Geder: Kompleksi “Adem Jashari” ishte sfidë dhe përvojë e madhe për ne Geder: Kompleksi “Adem Jashari” ishte sfidë dhe përvojë e madhe për ne
(Intervistë me arkitekten e memorialit “Adem Jashari”) Pak kohë më parë Ndërtimi.info kishte raportuar për gjendjen e mjerueshme të Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, gjë... Geder: Kompleksi “Adem Jashari” ishte sfidë dhe përvojë e madhe për ne

(Intervistë me arkitekten e memorialit “Adem Jashari”)

Pak kohë më parë Ndërtimi.info kishte raportuar për gjendjen e mjerueshme të Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, gjë e cila ngjalli diskutime në të gjithë vendin, rreth marrjes së menjëhershme të masave për mbrojtjen e tij.

Për herë të parë, kompania sllovene “AG-Inzinjering” për Ndërtimi.info ka sjellur në detaje të gjithë projektin duke e arsyetuar atë si një projekt, i cili afron përfaqësimin e hapësirës traumatike në mënyrën më të respëktueshme dhe më të ndjeshme. Kjo është paraqitja e parë e tyre pas shumë kritikave në drejtim të tyre.

Hana Geder, nga kompania AG-Engineering, e cila ka qenë arkitekte në projekt ka shpjeguar pikë për pikë, të gjithë hapat dhe procesin, domethënien dhe motivin rreth dizajnit të projekit 6 milionësh, raporton Ndërtimi.info.

Duke folur për fillimin e propozimeve ajo thotë se kishin organizuar një kompeticion të vogël në vitin 2014 brenda kompanisë, me qëllimin që të gjenin zgjidhjen më të mirë për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, i cili ishte një sfidë e madhe dhe një përvojë e madhe për ta. Ata ishin organizuar të punonin në pesë grupe të vogla, kështu që ata kishin marrë pesë dizajne konceptuale. Prej tyre kishin eliminuar dy, të cilat i menduan si të papërshtatshme.

Tre prej tyre i ishin prezantuan direkt investitorit (“Lehtësia si sfond”, “Koncepti i shtegut rrethor” dhe “Kopshti i jetës së përjetshme”). Bazuar në prezantim, ai kishte zgjedhur konceptin “Kopshti i jetës së përjetshme”, duke përfshirë disa elemente të konceptit “Shtegut rrethor”.
Projekti afron përfaqësimin e hapësirës traumatike në mënyrën më të respektueshme dhe më të ndjeshme. Ai përpiqet të shmangë çdo lloj ndërhyrjeje drejt ndërtesave ekzistuese dhe terrenit përreth, kështu që përvoja e hapësirës traumatike mund të mbetet autentike sa më shumë që të jetë e mundur. Pamja përfundimtare nga sytë e viktimave mbetet e paprekur. Risi është përfaqësimi i shpresës dhe qetësisë së re me simbolizmin e ‘pemës së jetës’, e cila e mundëson këtë përvojë në mënyrën më universale dhe të drejtpërdrejtë. Projekti refuzon të përdorë çdo gjuhë arkitekturore formale, për të shmangur keqinterpretimet kulturore dhe mundësinë që ajo të bëhet zyrtarisht e vjetërsuar në të ardhmen. Projekti propozon një sistem të rrjetës abstrakte që ndodhet mbi zonë, një sistem mbulimi që mbron ndërtesat dhe njëkohësisht përkrah jetën e re. Kjo jetë e re mund të përshkruhet si një park natyror ose një serë ‘plot jetë’ ku pemët dhe vegjetacioni rriten nga kjo hapësirë traumatike”, thotë ajo.

Projekti kishte vendosur në radhë të parë, një parim për të mos prekur asgjë, duke u munduar ta ruajnë ashtu siç është, kujtimin për njerëzit e humbur, dhe historinë e tij.

Sistemi i shtrimit është i butë në terrenin ekzistues, duke u përpjekur të mos prekë ndërtesat, për të shturar rrugën e vizitorëve. Vendosja e saj mbi zonën, nuk formon një shesh publik, as nuk dominon mbi tokën ekzistuese. Simbolizmi që ne propozojmë është i drejtpërdrejtë dhe universal, siç është përvoja e vdekjes dhe lindjes, të cilën përpiqemi ta bashkojmë në këtë park. Pemët po rriten nga hapësira e traumës dhe përfaqësojnë jetën e përjetshme, duke ofruar një perspektivë të re të paqes dhe shpresës së memorialit. Viktimat e rëna në Kompleksin Memorial të ‘Adem Jasharit’ përfaqësojnë sistemin e rrënjës së madhe dhe të fortë të vendit të ri të pavarur, Kosovës, që do të rritet me bollëk si pemët e reja në park. Ky kopsht përfaqëson ciklin e përjetshëm të jetës, transformimin e të gjitha viktimave të rëna në një jetë të re, lindje të re të një kombi të fortë e të pavarur”, u shpreh Geder.

Projekti do përfshijë mbrojtjen me kulmet e xhamit mbi to, të cilat shtrihen në sistemin e rrjetit të çelikut abstrakt. Një platformë shikimi është vendosur rreth shtëpisë kryesore, e cila i mundëson vizitorëve të shohin në shtëpinë nga lart. Një pavijon i ri është i vendosur në vend të shtëpisë së vogël midis shtëpisë së mysafirëve dhe ndërtesës së gjatë. Shtëpia e Hamitit ka konceptin e ngjashëm të mbulimit si kompleksi kryesor. Mbi shtëpinë ekzistuese është vendosur një platformë, e cila lejon vizitorët të ecin mbi të dhe të shohin në shtëpi nga lart. Një ndërtim i ri çeliku është vendosur në rrënojat e shtëpisë së Smajlit, e cila përfaqëson shtëpinë që qëndronte atje.

Pika tjetër kyqe është ruajtja. Në planin e konservimit ata ekspozojnë 3 çështje kyçe:
Çfarë është origjinali, si është gjendja e materialeve të tij dhe si ta ruajmë atë?

Duke folur rreth kësaj, Geder thotë: “Plani lidhet me 7 objekte të kompleksit Jashari: 1. Shtëpia kryesore; 2. Shtëpia e dytë; 3. Shtëpia e mysafirëve; 4. Oborri i shtëpisë kryesore; 5. Shtëpia e Smajlit, 6; Shtëpia e Hamitit dhe 7. Bunkeri. Gjendja e monumenteve është dokumentuar në tetor 2014 me teknologjinë 3D dhe dokumentacionin fotografik, të gjitha tipet e dëmeve janë kontrolluar. Gjendja e materialeve përshkruhet për secilën ndërtesë në seksionin e përmbledhjes së përbërësve të monumentit”.

Dëmet përfshijnë çelikun e oksiduar, çarje në mure dhe fasada, struktura të dëmtuara te betonit, druri i dëmtuar, pllakat e kulmit, gdhendjet, grafitet, hiri, plumbat, hapje të mëdha në mure, fasada të dëmtuara dhe pajisje të tjera të familjes. Për çdo lloj dëmtimi, teknologjitë e ruajtjes do të aplikohen për të siguruar mbrojtje dhe do të bëhen ndërhyrjet e konservimit (dhe riparimit strukturor).

Siç tregon Geder, sasia e dëmeve është përcaktuar në anketën e dëmeve. Pas përfundimit të punimeve të ruajtjes, duhet të sigurohet mirëmbajtja e nevojshme, për këtë qëllim plani i mirëmbajtjes sugjeron metodën e ruajtjes për gjendjen më të mirë të saj.

Pika e tretë por jo më pak e rëndësishme është projektimi i peisazhit. Geder tregon se projekti përfshin dizajnimin e peisazhit të të tre lokacioneve për kompleksin memorial të Adem Jasharit duke ndjekur hartimin e përzgjedhur konceptual të pemës së jetës.

Me përfundimin e dizajnit të propozuar, kompleksi do të fitojë mbrojtje të përsosur për shtëpitë dhe vlerën e shtuar për vendet përkujtimore – me simbolizmin e bimëve në rritje, do të shfaqet si një metaforë konkrete e lirisë, progresit dhe rritjes. Asfaltimi i unifikuar lidh të tre vendet në një unitet, i hedhur butësisht në vendin ekzistues me korrigjime minimale të terrenit. Bimët e ngritura janë lajmëtari më i rëndësishëm i simbolizmit – për viktimat, të mbijetuarit dhe kombin e ri. Bimë dhe pemë zbukuruese përfundojnë gjithë historinë me hapësirat sublime që krijojnë. Ecja mes tyre dhe pushimi nën pemë do t’u lejojë vizitorëve të ndjejnë përvojën e kompleksit përkujtimor dhe të përvetësojnë rëndësinë e kësaj zone dhe veprimet e familjes Jashari”, shprehet përfaqësuesja e kompanisë, Hana Geder.

Bazuar në dizajnin konceptual të zgjedhur kompania ka përgatitur fazën e planifikimit të ekzekutimit dhe si dizajni konceptual ashtu edhe faza e planifikimit të ekzekutimit i janë dorëzuar investitorit në formë dixhitale dhe kopje fizike./ndertimi.info/