushtetuese të viteve ’70. Pas një takimi në Beograd ku u zhvillua një përplasje e fortë midis delegacionit të Serbisë të kryesuar nga Drazha Markoviqi dhe atij të Kosovës të udhëhequr nga Fadil Hoxha (anëtar i të cilit ishte edhe profesor Marku), në mëngjes me trenin ‘Akropolis’ zbresin në Fushë-Kosovë Fadilin e prisnin për ta takuar dy persona, njëri prej të cilëve ishte Spasoje Gjakoviqi ish-shef i UDB-së për Kosovë. Ata e thirrën Fadilin veçantë dhe, sipas gjestikulacioneve, biseda ishte tepër e ashpër dhe acaruese. Pasi u kthye Fadili më thirri, thoshte profesori, që të hyjë në veturën e tij zyrtare. Sapo u ulëm, me një zë mjaft shqetësues mu drejtua: “Mark, në Kosovë kurrë nuk mund të jemi të qetë pa u bashkue me Shqipërinë”.

Të gjitha faktet e ilustrojnë profilin e tij të një politikani aktiv e shumë të guximshëm në kontestin historik. Në mënyrë të veçantë ky virtyt i ndjenjës patriotike mund të provohet edhe me shprehjen e tij të mëvonshme dhe gatishmërinë që ai edhe përkundër moshës 83-vjeçare do të ishte i gatshëm për të ngjeshur armët për t’ju bashkuar radhëve të UÇK-së në kërkim të lirisë së Kosovës sipas shembullit të idhullit të tij – patriotit të madh Bajram Curri.

Në fund dua të theksoj se në bazë të gjithë asaj që kanë shkruar shumë autorë, bashkëluftëtarë e bashkë kohanik të Fadil Hoxhës, pa dallim se a e donin atë personalisht, sikurse edhe kundërshtarët politik e kanë pranuar faktin se ai ishte një personalitet i fuqishëm, i formuar politikisht e moralisht, i vendosur për të luftuar për pikëpamjet e tij. Këto vlerësime bile janë pranuar nga edhe oponentë të tij të shumtë nga politikanë serb.
Ndërkaq, fatkeqësisht ka mendje të krisura nga radhët e shqiptarëve që sot në mënyrën më të padenjë e atakojnë me shpifje malicioze Fadil Hoxhën. Të tillëve duhet shtruar një pyetje praktike: Se a thua vallë më shumë ka përparuar Kosova kur udhëhiqej nga Fadili me garniturën e tij, e ku kishte përballë Serbinë, apo në këto vitet e pasluftës (1998-1999), ku potencialet intelektuale dhe parakushtet e tjera ishin shumë herë më të favorshme. Në veçanti kur të kihet parasysh përkrahja nga bota e qytetëruar dhe Bashkësia Ndërkombëtare e prirë nga SHBA dhe Bashkësia Evropiane, që po e përkrahin Kosovën me të gjitha mjetet.

Besoj se krahasimi është i qartë për secilin që ka një grimë sinqeriteti në veten e tij. Prandaj historia më në fund nuk mund të vlerësojë dëshirat hipotetike, por të arriturat konkrete në të gjitha fushat e zhvillimit shoqëror, politik dhe ekonomike të një vendi. Natyrisht se edhe meritat dhe përgjegjësit duhet të gjejnë adresime përkatëse. Andaj, per te mos u zgjatur me shume sesa lejojnë rrethanat e këtyre rasteve jubilare, mund te thuhet me plot goje e balle qel se Fadil Hoxha ishte dhe do te jete, sot, dje dhe nesër nje figure që admirohet sinqerisht.

(Kjo kolumne është marrë nga faqja e Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar)