Faqja prestigjioze globale dedikuar artit, Artsy, i ka bërë vend pavijonit të Kosovës mes shteteve të mëdha garuese Amerikës, Francës, Brazilit dhe Indisë, duke e...

Faqja prestigjioze globale dedikuar artit, Artsy, i ka bërë vend pavijonit të Kosovës mes shteteve të mëdha garuese Amerikës, Francës, Brazilit dhe Indisë, duke e konsideruar si njërin prej 10 më të mirëve në këtë edicion të Bienales së Artit në Venedik, transmeton Klan Kosova.

Projekti “Albumi Familjar” i artistit Alban Muja duket ta ketë arritur vlerësimin meritor pasi e ka rikthyer në vëmendje vuajtjen e fëmijëve refugjatë gjatë Luftës në Kosovë – fotografitë e të cilëve 20 vjet më parë zinin faqet e gazetave kudo në botë.

Muja ka përzgjedhur disa fotografi të  këtyre fëmijëve që asokohe ishin publikuar në mediat botërore dhe dy dekada më pas i ka gjetur protagonistët tashmë të rritur të këtyre imazheve të cilët i kanë ndarë rrëfimet  e tyre.

Mes shpalosjes së temës dhe qasjes multimediale të artistit kosovar, Artsy gjithashtu përmend dritën e rrëfimit të situatës së asaj kohe që reflekton edhe në gjendjen e refugjatëve të ditëve të sotme.

“Videot e paraqitura nuk janë vetëm përshkrime emocionuese të një krize të dikurshme, por ato gjithashtu rezonojnë me narrativat bashkëkohore të refugjatëve në mbarë botën”, shkruan ky medium.