Liria e Pavarësia, vepër e finalizuar nga UÇK-ja e Adem Legjendarit Liria e Pavarësia, vepër e finalizuar nga UÇK-ja e Adem Legjendarit
Jakup Krasniqi Nuk ka asnjë dyshim, vitet 1990-1999 ishin vitet ndër më të vështirat të shqiptarëve në shekullin XX. Shqiptarët i qenë nënshtruar jo... Liria e Pavarësia, vepër e finalizuar nga UÇK-ja e Adem Legjendarit
Jakup Krasniqi
Nuk ka asnjë dyshim, vitet 1990-1999 ishin vitet ndër më të vështirat të shqiptarëve në shekullin XX. Shqiptarët i qenë nënshtruar jo vetëm një shtypjeje të egër, por edhe një diskriminimi e poshtërimi barbar, kulmuar me vitet 1990-1999. Qëllimi i kësaj politike të gjenocidit ishte pastrimi etnik i Kosovës dhe kolonizimi i saj me serbë e malazezë. Shqiptarët me të madhe ishin larguar nga jeta politike e publike, ekonomike e mediale. Nga viti 1990-1999, nga Kosova janë larguar mbi 400.000 shqiptarë, të cilët kanë shkuar në vendet e Evropës Perëndimore, Skandinavi, Mbretëri e Bashkuar, SHBA etj. Në rrethana të tilla, politika pacifiste e LDK-së nuk kishte arritur ta ndalte trendin e zbrazjes së Kosovës. Në këtë kohë kemi krijimin dhe rritjen e UÇK-së së Adem Jasharit, e cila ishte melhem në varrën e robërisë sonë. Rënia e Adem Legjendarit dhe e familjes Legjendare të Jasharëve, luftës çlirimtare e Kosovës i dha dimensionin e një lufte popullore të përmasës kombëtare. Epopeja e UÇK-së ishte Kthesa më e Madhe për mobilizimin e masivizimin e kombit për Luftën Çlirimtare. Pa atë rënie të fisnikshme të Jasharëve të Prekazit në Drenicë, pa atë mobilizim shpirtëror që i dha kombit ai flijim, pa atë mobilizim politik e ushtarak, nuk do të shpërthente Ushtria Çlirimtare nga një guerile e kufizuar në një ushtri popullore, e cila zhvilloi edhe luftime frontale, mu ashtu siç ishte strategjia e Komandantit Legjendar të UÇK-së, e cila u jetësua vetëm pas rënies së tij heroike.
Përmenda përmbledhtazi ngjarje e personalitete që na e trasuan rrugën e lavdisë, rrugën e lirisë e të çlirimit (qershor 1999) dhe finalizimin e Pavarësisë më 17 Shkurt 2008. Nuk ka asnjë dyshim, në këtë histori suksesi, roli i komunitetit ndërkombëtar me SHBA në krye është i një rëndësie të veçantë. Liria e Kosovës është vepër e një rezistence të pandërprerë 87-vjeçare e shqiptarëve të Kosovës, është vepër e guximit dhe e gjakut njerëzor (jo vetëm në luftën e fundit), është vepër e humanizmit dhe e veprimit ushtarak të Botës Demokratike me NATO-n në krye. Por, pa qëndrimin tonë historik nëpër shekuj në trojet tona stërgjyshore, pa përpjekjet tona të vazhdueshme, pa organizimin tonë në organizatat e fshehta çlirimtare, pa luftën e sakrificën tonë, pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, askush nuk do të merrej seriozisht me kombin tonë. Dhe kur e them këtë, nuk e mohoj as minimizoj ndihmë ne jashtëzakonshme të aleatëve tanë.
Ndërsa, një ngjarje e rëndësishme që ndihmoi në pavarësimin e shtetit tonë, pa dyshim që janë Bisedimet e Vjenës, të cilave i ka paraprirë deklarata e Grupit të Kontaktit, e cila i dha të gjitha parametrat për orientimin e bisedimeve të Vjenës. Një dokument tjetër, shumë i rëndësishëm që ia ka hapur të gjitha rrugët 17 shkurtit 2008, ka qenë Letra që Presidenti Ahtisari i ka dërguar Presidentit të Këshillit të Sigurimit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Në atë letër, Ahtisari nënvizonte domosdoshmërinë që Kosovës t’i njihej Pavarësia e Mbikëqyrur. Në saje të atij propozimi, Kosovës i janë hapur rrugët e njohjes nga 110 vende të Botës. Nuk ka asnjë dyshim, në pavarësinë e Kosovës si projekt ka hisen e vet sekondare edhe faktori ndërkombëtar, por ky projekt është dëmtuar shumë në substancë nga Bisedimet politike të zhvilluara me Serbinë me ndërmjetësimin e Brukselit. Me Serbinë është dashur të zhvillohen vetëm bisedime teknike dhe në asnjë mënyrë nuk është dashur të përfundonin në bisedime politike. Me bisedimet politike të zhvilluara në Vjenë (2006/2007), me Dokumentin Gjithëpërfshirës për Statusin Përfundimtar të Kosovës, kanë qenë të përfunduara e të mbyllura bisedimet politike. Delegacioni ynë në ato bisedime (të Brukselit) është treguar skajshmërisht i pavëmendshëm, duke vepruar si një trup pa kokë.
Nëse e shikojmë rrugën nëpër të cilën ecën breza luftëtarësh deri në qershorin e vitit 1999, shihet qartë, se pas kësaj date qytetarët e Kosovës vetëm sa e kanë pritur zyrtarizmin e pavarësisë dhe ai moment, e them më përgjegjësi, është vonuar për tetë-nëntë vjet me fajin e drejtuesve politikë të kohës, për shkak të mos komunikimit mes shefave të subjekteve politike, e ndonjëri sot përpiqet ta marrë mbi vete gjithë mundin, gjakun dhe sakrificën e brezave në supet e tij “foshnjore”, gjithë historinë e lirisë, të çlirimit, të pavarësisë e besa edhe të integrimeve euroatlantike! E gjithë historia jonë na tregon se akti i shpalljes së Pavarësisë më 17 Shkurt 2008, është vepër e popullit shqiptar ndër vite, është vepër e finalizuar nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit shqiptar në Kuvendin e Kosovës dhe assesi nuk mund të personifikohet e personalizohet me emrin e asnjë drejtuesi të kohës e më së paku mund të përvetësohet nga lexuesi i Deklaratës së Pavarësisë. Deklarata si dokument zyrtar është nënshkruar nga Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe deputetët tjerë nënshkrues. Ndërsa, si akt final dhe i plotfuqishëm është votimi i Deklaratës së Pavarësisë dhe deklarimi i rezultatit të votimit nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë ka pasuar pas votimit nga ana e deputetëve të Kuvendit. Pse ky akt personalizohet nga Hashim Thaçi, është çështje që kërkon të trajtohet seriozisht nga shkencat humanitare e psikologjike. Por nuk është pa interes për t’u studiuar edhe fakti, sesi ky njeri arrin të manipulojë komunitete kaq të gjera gjithandej?!
Sido që kanë rrjedhur ngjarjet pas Pavarësisë së Kosovës, çlirimi i Kosovës në qershorin e vitit 1999 dhe formalizimi i Pavarësisë më 17 shkurt 2008, ku Kosova shpallet shtet i pavarur, sovran e demokratik, janë ngjarje tepër të rëndësishme për kombin tonë. Shkurt e shqip, Pavarësia e Kosovës është vepër e formalizuar nga Kuvendi i Kosovës, përpjekjet e derisotshme që lexuesi i Deklaratës së Pavarësisë të konsiderohet si njeriu që shpalli pavarësinë është një lloj bajraktarizmi fisnor mesjetar. Nëse mediat sot janë të yshtura në forma të ndryshme që ta hanë karotën mashtruese të Thaçit, shkenca e historisë, nuk guxon ta pranojë gënjeshtrën për fakt historik, por duhet të mbështetet në dokumentet zyrtare të Kuvendit si dhe storiet filmike që tregojnë rrjedhat e mbledhjes solemne për shpalljen e pavarësisë në Kuvendin e Kosovës. Fakte historike nuk mund të jenë përrallisjet e Televizionit Publik të Kosovës në çdo përvjetor të pavarësisë.
Deklarata e Pavarësisë si edhe ndonjë dokument tjetër a ligj, nuk janë të vlefshme, derisa nuk i nënshtrohen votimit në Kuvend, ndërsa marrin fuqinë e dokumentit zyrtar vetëm pasi të jenë votuar nga shumica ose dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Pra, Thaçi vetëm sa ka lexuar Deklaratën e Pavarësisë, të hartuar nga ekspertët amerikanë e më pas e përkthyer në gjuhën shqipe. Bile Thaçi në leximin e tij, Deklaratës së Pavarësisë ia heq fjalën sovranitet, fjalën më domethënëse, pasi nuk ka shtet pa sovranitet. Ndërsa, pas votimit të Deklaratës së Pavarësisë, Kryetari i Kuvendit, thotë: “Konstatoj se me të gjitha votat “për” të deputetëve të pranishëm, deputetët e Kuvendit të Kosovës, sot, më 17 shkurt 2008, shprehën vullnetin e tyre dhe përmes tyre, edhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës për Kosovën Shtet të Pavarur, Sovran dhe Demokratik.” (nga stenogrami i Mbledhjes Solemne të Kuvendit), ashtu siç shkruan edhe në Deklaratën e nënshkruar nga të përmendurit më lartë. Kjo është e vërteta e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nga Kuvendi i saj, Kosova Shtet i Pavarur, Sovran e Demokratik.
Çdo interpretim tjetër i Shpalljes së Pavarësisë është mashtrim dhe falsifikim i një ngjarjeje historike, ndër më të rëndësishmet për vendin e popullin tonë.