FFK organizon turne përkujtimor për Fadil Vokrrin FFK organizon turne përkujtimor për Fadil Vokrrin
Dje u mbajt mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, ku u vendos që të rregullohet varri i ish-presidentit të Federatës,... FFK organizon turne përkujtimor për Fadil Vokrrin

Dje u mbajt mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, ku u vendos që të rregullohet varri i ish-presidentit të Federatës, Fadil Vokrri, si dhe të mbahet një turne përkujtimtor për nder të tij.

Turneu për nder të Fadil Vokrrit do të fillojë më 23 korrik, në datëlindjen e tij, dhe aty të marrin pjesë veteranët e klubeve ku ka luajtur vetë Vokrri gjatë karrierës së tij, Llapi, Prishtina, Partizani e Fenerbahçe, raporton Gazeta Express.

“Meqenëse po afrohet njëvjetori i vdekjes së legjendës së futbollit dhe ish-presidentit Fadil Vokrri, KE mori vendim dhe themeloi Komisionin për rregullimin e varrit. Kështu që, Komisioni i përbërë nga Agim Dibrani, kryetar, Arianit Ahmeti, Ilaz Mjaku e Mirsad Çollaku anëtarë do të përkujdesen për mbarëvajtjen e punimeve të varrit të ish-presidentit”, shkruhet në njoftimin e lëshuar nga FFK-ja.

“Po ashtu, KE në datëlindjen e legjendës Fadil Vokrri më 23 korrik do të organizojë një turne përkujtimor në kategorinë e veteranëve të kohës dhe brezit të Fadil Vokrrit, e ku do të marrin pjesë veteranët e klubeve, në të cilat ka luajtur legjenda, Llapi, Prishtina, Partizani dhe Fenerbahçe”.

Për këtë turne dhe mbarëvajtjen e tij, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e themeloi Komisionin në përbërje Bakir Burin, kryetar, Jusuf Tortoshi e Luan Salihu, anëtarë.

Vokrri e filloi karrierën e tij si futbollit me Llapin, mirëpo debutimin si futbollist profesionist e bëri me Prishtinën në vitin 1980. Karriera e tij 15-vjeçare e dërgoi atë në Partizan, Nimes, Fenerbahce, Bourges 18. Në fund të karrierës së tij, në vitin 1995, ai u pensionua në klubin Montlucon.

Pas karrierës së tij mbresëlënëse si futbollist, Vokrri e mori përgjegjësinë e pozitës së presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës më 16 shkurt 2008, dhe këtë pozitë e mbajti deri në vdekjen e tij.

Vokrri e shtroi rrugën për suksesin e treguar në Ligën e Kombeve, ku Kosova u promovua nga Liga D në Ligën C dhe e siguroi një vend në play-offs për kualifikime në Kampionatin Evropian. Falë punës së tij në FFK, Kosova u anëtarësua në UEFA dhe në FIFA në maj të vitit 2016.