Letër Donaldit nga një ish-drejtues i luftës së Kosovës Letër Donaldit nga një ish-drejtues i luftës së Kosovës
Nga Bedri Islami Nëse Donald Lu nuk do të kishte qenë ambasadori i një shteti të fuqishëm dhe të shumëdashur në Shqipëri, me siguri... Letër Donaldit nga një ish-drejtues i luftës së Kosovës

Nga Bedri Islami

Nëse Donald Lu nuk do të kishte qenë ambasadori i një shteti të fuqishëm dhe të shumëdashur në Shqipëri, me siguri shumë vetë do të kishin menduar se ai është gabimisht këtu, ose, çfarë është më e keqja, ai nuk e di ende se ku e kanë dërguar.

Megjithëse me një shqipe të kuptueshme, ai po bëhet gjithnjë e më i pakuptueshëm për shqiptarët, deri në krijimin e një vizioni krejt tjetër për figurën e tij. Tashmë është e vështirë të dihet se ku qëndron e gjithë loja e tij politike: Në saktësinë e duhur apo në kurrizin e ulur? Fakti se ai mendon ende se PD-ja, na paska qenë forca politike që rrëzoi komunizmin, apo edhe më keq akoma, se paska luajtur rol në pavarësinë e Kosovës, të thotë se ai ose nuk e di kohën kur kanë ndodhur gjërat, ose, në takimet e gjata me Berishën, edhe atij i është mbushur mendja se vërtet ky farë burri paska qenë statura që i paska bërë të gjitha.

Ka disa ditë që ai po bën pikërisht këtë lojë, duke të ndjellë keqardhjen për vendin që përfaqëson dhe për emrat që nëpërmend. I futur thellë në lojën e tij, pasi provoi të gjitha, deri edhe futjen në lojë të emrit të Obamës, i është kthyer shpërndarjes të kulaçeve, herë të zakonshëm, herë të mjaltë. Pasi bëri të pranishëm një nen të turpshëm për çdo vend të botës, nenin famëkeq 25, që ishte dhurata e rradhës në shpërblim të miratimit të reformës; pasi vizitoi Berishën në selinë e tij, seli e cila sipas ligjeve amerikane duhej sekuestruar, pasi është një dhuratë qindra mijra eurosh pa asnjë dokument, si të thuash mall i vjedhur; pasi shkëmbeu buzëqeshje me Bashën, njeriun që qesh duke vjedhur e duke vrarë, tani iu kthye edhe elozheve në grup.

Si duket, duke e ndjerë se loja e tij ishte vetëm dy palëshe, ai dhe Berisha e lobi i tij në SHBA, futi në këtë valle edhe të tjerët, pasuesit e shqupasve dhe shqupasit vetë, duke i bërë elozhe që edhe ata nuk ia kanë bërë vetes.

Ndërkohë zonja Vlahutin hodhi ‘kërbaçin’ e saj, duke i paralajmëruar shqiptarët se, nëse ky ligj nuk miratohet, gjërat shtyhen për tre vite, sikur vetëm ajo të ketë në dorë skeptrin e mbretërimit evropian. Edhe në një shkrim paraardhës kam shënuar se zonja është rastësisht këtu e, po ashtu, edhe përkohësisht. Kërbaçi i saj, përballë kulaçit të kolegut të saj, janë lojra të pështira që nuk bëhen në çdo vend, por vetëm aty ku të pazakonshmet duken të zakonshme.

Zoti Lu, më vjen keq që nuk e keni njohur sa duhet e si duhet vendin tonë dhe historinë e tij.

Po e lëmë mënjanë shashkën tuaj se PD-ja paska rrëzuar komunizmin. Të ishte për PD-në e njerëzit e saj, shumica ish komunistë ose bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që nga Njëshi e deri tek zeroja. Ata që kishin në shpirtin e tyre antikomunizmin, kur “lindi” PD-ja nga mitra e komunizmit, ishin në burgje duke vuajtur dënimet e tyre drastike dhe, Njëshi juaj, SB, ishte rreptësisht kundër tyre, ndoshta edhe nga që kishte qenë dëshmues i rrejshëm.

Më takon të demantoj shashkën tuaj për kontributin e PD-në në pavarësinë e Kosovës.

Njeriu që po shkruan këtë shënim, më ndjeni për mungesën e modestisë, ka qenë që nga viti 1993 pjesë e Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës, dhe, në dy vitet e luftës, drejtuesi kryesor i Organizatës që kishte themeluar, drejtuar e organizuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Quhej Lëvizja Popullore e Kosovës dhe ishte njëra ndër vlerat më të mëdha të saj. Antarë të Organizatës, të cilën e themeluan Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka, ishin të gjithë emrat më të ndritur të rezistencës në Kosovë dhe jashtë saj, në trojet shqiptare nën Maqedoni.

PD-ja, zoti ambasador, jo vetëm që nuk kishte asnjë lidhje me luftën në Kosovë dhe pavarësinë e saj, por ishte krejt në anën e kundërt: Në anën e një lobi të fuqishëm pro serb, kundër luftës çlirimtare.

Diplomatë të shquar të botës suaj, në takimet e rëndësishme që kemi pasur, jo një herë, kanë porositur që të kemi kujdes nga lobi serb në Shqipëri dhe të kufizojmë kontaktet me strukturat drejtuese të PD-së.

Asnjë kontakt nuk ka pasur lëvizja çlirimtare me zotin Berisha. Asnjë. Në kohën e presidencës së tij figura të shquara të shqiptarëve të Kosovës, janë burgosur, keqtrajtuar, janë futur në lista të zeza, janë dekonspiruar dhe janë vrarë.

Ndoshta ju nuk e dini se në kohën e presidencës Berisha ka patur gjithnjë një linjë të hapur mes Shërbimit Informativ Shqiptar dhe shërbimit të fshehtë serb, dhe, të thuash sot se PD-ja ka meritë në pavarësinë e Kosovës, është njëlloj sikur të thuash se Serbia e pavarësoi vetë Kosovën. PD-ja e donte Kosovën si një domen të saj, për të përdorur gjendjen e atjeshme në mbulimin e të zezave në vendin tonë, si në vitin 1996; e donte për të qenë Kosova raja e një partie politike, duke mbjellë përçarjen e ndasinë.

Zoti Ambasador, më ndjeni t’ju them se keni trokitur në një derë të gabuar, ashtu si kanë trokitur të gjithë paraardhësit tuaj në atë godinë. Më ndjeni që ju them se edhe ju, si kolegët tuaj, kur të ikni nga këtu, do të ndjeni të njëjtin zhgënjim për këtë forcë destabilizuese, që edhe kështu, pas kulaçit tuaj, ju përqesh, ju sjell vërdallë dhe ju nëpërkëmb.

Personalisht nuk ndjej keqardhje për një njeri të vetëm kushdo qoftë ai, por për atë çka përfaqëson.

Disa kohë më parë, në një bisedë të gjatë në këtë gazetë, unë kam dëshmuar për rolin e PD-së dhe të Berishës lidhur me luftën në Kosovë dhe pavarësimin e saj. E kam bërë këtë ndershmërisht, pavarësisht se ai, Berisha, asaj kohe ishte në pushtet dhe ju, tashmë duhet ta dini, se si çartet ai kur është në pushtet dhe mendon se mund të rrëzohet.

Ndoshta ndonjëherë mund të geni një kohë të duhur për të mësuar më shumë për këtë monstër të politikës, nëpër shkallët e të cilit uleni dhe ecni edhe ju.

I nderuar,

Ju jeni përfaqësues i një vendi që me të drejtë ka mirënjohjen e të gjithë kombit. Mos u merrni me vogëlsira dhe mos e prishni emrin tuaj, duke na treguar përralla kulaçore për rolin e një force politike që, në gjashtë vitet e para të pushtetit e futi gjithë vendin në luftë, e pas tetë viteve ripushtet, bëri ripushtimin e çdo mbarësie që kishte ky vend, duke na sjellë në këtë derexhe, përmes së cilës përplaseni edhe ju.

Dera që kërkoni të hapni është derë e gabuar. Gjysma e atyre që ju dëgjojnë duhet të ishin diku tjetër, në burg. Po, i nderuar. Ata janë objekt e subjekt i ligjit të ri, të cilin ju, dhe zonja Vlahutin, po përpiqeni ta shisni, duke e ulur aq shumë pazarin, sa që më në fund prej tij do të kemi një ligj tjetër, po aq të dëmshëm sa edhe ky që kemi.

Nëse po kërkoni thjeshtë të bëni stan me horra, jeni i gabuar.