Dy figura të tjera, mjaft me rëndësi në botën e shkencës, Eni Kanon dhe Amina Fleming, që sjellin dy përvoja të tjera jetësore po...

Dy figura të tjera, mjaft me rëndësi në botën e shkencës, Eni Kanon dhe Amina Fleming, që sjellin dy përvoja të tjera jetësore po aq këmbëngulëse dhe po aq luftarake në mënyrat e tyre, vijnë në skenë nga Jonida Beqo dhe Verjana Abazaj.

“Qiell i heshtur”, çel Festivalin Mbarëkombëtar të Komedisë “KoKo Fest” në Korçë. Komedia romantike e Teatrit Metropolit, e vënë në skenë nga regjisorja Armela Demaj është shfaqja e parë, që çel edicionin e tretë të festivalit, në datën 4 shtator, ora 19:30.

“Qiell i heshtur”, e shkruar nga autorja amerikane Loren Gunderson, flet për jetën mahnitëse të astronomes Henrieta Levit; një nga astronomet e para në Harvardin e 1900-ës dhe grave të tjera që realizuan hartën e yjeve në univers, vjen për herë të parë premierë në Shqipëri. Këmbëngulja, energjia, pasioni dhe vizioni e bëjnë një vajzë të brishtë nga Bostoni të ndjek ëndrrën e saj.

“Qiell i heshtur” është një ndodhi njerëzore, që i flet shoqërisë, dje dhe sot. Është nje vepër, që trajton marrëdhëniet familjare, besimin në fuqinë e mendjes dhe shpirtit, mbështetjen dhe solidaritetin, këmbënguljen për të kërkuar dritë në thellësitë e pandriçuara dhe mënyra shprehëse të reja me qëllim një pamje më të qartë dhe kontribut në begatinë e njeriut.

Ngjarja zhvillohet kryesisht në Observatorin e Harvardit dhe skena dominohet nga prania e yjeve, pasionit të njerëzve që e duan punën dhe dashurisë së tyre për njëra-tjetrën. Puna dhe pasioni i Levit, vuri themelin astronomik të matjes së distancës së dritës në univers dhe provoj se universi nuk ishte thjesht galaktika Udha e Qumështit, siç supozohej deri në atë kohë. Me punën e saj dhe të kolegëve, Henrieta, lufton kundër stereotipeve për aftësitë dhe kontributet e grave në fushën e shkencës. Henrieta Levit, është një figurë femërore që ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në botën astronomike, studimet e së cilës kanë shërbyer për vazhdim të eksplorimeve nga shkencëtarë të tjerë, vjen në skenë nga aktorja Nigela Ruka.

Margarita, është motra e Henrietës, një vajzë e devotshme, që jeton sipas rregullave të komunitetit dhe kujdeset për pjesëtarët e familjes ndërkohë, që nuk lë pianon dhe kompozimet pas dore, vjen në skenë nga Sonila Kapidani.

Edicioni i tretë i “KoKo fest” në Teatrin e Korçës, pret trupa të ndryshme nga Shqipëria, Maqedoni dhe Kosova në datat 4-17 shtator.