Filmat kosovar në Festivalin Ndërkombëtar i Filmit në Sarajevë Filmat kosovar në Festivalin Ndërkombëtar i Filmit në Sarajevë
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Sarajevë do të mbahet mes datave 13 dhe 20 gusht, ndërsa të dy filmat do të kenë premierat kombëtare... Filmat kosovar në Festivalin Ndërkombëtar i Filmit në Sarajevë

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Sarajevë do të mbahet mes datave 13 dhe 20 gusht, ndërsa të dy filmat do të kenë premierat kombëtare në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, DokuFest, i cili po zhvillohet aktualisht në Prizren.

Festivalin Ndërkombëtar i Filmit në Sarajevë, krahas shtatëdhjetë e gjashtë filmave të tjerë, ku dyzetë e katër prej tyre do të jenë premiera botërore, do të mirëpresë edhe dy filma me bashkë-produksion kosovar. Bëhet fjalë për dokumentarin “Daullet e Rezistencës” (Drums of Resistance), me skenar nga Mathieu Jouffre dhe Besa Luci dhe me regji nga Mathieu Jouffre dhe filmin e shkurtër dokumentar“Një grusht kujtimesh (A fist of memory)”, realizuar nga Shqipdona Ademaj dhe Aid Besic në Krushevë të Maqedonisë.

Filmi “Daullet e Rezistencës” rrëfen për atë se si një shoqëri dhe një realitet paralel ishin ndërtuar në Kosovë gjatë viteve 1990. Filmi eksploron historitë e mësimdhënies nëpër shkolla, bodrume, banesa private, dyqane dhe shumë hapësira të tjera të kthyera në objekte shkollore. Është tregim mbi angazhimin shoqëror e civil si dhe aktivizimin në Kosovë që fuqizoi dhe mundësoi që jeta publike e shqiptarëve të marrë formë.

“Daullet e Rezistencës” është realizuar me mbështetjen financiare të Qendrës Kinematografike të Kosovës, QKK, Culture For all – Phase III, Fondacionit Hearterfact dhe Komunës së Prishtinës.

Në anën tjetër, siç tregon regjisorja Shqipdona Ademaj për gazetën “Zëri”, dokumentari i shkurtët“Një grusht kujtimesh” (A fist of memory) rrëfen për personazhin e quajtur Dimitri, dashurinë më të madhe të jetës së tij, familjen, fatet dhe fatkeqësitë që e kanë shoqëruar gjatë jetës, të gjitha këto janë dokumentuar e përmbledhur në albume fotografish. Të gjitha këto shpalosen në një dokumentar 22-minutash.

“Në film Dimitri rrëfen kujtimet e tij të luftës dhe dashurinë e tij të madhe dhe të pamundur. Dimitri kalon nëpër kujtimet e tij dhe herë pas here i këndon ato. ‘A Fist of Memory’ e ndjek atë teksa ai rrëfen dashurinë e tij më të madhe, të kaluarën e familjes së tij dhe fatet dhe fatkeqësitë e jetës së tij, tani të gjitha të përfshira në foto albume, të mbushura me njerëz që nuk janë më aty”, thotë Ademaj.

Filmi është koproduksion mes Kosovës, Maqedonisë e Serbisë dhe është realizuar në kuadër të projektit “Active 2”.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Sarajevë do të mbahet mes datave 13 dhe 20 gusht. Të dy filmat do të kenë premierat kombëtare në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, DokuFest, i cili po zhvillohet aktualisht në Prizren.

Sarajevo Film Festival është festivali më i madh i filmit në Ballkan dhe ndër më të mëdhenjtë në Evropë. I themeluar në vitin 1995, gjatë rrethimit të Sarajevës në luftën e pavarësisë të Bosnjës, sivjet zhvillon edicionin e 22-të dhe sikur që për çdo vit sjellë emra lokalë dhe ndërkombëtarë të filmit. /Zëri