Globalizimi, migrimet dhe shqiptarët Globalizimi, migrimet dhe shqiptarët
Chomsky ka bërë një përkufizim interesant sa i takon globalizimit si proces: “Globalizimi nuk është një fenomen natyror, por një fenomen politik i ngjizur... Globalizimi, migrimet dhe shqiptarët

Chomsky ka bërë një përkufizim interesant sa i takon globalizimit si proces: “Globalizimi nuk është një fenomen natyror, por një fenomen politik i ngjizur për të arritur objektiva të mirë përcaktuara”.

Nga: Festim Pollozhani

Popuj të ndryshëm në kohë të ndryshme i kanë provuar efektet e globalizimit si proces dhe së këndejmi edhe elementet pozitive dhe negative që vijnë si rrjedhojë e këtij fenomeni, lexo procesi. Popuj të mëdhej dhe të vegjël, efekte të ndryshme, por në thelb të njejta dhe nga ky këndvështrim shtrohet pyetja të cilën me të drejtë e ka shtruar ish presidenti uruguajan Jose Mujica: “Po e qeverisim apo po qeverisemi nga globalizimi”?

Në fakt, kuptimi modern i termit “globalizim” është i vonshëm dhe njëri nga katër aspektet bazë është migrimi, lëvizja e njerëzve dhe përhapja e njohurive kurse njëra ndër tre zonat e globalizimit është globalizimi politik. Si rrjedhojë cili është efekti pozitiv i migrimit të një populli, a mund të përdoret migrimi edhe si urë lidhëse komunikimi, pse jo edhe ndikimi politik në vendin e origjinës.

Shembuj ku takohen këto dy pika mund të ketë shumë, por një shembull që lidhet me shqiptarët është impakti i miqësisë mes Nënë Terezës dhe ish presidentit amerikan Clinton, një misionare shqiptare nga Shkupi dhe një president amerikan me origjinë irlandeze. “Biri im, bëj dicka për shqiptarët e mi“ – kanë qenë fjalët e Nënë Terezës drejtuar Clintonit dhe dihet rjedha e mëvonshme e ndikimit të SHBA-ve, bazuar kjo edhe në vetë fjalët e ish presidentit: “Nënë Tereza ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar, ndihem krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Nuk mund të tërhiqen paralele dhe të bëhen krahasime të njëtrajtshme, por një pikë referimi ekziston. Nëse i marim migrimet në SHBA si pikë referimi, si vendi kulminant i globalizimit, mund ta shohim edhe mundësinë e ndikimit politik të popujve që kanë migruar atje, lexo lobeve, individëve.

Dihet migrimi i gjermanëve në SHBA, migrim i kushtëzuar nga arsyet politike dhe ekonomike. Cili është rezultati i këtij migrimi? Një numër i madh personalitetesh nga fusha të ndryshme. Një lob i fuqishëm gjerman ka bërë që SHBA – të një kohë të gjatë të jenë edhe nën ndikimin e politikanëve me origjinë gjermane, si pika kulminante ish presidenti Eisenhower apo presidenti aktual Trump , pastaj ndikimi në politikën globale i një numri të madh politikanësh, me theks diplomati i njohur Henry Kissinger i lindur në Bavari të Gjermanisë (hebraik) që për një kohë të gjatë ka pasur ndikim në gjeopolitikë.

Është e qartë se impakti i individëve, lobit ose personaliteteve politike shqiptare nga ky këndvështrim nuk mund të krahasohet me impaktin e popujve më të mëdhenj, që njihen për migrime masive, por as nuk mund të anashkalohen arritjet në këtë drejtim. Po mar shembull nga më shumë fusha duke filluar me artistët holivudianë Jim dhe John Belushi, ose Eliza Dushku (që në njërin nga filmat e saj shfaqet me simbolin kombëtar të shqiptarëve), pastaj Andoni Athanas një sipërmarrës shqiptaro – amerikan, pronar i një rrjeti restoranesh të famshme të parapëlqyera nga personalitete të rëndësishme si ish presidenti JFK, senatori Ted Kennedy, ylli i Hollywoodit Elizabeth Taylor apo boksieri Mohammed Ali, dhe me sa kam lexuar ndikimi i tij bëri që kur dikush prezantohej se është shqiptar, reagimi nga ana tjetër të ishte: “Oh, si Andoni Athanas”. Nga fusha e shkencës diferencën e bën nobelisti me famë botërore Ferid Murad që absolutisht reflekton lidhur me imazhin e shqiptarëve. Personalitet i rëndësishëm politik padyshim se është Joseph Dioguardi, për më tepër një arbëresh, themelues i Lidhjes Qytetare shqiptaro-amerikane, me impakt shumë të rëndësishëm në lidhje me çështjen shqiptare sidomos në vitet e 90’ kur shqiptarët ishin në gjendje kritike të organizimit politik.

Shembuj këto, që flasin se migrimet kanë edhe anën pozitive, atë të ndërtimit të urave të komunikimit, të lidhjes, të ndikimit politik apo tjetërfare nga pozita të ndryshme por me qasje të njejtë. Efektet e globalizimit janë të paparashikueshme, imagjino, para një shekulli shqiptarët si një ndër popujt më të vjetër, padrejtësisht nuk kishin shtet administrativ të pavarur dhe sot pas një shekulli, kemi dy shtete të pavaruara dhe strumbullare që frymojnë shqip me tendencë për tu orientuar kah fryma perëndimore. Sepse, globalizimi ndikon shumë në gjeopolitikë. Absolutisht që fryma e globalizimit që duhet ti përfshijë shqiptarët është fryma perëndimore sepse natyrshëm aty përkasim si komb, të mos tingëllojë prepotente por edhe si ndikim gjeopolitik. Çdo frymë tjetër është e panatyrshme.

Thënia se: “guri i rëndë peshon në vendin e vet”, absolutisht që mund të sfidohet me thënien: “gurin mund ta hedhësh në ujë, por në brendësi do të mbetet i thatë”. Ashtu duhet të ndodhë edhe me shqiptarët dhe vetëdijen kombëtare të tyre, si pikë për ndikim kudo që ata ndodhen. Hapi sytë Shqipëri, kudo që ndodhesh. (koha.mk)