Nga Mero Baze Ka një dalldi të pakuptueshme nga politikanë kundërshtarë të Edi Ramës, por dhe komentues online, lidhur me protagonizmin e theksuar publik...

Nga Mero Baze

Ka një dalldi të pakuptueshme nga politikanë kundërshtarë të Edi Ramës, por dhe komentues online, lidhur me protagonizmin e theksuar publik të tij kundër kandidaturës së Donald Trump, për president të SHBA. Është e vërtetë që Rama e ka theksuar shumë këtë detaj të qëndrimit të tij dhe i vetmi gabim, është që ai në disa raste ka folur si analist i pavarur, apo si një “mendimtar” që jep idetë e tij rreth kësaj çështje. Por, Edi Rama nuk ka bërë asnjë gabim, që ka dalë publikisht si kryeministër i Shqipërisë kundër tij. Kryeministri i Shqipërisë, e ka detyrim t’u bëjë thirrje shqiptaro­ amerikanëve të votojnë kundër kandidaturës së Donald Trump, së paku për dy asye madhore. Ai ka dalë kundër fitores më të madhe historike të kombit shqipar, çlirimit të Kosovës nga Serbia, përmes ndërhyrjes së NATO­s, nën peshën e pazëvendësueshme të qëndrimit të SHBA dhe presidentit Klinton. Donald Trump e ka quajtur gabim tragjik çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe ka premtuar ta korrigjojë atë në politikën e jashtme amerikane. Do të majftonte kaq, që shqiptarët njëzëri të ishin jo vetëm kundër kësaj kandidature, por të bëheshin militantë të pacipë kundër tij, në çdo vend që jetonin dhe kudo që mund të ndikonin qoftë dhe tek një qytetar i vetëm amerikan. Kryeministri i shtetit shqiptar, e ka për detyrë t’u bëjë thirrje shqiptaro­ amerikanëve të votojnë kundër një kandidati që është shpallur si armik i kombit shqiptar. Arsyeja e dytë po kaq e fortë, është se Donald Trump në retorikën e tij antimyslimane, ka përfshirë dhe kombin shqiptar, dhe është duke nxitur një fobi ndaj kombit tonë, si komb mysliman dhe terrorist. Edi Rama duhej kritikuar sikur të mos angazhohej publikisht si kryeministër i vendit tonë kundër tij, dhe është në turpin e çdo politikani shqiptar, që bën si interesant dhe neutral ndaj zgjedhjeve në SHBA, në këtë rast. Interesi ynë madhor është SHBA, por jo etika ndaj Donald Trump. Ajo që Rama duhet të shmangte sidomos në mediat amerikane, ishte deklarimi i tij, si një analist i pavarur për këtë çështje, duke dhënë mendime për fatin e SHBA nën Donald Trump. Do të ishte më simpatike për çdo amerikan që e shikonte në CNN, ta shikonte si shqetësimin e një kryeministri që vinte nga një vend i vogël i Ballkanit, për një kandidat si Donald Trump. Çdo kryeministër i çdo vendi që ka diasporën e vet në SHBA, e ka për detyrë t’u dëshmojë atyre çfarë është mirë, apo keq për interesin kombëtar, lidhur me qëndrimet e Donald Trump. Dhe në këtë pikë Edi Rama do ishte dukur më modest, më i besueshëm dhe më me ndikim mbi publikun amerikan, se sa nga pozicioni i një “mendimtari” ballkanas.

Por kjo nuk do të thotë që ka vend, që ne si shqiptarë t’i përvishemi Edi Ramës pse sulmon një antishqiptar si Donald Trump. Atë mund ta bëjë ndonjë amerikan që mbështet Trump dhe urren shqiptarët, por jo e kundërta. /gazetatema/