Papunësia në eurozonë bie në shkallën më të ulët që nga viti 2008. Niveli i papunësisë në eurozonë ka shënuar rënie, pavarësisht shqetësimeve mbi...

Papunësia në eurozonë bie në shkallën më të ulët që nga viti 2008. Niveli i papunësisë në eurozonë ka shënuar rënie, pavarësisht shqetësimeve mbi mosmarrëveshjet për tregtinë botërore. Niveli prej 7.5% është parë për herë të fundit para krizës financiare të vitit 2008, shkruan Deutche Welle, transmeton Gazeta Blic.

Papunësia në eurozonë ka rënë në 7.5% në muajin Maj, nivel ky më i ulëti i regjistruar që nga korriku i vitit 2008, raportoi të hënën agjencia evropiane e statistikave Eurostat.

Të dhënat treguan se numri i të papunëve në 19 vendet përdoruese të monedhës euro ishte 12.3 milion. Shkalla e papunësisë për të 28 shtetet anëtare të BE-së ishte 6.3% në maj 2019, 6.4% në prill, ndërsa 6.9% në Maj 2018. Ky është edhe niveli më i ulët që kur është filluar të mblidhen të dhënat brenda bllokut në vitin 2000.

Republika Çeke (2.2%), Gjermania (3.1%) dhe Holanda (3.3%) kishin shkallën më të ulët të papunësisë në BE. Nivelin më të lartë të papunësisë del ta ketë Greqia (18.1% në mars 2019), Spanja (13.6%) dhe Italia (9.9%). Pavarësisht nivelit të lartë të papunësisë në Greqi dhe Spanjë, të dyja vendet patën rënie në shkallën e papunësisë prej 2%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Shkalla e papunësisë së të rinjve në maj të vitit 2019 mbeti e lartë, me 14.3% në të 28 shtetet anëtare të BE-së dhe 15.7% në pjesën më të vogël të eurozonës, krahasuar me 15.1% dhe 17.0%, respektivisht në maj 2018.

Shkalla më e ulët e papunësisë së të rinjve ishte regjistruar në Gjermani (5.1%) dhe në Holandë (6.3%), ndërsa më e larta ishte regjistruar në Greqi (40.4% në Mars 2019), Spanjë (31.7%) dhe Itali (30.5%), ku të rinjtë u goditën nga kriza globale financiare e vitit 2007-2008)./Gazeta Blic