Kolapsi i Shengenit sinjalizon dështimin e BE-së Kolapsi i Shengenit sinjalizon dështimin e BE-së
Patrick Moore ekskluzivisht për sovrani.info “Bashkimi Evropian drejtë të cilit aspirojnë të gjitha vendet e Ballkani, tashmë ka humbur forcën magjike të joshjes”, kishte... Kolapsi i Shengenit sinjalizon dështimin e BE-së

Patrick Moore ekskluzivisht për sovrani.info

“Bashkimi Evropian drejtë të cilit aspirojnë të gjitha vendet e Ballkani, tashmë ka humbur forcën magjike të joshjes”, kishte thënë kryeministri i Serbisë, Aleksander Vuqiç, në një tubim të këtyre ditëve në Londër. Ai kishte shtuar se të gjitha vendet ballkanike megjithatë ende “synojnë anëtarësimin në BE, pavarësisht që Brukseli më nuk është ëndërr e madhe siç ishte në të kaluarën”.  Vetëm disa ditë më vonë presidenti i Republikës Çeke (Zeman) u angazhua për një referendum, përmes të cilit çekët do të deklaroheshin nëse duan daljen nga Bashkimi Evropian. Britania e Madhe gjithashtu është në rrugën drejtë daljes nga Bashkimi Evropian. Çfarë ka ndodhur që vala e kërkesave për dalje nga familja e madhe evropiane të shtohet, ndërsa aspirantët për anëtarësim të thonë se Brukseli më nuk është joshës?

Shkaqet janë të shumta dhe rrjedhimisht nuk është shumë e vështirë ta kuptosh esencën e çështjes. Në Britaninë e Madhe më shumë se 50 për qind e popullatës dëshirojnë daljen (Brexit) nga Bashkimi Evropian. Duket se fragmentimi në dukje i Bashkimit Evropian ka rrënjët te preokupimet e ndryshme dhe specifike me të cilat vendet anëtare ballafaqohen. Britania e Madhe aktualisht ballafaqohet me dilemën e madhe të mbetjes ose daljes nga familja evropiane…, por jo edhe Gjermania e cila është e preokupuar me formën e integrimit të valës më të madhe migruese që nga Lufta e Dytë Botërore. Franca ashtu si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vështron veten nga këndi i vendit në luftë me terrorizmin islamik. Italia synon të ruaj ndikimin në Bruksel, pikërisht në çastet e një fluksi të jashtëzakonshëm të refugjatëve në këtë vend dhe vështirësive që Roma ka me valutën e përbashkët evropiane. Lista e vendeve me preokupime dhe vështirësi specifike nuk ka të ndalur….dhe kjo bënë që ato të distancohen nga politikat e përbashkëta të Brukseli dhe të fokusohen te çështjet e brendshme.

Këtë zhvillim shumë vite më parë e kishin sinjalizuar liderët realist evropian, siç ishin kryeministrja britanike Margaret Thatcher ose ish presidenti çek, Vaclav Klaus. Ata kishin thënë se Bashikimi Evropian është i përbërë nga vendet sovrane, që në fund të fundit, do të mbrojnë interesat e veta kombëtare. Thatcher dhe Klaus disa herë kanë përsëritur se është utopi që Bashkimi Evropian të shihet si mbishtet dhe se idetë utopike përfundojnë me dështime.

Një zhvillim i këtyre ditëve në Vjenë dëshmoi hutinë dhe konfuzion që ka përfshirë Bashkimin Evropian. Austria kishte ftuar një tubim me vendet ballkanike nga Shqipëria, Kosova, Bosnja, Bullgaria, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi për të debatuar çështjen e fluksit të refugjatëve. Gjermania, Greqia dhe Komisioni Evropian protestuan që nuk ishin ftuar, por mikpritësit kishin thënë se vendet pjesëmarrëse ishin të lodhura nga dështimet e Greqisë për të kontrolluar kufijtë dhe nga pritja e “zgjidhjeve evropiane” për krizën me refugjatët. Austria dhe vendet pjesëmarrëse në këtë tubim vendosën që ato me ketë çështje të merren ne nivelin kombëtar. Një nga vendimet e rëndësishme ishte që Bullgaria dhe Maqedonia të kontrollojnë kufijtë me Greqinë, që bëri që Athina të përgjigjet me konstatimin se tubimi i Vjenës po e kthen Greqinë në “Liban të Evropës”. Ministria e Jashtme e Greqisë për këtë zhvillim i dorëzoi notë proteste ambasadorit të Austrisë. Ky është rasti i parë që një vend anëtar i Bashkimit Evropian të dorëzonte notë proteste te një vend tjetër anëtar dhe kjo është një dëshmi tjetër e konfuzionit dhe krizës së Bashkimit Evropian.

Për më tepër, gjasat që sistemi i Shengenit i kufijve të hapur, shumë shpejtë të suspendohet, janë shumë të mëdha. Kjo bëhet për të shmangur kolapsin e sistemit të Shengenit. Kufijtë e hapur janë ndër përfitimet më të mëdha të Bashkimit Evropian dhe epërsitë që ofron Brukseli për qytetarët e vendeve anëtare.

Nëse Bashkimi Evropian nuk do të jetë në gjendje të menaxhojë me çështjet akute, vende tjera anëtare do të pyesin veten nëse ia vlen të mbetesh brenda familjes së madhe evropiane. Është një pyetje dhe dilemë, jo vetëm për elitat politike dhe qytetarët e vendeve anëtare, por edhe për burokratët dhe institucionet në Bruksel.  Nëse përgjigjet do të vonojnë, listës së vendeve që kërkojnë dalje nga Bashkimi Evropian dhe që u prinë Britania e Madhe, do t”i shtohen edhe shumë të tjera.

Patrick Moore ishte analisti kryesor për Ballkanin në Radion Evropa e Lirë në Mynih dhe Pragë në periudhën 1977/2008. Ai është nga San Jose, California dhe aktualisht jeton në Gjermani