Gazetaria hulumtuese dhe përgjimet Gazetaria hulumtuese dhe përgjimet
Aktualisht, opinioni publik po bombardohet me audio-regjistrime të fshehta që kanë përmbajtje publiko-private dhe tani ekziston një dilemë që ndërlidhet me argumentet e mësipërme:... Gazetaria hulumtuese dhe përgjimet

Aktualisht, opinioni publik po bombardohet me audio-regjistrime të fshehta që kanë përmbajtje publiko-private dhe tani ekziston një dilemë që ndërlidhet me argumentet e mësipërme: Duhet apo jo të publikohen (në tërësi) këto audio-regjistrime dhe sa dëmtohet dhe a guxon të dëmtohet jeta private e njerëzve të apostrofuar përmes këtyre publikimeve? Kur në Amerikë thuhet se epoka e adhurimit të Woodwardit dhe Bernsteinit duhet të marrë fund, atëherë çka të thuhet për rrethanat tona?

Nga Emin Azemi

Mediat e caktuara, sidomos portalet po i katapultojnë (shkrijnë) politikat e tyre të munguara editorial në storjet e servuara përmes përgjimeve që po na vijnë në rrugë e mënyra të ndryshme. Të ndenjurit para laptopit me synimin se po zbulon një ngjarje të cilën ti nuk e ke ndjekur, nuk e ke mbuluar, nuk e ke hulumtuar, paraqet një prej problemeve thelbësore me të cilin sot po ballafaqohet një pjesë e gazetarisë joprofesionale.
Ka kohë që në qarqe profesionale qarkullon një thënie se ka më shumë media sesa gazetarë, që në fakt zbërthen një të vërtetë të hidhur se gazetarët (hiq përjashtimet) sot kanë boshllëqe të mëdha profesionalizmi që ndërlidhen me mungesën e trajnimeve dhe të praktikave të marra nga përvojat më të lavdishme të gazetarëve dhe mediave që kanë bërë emër duke i kaluar të gjitha stadet e zhvillimit normal, që nga raportimi për çmimet e tregut e deri te grumbullimi i storjeve hulumtuese.
Ata që nuk mund të bëjnë dallim në mes të gazetarisë së mirëfilltë hulumtuese dhe përgjimeve, le t’i kthehen historisë së një prej aferave më të rëndësishme në glob – ‘Wotergate’, një skandal përgjimesh që u zbulua nga gazetarët e ‘Washington Post’, Bob Woodward dhe Carl Bernstein, të cilët hulumtuan burimet të shumtë që rrëzuan presidentin Riçard Nikson president “shembën” të gjithë njerëzit e e tij.
Sipas një analize të thukt që kishte bërë ‘Newsweek’, në vitin 2005, Mark Felt një ish drejtues mbi 90 vjeçar i FBI, kishte vendosur të vetidentifikohet si burimi sekret më i famshëm në historinë e gazetarisë. Të marrë së bashku dhe të vendosur në kontekst, këta burime zbulojnë jo vetëm anatominë e vërtetë të lajmit të Woodstein, por edhe një të vërtetë të rëndësishme për raportimin, që i dha “Washington Post”-it Çmimin “Pulitzer” në vitin 1973.
Botuesja e Washington Post, Katharine Graham një ditë e kishte ftuar Woodwardin për drekë, një takim që është përshkruar deri në hollësi tek “Të gjithë njerëzit e Presidentit”, sepse ishte takimi i saj i parë me njërin prej gazetarëve që po bënte që gazeta e saj të ishte e vetme në gjithë këtë histori. Me një zë që zor se ia fshihte frikën, ajo pyeti Woodwardin: “A do të dalë? Dua të them, a do të arrijmë ndonjëherë të dimë gjithçka për këtë skandal?” Woodwardit iu desh të pranojë se ai dhe Bernsteini nuk ishin të sigurt nëse misteri i Watergate do të zbulohej ndonjëherë plotësisht.

Watergate do të jetë gjithmonë një prej momenteve më të lavdishëm të mediave. Por si e tregojnë edhe dokumentet, edhe me gjithë burimet anonimë që kishin, merita për drejtësinë e dhënë duhet të ndahet me proceset ligjorë dhe atë në kongres. Por sipas epoka e adhurimit të Woodwardit dhe Bernsteinit duhet të marrë fund.

Nga përvoja gazetareske amerikane, që u dëshmua me rastin e zbulimit të skandalit Watergate, mund të nxirren mësime të vlefshme, që do t’i hynin në punë çdo gazetari, me çfarëdo përvojë qoftë ai.
E para, gazetaria e mirëfilltë profesionale, nuk mund ta pranojë një material të servuar prej kanaleve të ndryshme si “brum’’ prej të cilit do të “gatuanim’’ ndonjë produkt të caktuar mediatik, sidomos kur ai prek privatësinë e njerëzve. Gazetaria hulumtuese ka rregulla e parime të tjera, prandaj edhe përfaqëson një sistem të tërë vlerash. Është e palejueshme profesionalisht dhe e dënueshme ligjërisht që xhirimet sekrete, montimi i video-pamjeve, fotoshop-i, prezantimi i rrejshëm, audio-regjistrimi pa lejen e bashkëbiseduesit, të shfrytëzohen si material për një storje hulumtuese gazetareske.
E dyta, vetë gazetari a media vendos për temën, për protagonistët e targetuar në hulumtim, si dhe për mënyrat dhe procedurat e eksplorimit të materialit hulumtues. Fundja, ky është edhe misioni i gazetarisë hulumtuese: Që të zbulojë diçka që dikush qëllimisht e fsheh.
E treta, gazetaria e mirëfilltë profesionale e kritike, në asnjë rast dhe me asnjë kusht nuk i përvetëson rezultatet dhe të arriturat e të tjerëve, e më së paku kur ato vijnë prej burimeve anonime. Jo rastësisht kjo gazetari i përdor edhe “veglat’’ e saj të punës që i shërbejnë si teknika vetjake të hulumtimit, siç janë: intervistat, lajmet, deklaratat, anketat, reportazhet e ndryshme, hulumtimet arkivore, lundrimi në internet etj. Pra, një gazetari quhet e paanshme dhe profesionale vetëm atëherë kur produkti mediatik krijohet pas një pune të mundimshme, origjinale dhe krejt vetjake, duke i ikur plagjiaturave dhe bartjes së zbulimeve të huaja.
E katërta, dhe më e rëndësishmja, të gjitha dyshimet e ngritura në media duhet të procesohen në gjyq (kuptohet në gjyqe të pavarura) dhe vetëm atje duhet të marrin epilogun e merituar. Çdo gjyqësi tjetër, paralele, që mund të zhvillohet në publik, përmes mediave, i ngjan një linçi, ku viktima dhe kryerësi i krimit asnjëherë nuk mund të identifikohen deri në fund. Për një shoqëri normale, kjo e fundit është e papranueshme.
Afera e ashtuquajtur “Puç” që kishte ndodhur në Maqedoni para katër viteve, ka disa pikëtakime dhe dallime me aferën “Votergejt”. Spiunazhi, frikësimi, sabotimi, grumbullimi i fondeve sekrete ishte objektivi i aferës “Votergejt”, të cilën Niksoni e kishte ideuar për të neutralizuar kundërshtarët e tij politik. Te afera “Puç”, pushteti i atëhershëm mundohej të paraqitet si viktimë e “përgjimeve të paautorizuara”, por këtu nuk kishim të bënim me kurrfarë dimensioni privat të ndonjë individi. “Përgjimet e paautorizuara” zbuluan afera të rënda korruptive me përzierje direkte të pushtetarëve dhe ata që duan ta ndajnë këtë aferë në aspektin politik dhe atë juridik, kanë arsye të mbështesin njërin apo argumentin tjetër, por diçka që mbeti e “pambuluar” ishte dëmi që i bëhej shoqërisë me përvetësimet financiare për llogari personale të funksionarëve të lartë shtetëror.
Aktualisht, opinioni publik po bombardohet me audio-regjistrime të fshehta që kanë përmbajtje publiko-private dhe tani ekziston një dilemë që ndërlidhet me argumentet e mësipërme: Duhet apo jo të publikohen (në tërësi) këto audio-regjistrime dhe sa dëmtohet dhe a guxon të dëmtohet jeta private e njerëzve të apostrofuar përmes këtyre publikimeve?
Kur në Amerikë thuhet se epoka e adhurimit të Woodwardit dhe Bernsteinit duhet të marrë fund, atëherë çka të thuhet për rrethanat tona? (koha.mk)