Lamtumirë ëndërr evropiane Lamtumirë ëndërr evropiane

Lamtumirë ëndërr evropiane

Opinione 22 February, 2016, 14:03

Olivier Guez Sulmet xhihadiste, vershimi i migrantëve dhe nacionalizmi ne ngritje kanë bërë që në gjithë Bashkimin Evropian, anksioziteti dhe ndasitë të dalin në... Lamtumirë ëndërr evropiane

download

Olivier Guez

Sulmet xhihadiste, vershimi i migrantëve dhe nacionalizmi ne ngritje kanë bërë që në gjithë Bashkimin Evropian, anksioziteti dhe ndasitë të dalin në shesh si kurrë nga viti 1940. E ballafaquar me këtë situatë, Evropa duket e paralizuar. Në dukje është një faktor madje edhe më i rrezikshëm: dallimet ndërmjet Francës dhe Gjermanisë, rreth prosperitetit dhe sigurisë, si interesa elementare kombëtare. Nëse Franca dhe Gjermania nuk do te mund të bashkëpunojnë, ëndrra për Evropën e bashkuar do të shuhet. Dhe kjo është logjikshme. Mbi gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore, këto dy kombe të fuqishme, për 30 vjet punuan bashkë për një treg të përbashkët, politikën e lëvizjes së lirë dhe planin për valutë të përbashkët. Por, në vitin 1990 bashkimi i Gjermanisë lëvizi balancën. Ndikimi i Francës shënoi rënie, ndërsa ekonomia gjermane ngritje. Franca luftonte me globalizimin dhe refuzonte të hiqte dorë nga lehtësitë sociale në këmbim të ngritjes së konkurrencës në ekonomi. Rrjedhimisht, Gjermania u bë zëri dominues brenda tregut evropian. Në çastin e hyrjes ne fuqi të euros , bankat gjermane ishin më të fuqishmet. Por, në vitin 2005 votuesit francezë kërkuan që të hiqet dorë nga cungimi i mëtejmë i sovranitetit dhe bashkë me Holandën ndalën synimet në këtë drejtim. Pastaj erdhi kriza financiare e vitit 2008, që për shkak të thellimit të dallimeve ekonomike, krijoi hendek ndërmjet Evropës veriore, të udhëhequr nga Gjermania, dhe pjesë jugore të Evropës, më pak të industrializuar. Por, edhe më i rrezikshme politikisht, por më pak e diskutuar, ishte çështja e dallimeve ndërmjet Gjermanisë dhe Francës, rreth çështjeve siç janë mirëqenia, diplomacia, terrorizmi dhe kriza e refugjatëve nga Lindja e Mesme. Tash kur takohen, presidenti i Fransoa Holland dhe kancelarja Angela Merkel, flasin për solidaritetin, por me kuptime të ndryshme. Holland deklaron se “Franca është në luftë me shtetin islamik”, ndërsa Merkel flet për “luftimin e terrorizmit”. Franca ka ndërmarrë operacione ushtarake në Mali, Irak dhe Siri, ndërsa Gjermania preferon operacione ndërkombëtare humanitare. Për francezët intervenimi në Afrikë dhe Lindjen e Mesme është çështje ushtarake dhe politike, ndërsa për Gjermaninë fuqia qëndron më shumë te ekonomia se te politika dhe fokusin e mbajnë më shumë nga Rusia dhe fqinjët. Në periudhën e ardhshme konfrontimi më i ashpër mund të zhvillohet rreth lumit të refugjatëve dhe migrantëve. Vitin e kaluar, Gjermania duke vepruar e vetme, pranoj rreth 1 milionë refugjatë, ndërsa Franca hezitoi dhe rrjedhimisht pranoj vetëm disa mijëra. Franca deshi që kufijtë e kontinentit të mbylleshin, ndërsa Gjermania deshi që Turqia të ndihmonte në sjelljen e më shumë refugjatëve. Gjermanisë i duhen më shumë punëtorë, pasi që popullata e saj po plaket, ndërsa Franca jeton me papunësi të lartë dhe me shkallën më të lartë të foshnjave në BE. Franca ka konfirmuar se e konsideron sfidë të madhe integrimin e miliona myslimanëve në shoqërinë sekulare. Deri vonë gjermanët nuk qanin kokën për ndërlikueshmërinë e këtyre çështjeve. Por, ngjarjet në Keln ishin çasti i zgjuarjes së shumë gjermanëve dhe dëshmi se ata nuk mund të mbeteshin ishull i sigurt në një fqinjësi gjithnjë e më të pa sigurtë. Pavarësisht nga kjo, Angela Merkel, ende mbetet për politikën e dyerve të hapura për migrantët, ndonëse ky pozicion e izolon nga shtetasit gjermanë dhe nga pjesa tjetër e Evropës. Në këtë situatë islami radikal, migrimi masiv, revanshizmi rus dhe ndërhyrjet ushtarake janë sfida me të cilat nuk mund të ballafaqohet asnjë shtet evropian i vetmuar. Mjerisht, sentimenti në gjithë Evropën shkon në drejtim të kundërt. Evropianët e frikësuar janë tërhequr te sovraniteti i shteteve të tyre të vogla, te e djathta ekstreme dhe ksenofobia. Në Hungari dhe Poloni këtë forca kanë marrë pushtetin, ndërsa deri në vitin 2017 kjo mund të ndodhë edhe në Francë, ndërsa Britania mund ta braktisë fare Bashkimin Evropian. Rrjedhimisht, shtrohet pyetja çfarë do të ndodhë nesër? Kjo do të jetë çështje e lidershipit. Në vitet e 90’ta, Fransoa Miterand dhe Helmut Kol, ngjashëm si para ardhësit e tyre, Adenuer dhe De Gaulle, punuan bashkë, sepse mbanin mend llahtaritë e luftës. Por, këto personalitete tashmë nuk janë në skenë. Merkel dhe Holland janë të fokusuar në oborret e tyre kombëtare: Franca është fokusuar te kontrollimi i terrorizmit, Gjermania te trajtimi i refugjatëve. Atë që liderët evropianë nuk e kanë bërë dhe që duhet të fillojnë ta bëjnë, është përgatitja e bashkatdhetarëve të tyre për më shumë progres drejtë unitetit evropian. Madje edhe brezi i kohës së rënies së Murit të Berlinit kishte dështuar të kërkonte ruajtjen she shpëtimin e ëndrrës që ishte premtuar: një Evrope në paqë të përhershme dhe duke punuar e bashkuar pas të gjitha ndarjeve dhe llahtarive të shekullit XX.

Olivier Guez – Eseist dhe dramaturg francez

Përkthyer nga Sovrani.info