Institucioni i Kosovës blen fotele masazhuese Institucioni i Kosovës blen fotele masazhuese
Të paktën dy fotele me mundësi masazhimi pritet të dërgohen në Agjencinë e Shërbimit të Navigimit Ajror. Më 30 gusht, kjo agjenci shtetërore ka... Institucioni i Kosovës blen fotele masazhuese

Të paktën dy fotele me mundësi masazhimi pritet të dërgohen në Agjencinë e Shërbimit të Navigimit Ajror.

Më 30 gusht, kjo agjenci shtetërore ka hapur tender për disa lloje fotelesh, mobilierish e madje edhe shtretër. Tenderi kap vlerën prej 36 mijë euro.

Sipas AShNA-s, fotelet janë blerë për kontrollorët ajrorë.

“Vlen të theksohet se Kontrollorët e Trafikut Ajror ofrojnë shërbim 24 ore / 7 dite ne jave / 365 dite ne vit dhe ky profesion kategorizohet një nder profesionet me te vështira dhe stresuese, mu për këtë arsye parakusht per te ushtruar detyrën e kontrollorit te trafikut ajror është edhe plotësimi i kritereve mjekësore te parapara me rregulloret vendore dhe ato ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjet e AShNA-s.

Sipas tyre me Ligjin për Aviacionin Civil kërkohet që Kosova të përmbush standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ONAC, ang. ICAO) dhe është ka paraparë lloji i certifikatës mjekësore me të cilën do të duhej të pajisej një kontrollor i trafikut ajror për të ushtruar privilegjet e licencës.

Ata shtuan se duhet që kontrollorëve ajrorë t’i ofrohen edhe kushte të tjera të avancuara të punës.

Në Agjencionet simotra në rajon dhe me gjerë, kontrolloreve te trafikut ajror per shkak te stresit ne pune i ofrojnë kushte edhe me avancuara se sa ky inventar qe ne kemi planfikuar ta blejmë per ta gjate këtij viti. Agjencionet simotra iu ofrojnë dhoma fitnesi, dhoma relaksi, pishina, sauna, pushime rekreative verore dhe dimërore etj, kushte te cilat tani per tani ne si Agjencion nuk kemi mundësi t’i ofrojmë, por si pikënisje kemi konsideruar qe me artikujt e lartpërmendur sadopak t’ia bëjmë më të lehtë dhe më praktik vendin e punës kontrolloreve të trafikut ajror të Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Ata kanë bërë të ditur se artikujt do t’i kenë në shfrytëzim vetëm Kontrollorët e Trafikut Ajror që momentalisht janë vetëm 24 në tërë Kosovën.

Në dosjen e tenderit thuhet se furnizimi po bëhet për “sigurimin e kushteve më të mira të mjedisit të punës për kontrollin e trafikut ajror”.

Ata kanë kërkuar dy fotele ergonomike masazhuese, dy fotele shtrirëse, 60 kabinete(vitrina), 8 karrige ekonomike, një kuzhinë, dy shtretër njësh, dy ulëse treshe me dy pozicione.

AShNA ka bashkangjitur edhe fotografi të produkteve dhe specifikat e tyre.

Për fotelet masazhuese, ky institucion po kërkon “Të ofrojë masazhim të këmbëve, shputave, shpinës, duarve, shpatullave, qafës dhe kokës”, mundësinë e nxehjes së foteles e të tjera.

Fotoja që AShNA e ka përdorur për ta ilustruar fotelen që kërkojnë ta blejnë

 

Për fotelen shtrirëse është kërkuar teledirixhuesi për lëvizje, të mbajë person me peshë deri në 140 kilogramë, e të tjera.


Fotoja që AShNA e ka përdorur për ta ilustruar fotelen që kërkojnë ta blejnë

Ata kanë kërkuar kolltuk me mundësi shtrirje të këmbëve dhe lëkurë kualitative.


Fotoja që AShNA e ka përdorur për ta ilustruar kolltukun që kërkojnë ta blejnë

Ofertat për këtë tender janë të hapura deri më 20 shtator të këtij viti.

Në prill të vitit 2018, “Jeta në Kosovë” kishte transmetuar hulumtimin mbi koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ nga kompania Limak.

Brenda ishin trajtuar parregullsitë në Agjencinë Shtetërore për Navigim Ajror që përfshijnë edhe punësimet e familjarëve të drejtuesve të kësaj agjencie.