”Ka dështuar procesi i legalizimeve në të gjithë Kosovën” ”Ka dështuar procesi i legalizimeve në të gjithë Kosovën”
Ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje që ka hyrë në fuqi në fillim të vitit 2014 nuk ka arritur që të përmbush qëllimin... ”Ka dështuar procesi i legalizimeve në të gjithë Kosovën”

Ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje që ka hyrë në fuqi në fillim të vitit 2014 nuk ka arritur që të përmbush qëllimin e vet. Kësisoj procesi i nisur dy vjet më parë për legalizimin e ndërtimeve pa leje në Kosovë ka dështuar, njofton kumtesa nga Ec ma ndryshe.
Të dhënat e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përkatësisht raporti nga Komunat për fazën e parë të Regjistrit si dhe fazën e dytë të aplikimit për legalizim (Kategoria I, II dhe III e ndërtimeve) tregojnë se janë regjistruar afër 353 mijë ndërtime pa leje, ndërkohë që janë vetëm afër 8 mijë e 500 aplikime për legalizim (duke përfshirë këtu 6 mijë aplikime nga procesi i vitit 2010 në Komunën e Prishtinës)

Sipas Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje, qytetarët kanë pasur 6 muaj afat që ti dorëzojnë aplikimet për legalizim. Periudha e aplikimit pat përfunduar më 16 mars 2016. Ndërkohë legalizimi parashihej të përmbyllej në vitin 2017, transmeton koha.

Në bazë të raportit të sipërpërmendur në Komunën e Prishtinës janë regjistruar mbi 46 mijë ndërtime pa leje dhe janë mbi 6 mbi 600 aplikime për legalizim (me mbi 6 mijë aplikime të vitit 2010). Në Komunën e Prizrenit janë regjistruar afër 28 mijë ndërtime pa leje dhe janë vetëm 72 aplikime për legalizim. Në Komunën e Ferizajt janë regjistruar afër 33 mijë ndërtime pa leje dhe janë mbi 260 aplikime për legalizim.

Në Komunën e Gjakovës janë regjistruar 8 mijë e 500 ndërtime pa leje dhe janë mbi 190 aplikime për legalizim. Në Komunën e Gjilanit janë regjistruar mbi 32 mijë ndërtime pa leje dhe janë mbi 190 aplikime për legalizim. Në Komunën Mitrovicë e Jugut janë regjistruar mbi 8 mijë ndërtime pa leje dhe janë rreth 40 aplikime për legalizim. Ndërkaq në Komunën e Pejës janë regjistruar 13 mijë e 500 ndërtime pa leje dhe janë mbi 110 aplikime për legalizim. (Lista me të dhënat nga komunat tjera është e bashkëngjitur).

Këto të dhëna, qartazi çojnë kah përfundimi se procesi aktual i legalizimit të ndërtimeve pa leje nuk ka sjellë rezultatet e pritura. EC Ma Ndryshe konsideron se nisja e këtij procesi pa një hulumtim të mirëfilltë paraprak, pa përfshirjen e akterëve të duhur dhe pa transparencë të plotë e sqarimet e duhura ka sjellë me vete edhe dështimin e tij.