Mbi 220 milionë euro shpërblim përmes tenderëve për financuesit e partive Mbi 220 milionë euro shpërblim përmes tenderëve për financuesit e partive
Mënyra e financimit të partive politike në Kosovë që nga krijimi i institucioneve është përcjellë me probleme dhe me defekte të shumta, të cilat... Mbi 220 milionë euro shpërblim përmes tenderëve për financuesit e partive

Mënyra e financimit të partive politike në Kosovë që nga krijimi i institucioneve është përcjellë me probleme dhe me defekte të shumta, të cilat kanë bërë që ky proces të mbetet i pakontrolluar dhe i pamenaxhuar siç duhet. Kështu u tha në konferencën e mbajtur nga organizata “Çohu” gjatë ditës së djeshme.

Madje sipas një hulumtimi të kësaj organizate 35 kompani që kanë financuar partitë politike gjatë viteve 2009-2012 kanë marrë rreth 173 milionë euro përmes 147 tenderëve publikë, në total donatorët e partive politike përfituan 220 milionë euro përmes 440 tenderëve publikë.

Drejtori i kësaj organizate, Arton Demhasaj, prezantoi të gjeturat e hulumtimit të tyre, nga i cili vë në pah se ekzistojnë zbrazëtira juridike që e bëjnë të pasuksesshëm rregullimin e financimit të partive politike.

“Financimi edhe pse i rregulluar me ligjin e vitit 2010, i ndryshuar dhe i plotësuar në vitin 2012 dhe 2013, tregon shumë probleme dhe zbrazëtira juridike që po e bëjnë këtë ligj të paimplementueshëm dhe të pasuksesshëm në rregullimin e financimit të partive politike. Gjatë hulumtimeve të mëhershme të organizatës “Çohu” kemi gjetur se kjo mënyrë e rregullimit të financimit të subjekteve politike ka krijuar hapësirë për krijimin e raporteve klienteliste në mes subjekteve politike dhe bizneseve”, ka thënë ai, shkruan më tutje “Zëri”.

Po ashtu “Çohu” ka vlerësuar se një e metë tjetër e financimit të fushatave zgjedhore është mungesa e transparencës për financimin e kandidatëve.

“Një e metë tjetër, e cila nuk është trajtuar deri më tani, është edhe mungesa e transparencës së burimeve dhe shpenzimeve në fushata zgjedhore nga kandidatët. Gjatë fushatave zgjedhore kandidatët e partive politike zakonisht realizojnë fushata individuale me shpenzime shumë të mëdha, të cilat asnjëherë nuk i deklarojnë. “Çohu” konsideron që shpenzimet individuale të kandidatëve duhet të deklarohen në pasqyrat financiare të subjekteve politike”, ka thënë ai.