Imeri: Çmimi i sigurimit të veturave në kundërshtim me politikat e konkurrencës Imeri: Çmimi i sigurimit të veturave në kundërshtim me politikat e konkurrencës
Kompanitë e sigurimeve që operojnë në Kosovë kanë ndërmarrë prej disa javësh iniciativën për t’i rritur çmimet e sigurimit të automjeteve. Kërkesën për rritje... Imeri: Çmimi i sigurimit të veturave në kundërshtim me politikat e konkurrencës

Kompanitë e sigurimeve që operojnë në Kosovë kanë ndërmarrë prej disa javësh iniciativën për t’i rritur çmimet e sigurimit të automjeteve. Kërkesën për rritje të çmimeve e ka kundërshtuar Autoriteti Kosovar i Konkurrencës duke thënë se kjo kërkesë bie ndesh me politikat dhe Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kosova të Konkurrencës (AKK), Sakip Imeri, në një intervistë për Ekonomia Online po thotë se unifikimi i çmimeve të primit të TPL-së është në kundërshtim me parimet e konkurrencës në një treg të lirë.

Ai thotë se i kanë sugjeruar BQK-së të bëhen veprime individuale nga kompanitë e sigurimit për mënyrën dhe masën se sa dëshirojnë të rrisin çmimet.

“Diku në muajin korrik ka filluar një hetim, marrje e informatave, një hulumtim i informatave rreth bashkëpunimit të kompanive të sigurimit për vendosjen e një çmimi unik apo rritjen e çmimit. Në muajin gusht kemi marrë një kërkesë nga BQK-ja që të ofrojmë një opinion për propozimin që të rritet çmimi i sigurimit në 36.56 për qind”.

Ai thotë se Banka Qendrore e Kosovës si autoritet rregullator i industrisë së sigurimeve duhet të përkujdeset që Kompanitë e sigurimeve të konkurrojnë me çmime dhe cilësi të shërbimeve që ato ofrojnë.

“Unifikimi i çmimeve të primit të TPL-së është në kundërshtim me parimet e konkurrencës në një treg të lirë. Banka Qendrore e Kosovës duhet të miratojë tabela të individualizuara mbështetur në analizën e riskut sipas strukturës/portofolit të Kompanive të Sigurimit, karakteristikave të produktit dhe strukturës së sigurimeve të secilit ofrues të sigurimeve. Pasi që kompanitë e sigurimeve në Republikën e Kosovës, aktualisht mbajnë çmime të njëjta, Autoriteti sugjeron që të njëjtat të jenë bazuar në kushtet e tregut, ofertë – kërkesë, e rrjedhimisht edhe përcaktimi i çmimit të bëhet nën këto kushte”, thotë ai për Ekonomia Online.

“Çmimi i primit është përgjegjësi edhe e BQK-së që të lejojë rritjen ose ndryshimin e çmimeve, por rekomandohet që aktuarët  e kompanive të bëjnë vlerësime individuale të kompanive sipas performancës së kompanive. Duhet të merret parasysh kapacitetet e kompanive, strategjitë e shitjes së tyre, parametrat, lloji i automjeteve, karakteristikat që duhet të merren parasysh për krijimin e grupeve të tjera të sigurimeve që pastaj secili duhet të paguaj varësisht prej kategorive që përcaktohen dhe analizat e propozimet që vijnë e të cilat më pastaj duhet t’i miratojë BQK-ja”.

Imeri në këtë intervistë ka folur edhe për prioritetet e tij me marrjen e detyrës së re në krye të AKK-së.

“Një ndër prioritetet është krijimi i një aplikacioni përkatësisht një sistemi që do të menaxhoj punën e autoritetit, krijimi i një strukture organizative dhe krijimi i një mundësie që të gjitha aktivitetet e AKK-së të jenë brenda një sistemi aplikativ që do t’i menaxhojë të gjitha punët dhe rastet. Pjesa tjetër që është synim parësor, ngritja e kapaciteteve dhe ngritja e tyre në aspektin profesional dhe përkrahja me buxhet dhe përmes ndërkombëtarëve. Qëllimi i krijimit të këtij aplikacioni ose kësaj vegle e cila do të lehtësojë punën e zyrtarëve të AKK-së do të jetë në funksion apo i ndërlidhur edhe me institucionet dhe me bizneset”, thotë ai për Ekonomia Online.