Filmi “Zana” me dy mijë shikues për tri ditë, thyen rekord Filmi “Zana” me dy mijë shikues për tri ditë, thyen rekord
Nuk i janë dashur më shumë se tri ditë që të thyejë rekordin. Janë dy mijë shikues deri më tash që e kanë parë... Filmi “Zana” me dy mijë shikues për tri ditë, thyen rekord

Nuk i janë dashur më shumë se tri ditë që të thyejë rekordin. Janë dy mijë shikues deri më tash që e kanë parë filmin e Antoneta Kastratit, i cili erdhi premierë kombëtare të shtunën në kinemanë “Cineplexx” të Prishtinës. Me këtë ka lanë prapa alamet filmash që janë aktualisht në repertorin e kësaj kinemaje.

“Filmi vendor ‘Zana’ tashmë i ka kaluar edhe filmat hollivudianë dhe për momentin është filmi më i shikuar në ‘Cineplexx’, me mbi 2000 bileta të shitura për 3 ditë”, ka postuar të mërkurën “Cineplexxi” në faqen zyrtare në “Facebook”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ajo ka thënë se interesimi është i lartë për të parë filma vendorë.

Ajo ka treguar se deri tani filmi më i shikuar në “Cineplexx” – që sivjet në nëntor shënon trevjetorin e hapjes në kryeqytet – është filmi “2 gisht mjaltë” me regji nga Emir Khalilzadeh dhe Ermal Mamaqit, i cili njëherësh bart edhe rolin kryesor bashkë me këngëtaren Elvana Gjata. Sipas shifrave zyrtare, ky film i shfaqur për një muaj e gjysmë prej marsit, ka pasur 38 mijë e 148 shikues.

Një shifër të tillë Kajdomçaj beson se do ta arrijë edhe filmi “Zana”.

Frymëzuar nga tragjedia familjare e regjisores Antoneta Kastrati, e cila gjatë luftës humbi nënën dhe motrën e saj, “Zana” shpalos traumën e një nëne shqiptare dhe pamundësinë e saj për të ndërtuar jetën e këputur. Pesha e dhembjes nuk i lehtësohet nga rrethi familjar ku vijnë në pah trauma, ankthe, besëtytni e neuroza. Adriana Matoshi në rolin e Lumes dhe Astrit Kabashi në rolin e Ilirit, janë në qendër të rrëfimit. E bija e tyre Zana (4-vjeçare) është vrarë nga ushtria serbe. Rrethi familjar provon të ndjekë kurën tradicionale: Lumja dhe Iliri duhet të sjellin në jetë një fëmijë. Vështirësitë për të ngelur shtatzënë dhe kontrollet te mjeku nuk kryejnë punë. Këtu shfaqet vjehrra e autoritetshme, nëna e Ilirit (Fatmire Sahiti), e cila e detyron të renë që të provojë edhe kura “magjike”.

Pos Adriana Matoshit e Astrit Kabashit, luajnë dhe Fatmire Sahiti, Mensur Safqiu, Irena Cahani, Shengyl Ismajli, Vedat Bajrami, Çun Lajçi dhe Ilire Vinca.