Mediat gjermane ende nuk e kanë harruar eliminimin e kombëtares së tyre nga Franca në Euro 2016 dhe tashmë shkruajnë se kombëtarja e Didier...

Mediat gjermane ende nuk e kanë harruar eliminimin e kombëtares së tyre nga Franca në Euro 2016 dhe tashmë shkruajnë se kombëtarja e Didier Deschamps ka përdorur substanca që kanë ndihmuar në rritjen e performancës së tyre të paktën në ndeshjen gjysmëfinale.

Dy golat e Antoine Griezmann në Marsejë rrëzuan shpresat e Gjermanisë për trofeun e radhës të madh pas triumfit në Kupën e Botës në Brazil.

Gazeta gjermane Bild u lejua të futej në dhomat e zhveshjes të Francës atë natë dhe më pas publikoi dy foto nga një paketë bosh të tabletave “Guronsan”, të cilat nuk janë në listën e substancave të ndaluara nga Agjencia Botërore Anti-Doping, por megjithatë, sipas gjermanëve, shërbejnë në rritjen e performancës.

Një ekspert gjerman i dopingut, Fritz Sorgel, edhe pse pranon se këto substanca nuk janë të ndaluara nga WADA, kjo agjenci thotë se çdo përpjekje për të fituar përparësi fizike mbi rivalët konsiderohet doping. “Për mua, për këtë arsye, mund të quhet doping. Kjo është e provuar, këto substanca rrisin shpejtësinë e reagimit”, ka thënë Sorgel./TopChannel