Prof. Dr. Lisen Bashkurti për sovrani.info Sapo mbaroi takimi i lidershipit shqiptar me komisionarin per Zgjerim te BE, Johanes Hahn. Ne tryezën e gjithë...
Prof. Dr. Lisen Bashkurti për sovrani.info
Sapo mbaroi takimi i lidershipit shqiptar me komisionarin per Zgjerim te BE, Johanes Hahn. Ne tryezën e gjithë takimeve ishin ecuria e zbatimit të pesë prioriteteve të vendosura për Shqipërinë nga BE.
Nga një lider tek tjetri, nga një titullar institucioni tek tjetri, nga njëra media tek tjetra të gjithë dëgjuam si një lajtmotiv rituali gregorian tog-fjalëshin “pesë prioritetet”. Pak dhe aspak qytetaret dëgjuan se cilat janë në të vërtetë këto “pesë prioritete”. Ndaj le t’i renditim edhe njëherë:
1. Mbi administratën publike. Tranzicioni i tejzgjatur ka dëmtuar shumë rënde administratën publike të Shqipërisë. Goditjet e motivuara politike, ndryshimet ligjore dhe strukturore, mos investimi në kapacitete njerëzore dhe shpërdorimi edhe i atyre ekzistuese, vlerësimi i dobët financiare e kanë lënë vendin me një administratë shumë të dobët, të politizuar, të paqëndrueshme dhe të pa profesionalitetit. Kjo gjendje e dobët e administratës shtrihet në nivele qendrore dhe vendore.
Administrata publike e motivuar politikisht dhe pa profesionalitet është një nga pengesat më serioze në vend për zbatimin e ligjit. Sfida mbetet në proces….
2. Reforma në drejtësi.
Shqipëria po e mbyll tranzicionin me reformën në drejtësi, me të cilën në fakt do të duhej ta niste atë përpara 25 vitesh. Për një çerek shekulli shqiptarët përjetuan sfida të mëdha transformimesh, kriza ciklike te çdo natyrë, ulje-ngritje sociale dhe ekonomike pa pasur një sistem drejtësie të pavarur, me integritet dhe profesional. Merret me mend sesi janë përballur qytetarët shqiptar për të kërkuar dhe për të marrë drejtësi nga një sistem i politizuar, i korruptuar dhe i paditur. Tranzicion pa drejtësi. Shtet të së drejtës pa drejtësi. Sundim ligji pa drejtësi. Liri dhe të drejta njeriu pa drejtësi. Liri pronë dhe biznesi pa drejtësi. Me pak fjalë: Demokraci pa Drejtësi. Kjo gjendje mjerane prodhoi kaos poshtë në shoqëri dhe autoritarizëm kleptokratik lart në krye të politikës dhe të shtetit. Sfida mbetet e hapur…
3. Lufta kundër krimit të organizuar. Një nga njollat më të zeza të tranzicionit në Shqipëri është instalimi i krimit të organizuar. Thuajse të gjitha figurat e krimit të organizuar në nivel nacional dhe trans-nacional kanë “lulëzuar” në Shqipërinë e tranzicionit. Drogat, armët, qeniet njerëzore, paratë e pista dhe derivatet e tyre kanë gjetur në Shqipërinë e 25 viteve mjedise të përshtatshme, pa kurrfarë rezistence kundër tyre dhe madje me mbështetje kleptokratike nga lart. Shkëputja e Shqipërisë nga harta e krimit te organizuar është një nga sfidat më serioze të vendit edhe për shumë kohë që do vijnë. Beteja mbetet e hapur…
4. Lufta kundër korrupsionit. Më shumë se çdo problem tjetër, ekzistenca e korrupsionit në tëra nivelet ka gërryer besimin e qytetarëve ndaj shtetit dhe respektin e tyre ndaj politikës. Shqipëria e 25 viteve të tranzicionit u bë simbol i korrupsionit më famëkeq në Ballkan. Kultura e pandëshkueshmërisë fitoi të drejtën e qytetarisë. Administata publike, institucionet politike, sistemi i drejtësisë, madje edhe disa media dhe OJF u infektuan nga afera korruptive tronditëse. Tani shoqëria duhet ta pastroje këtë ves imoral. Por vesi vdes me njeriun. Edhe korrupsioni vdes me mbylljen e tranzicionit. Procesi vazhdon…
5. Te drejtat e njeriut. Janë një prej kolonave themelore të demokracisë. Gjithashtu janë akoma ëndrra të parealizuara për shqiptarët. Pa hyrë në gjithë dimensionet e lirive dhe të drejtave të njeriut mund të përmendim vetëm dy prej tyre: e drejta e votës dhe e drejta e pronës. E drejta e votës së lirë dhe të ndershëm mbetet akoma ëndërr e cunguar për qytetarët shqiptar. E drejta e pronës po shndërrohet në një rekord negativ për shtetin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut….Çdo betejë po e fitojnë individët dhe po  humbet shteti. Sfida të mëdha dhe të rënda…
I vene përballë këtyre pesë prioriteteve për Shqipërinë në proces e sipër, komisionari i BE përsëriti të njëjtat sugjerime: dialog dhe gjithë përfshirje. Pak shpresa. Akoma më pak buzëqeshje. U mbars mali dhe polli një mi.
Amerikanët kanë shumë të drejtë kur thonë: “Do it by yourself people!”. Shqiptarët duhet t’i kryejnë vete punët e tyre. Ndryshe do përballen me sfida të pafund.