Kush po frikësohet nga Haradinaj Kush po frikësohet nga Haradinaj
Melazim Koci për Sovrani.info Ndalimi i Ramush Haradinajt ka hapur dhe do të hapë shumë tema, që më pak kanë të bëjnë më fatin... Kush po frikësohet nga Haradinaj

Melazim Koci për Sovrani.info

Ndalimi i Ramush Haradinajt ka hapur dhe do të hapë shumë tema, që më pak kanë të bëjnë më fatin politik të liderit të AAK-së dhe më shumë e drejtpërdrejtë me fatin e Kosovës.

Pse?

Ndalimet me urdhërarreste të Serbisë, kudo që ndodhin, bëjnë goditje të rëndë në themelet e shtetësisë së Kosovës. Fakti që dikush ndalon një shtetas të Kosovës, me urdhërarrest të Beogradit, nuk ka si të interpretohet ndryshe, pos si përpjekje e dërgimit të mesazhit se e njehë juridiksionin e Serbisë mbi Kosovën. Në rastin Haradinaj, kjo është edhe më eklatante, sepse kemi të bëjmë me urdhërarrest të vitit 2004, lëshuar nga një subjekt shtetëror (RFJ ose Unioni Serbi – Mali i Zi) që ka pushuar së ekzistuari. Si është e mundur që për Interpolin qenkan valide ende urdhërarrestet e një krijese që nuk ekziston?

Ky është aspekti juridik, ndërsa ai politik është edhe më i turpshëm. A nuk e ditkan instancat ndërkombëtare se urdhërarrestet e lëshuara nga Beogradi kanë prapavi ekskluzivisht politike? Apo dikush qëllimisht është duke testuar dhe luajtur me shtetësinë e Kosovës? Kjo mbetet për t’u parë në javët dhe muajët në vijim, por ndalimet, si ky i Haradinajt, nuk janë as më pak dhe as më shumë se goditje e drejtpërdrejtë në themelet e shtetësisë së Kosovës.

Shpjegimet e disa agjencive të specializuara ndërkombëtare, se janë duke vepruar vetëm në bazë të kërkesave të vendeve anëtare (në këtë rast të Serbisë), janë më shumë se qesharake. A do të thotë kjo se nëse Moska e kohës së Brezhnjevit dhe Kina e Mao Ce Dunit, kanë ngritur urdhërarreste kundër disidentëve anti – komunist, që ato edhe mund të aktivizohen, nëse ndonjë i krisur në Moskë dhe Pekin, një ditë e kërkon një gjë të tillë. Në rastin e Kosovës, madje as kjo analogji nuk qëndron, sepse kemi të bëjmë me subjekte të reja të së drejtës ndërkombëtare (Kosova e pavarur dhe Serbia e pavarur).

Haradinaj ka qëndruar në Francë gjatë Kampionatit Botëror në futboll dhe nuk kishte pasur asnjë problem. Çfarë ka ndryshuar në këta gjashtë muaj që tash të ndalohet? A nuk është kjo dëshmi se kemi të bëjmë më lojëra tjera që synojnë të godasin Haradinajn, por edhe Kosovën.

Franca është shtet mik, që ka njohur Kosovën, ndër të parat. Është paradoksale që pavarësisht faktit që njeh pavarësinë e Kosovës, të veprojë sipas kërkesave të një subjekti tjetër juridik dhe shtetëror.

Aspekt tjetër që është shumë zhgënjyes në gjithë këtë “lojë” është qëndrimi i instancave të Kosovës. Tash 5 vjet jemi “bombarduar” me deklarata e Edita Tahirit për efektet dhe rezultatet e dialogut ne normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Dhe tash shohim ngritjen e murit në lumin Ibër dhe ndalimin e Ramush Haradinajt.

Çfarë kuptimi ka dialogu prej ditës së sotme? Ai gradualisht po shndërrohet në proces të poshtërimit të Kosovës. Nëse udhëheqja e Kosovës deri më tash e ka pasur të vështirë të largohet nga tryeza e bisedimeve (për shkak të presionit të ndërkombëtarëve), vazhdimi i tij do ta kompromitojë thellë klasën politike para syve të kosovarëve. Dialogu nuk do të ketë asnjë kuptim nëse urgjentisht nuk anulohen urdhërarrestet e Beogradit, nëse nuk rrënohet muri në Veri dhe nëse Kosova nuk vë shenjën e reciprocitetit për çdo çështje me Serbinë.  Nëse këto nuk jetësohen në afatin më të shkurtër, atëherë Kosova me ose pa vetëdije, dërgon sinjal te bashkësia ndërkombëtare, se është e gatshme të bëjë kompromise dhe koncesione në dëm të shtetësisë.

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme: ndalimi i Haradinjat ndodhi jo në qershor, gjatë Kampionatit Botëror në futboll, por gjashtë muaj më vonë, kur ishte ftuar në inaugurimin e presidentit të SHBA-ve Donald Trump. Rastësi apo jo? Pa dashur të hyjmë në teoritë konspirative, një është e sigurt: dikush u frikësua nga ftesa që shtabi Trump dërgoi për Haradinajn.