Mërgimtarët, qytetarët e shtetit pa identitet! Mërgimtarët, qytetarët e shtetit pa identitet!
Florim Zeka -Simbolet e një shteti nuk janë gjë krejt e parëndësishme siç e kualifikojnë disa nga handikapët politië dhe qytetarët e pakujdesshëm të... Mërgimtarët, qytetarët e shtetit pa identitet!

Florim Zeka -Simbolet e një shteti nuk janë gjë krejt e parëndësishme siç e kualifikojnë disa nga handikapët politië dhe qytetarët e pakujdesshëm të shtetit të Kosovës. Simbolet kombëtare (himni dhe flamuri) përveç identitetit kombëtar të një shteti, përcaktojnë të kaluarën historike, kulturën dhe traditën popullore. Përgjatë këtyre tetë viteve të pas “pavarësisë”, gjatë festave kombëtare dhe shtetërore, më ka rënë shpesh të dëgjoj nga bashkatdhetarët naivë të thonë: “E rëndësishme është që e kemi shtetin tonë,… simbolet e shtetit (flamuri lara-lara dhe hymni pa tekst) janë gjëra të imponuara nga ndërkombëtarët,… ne në zemër kemi simbolet e lashta kombëtare”. Ky, është më tepër se vetëmashtrim që disa i bëjnë vetes dhe opinionit të gjerë. Përveç aspektit vizual dhe fonik, simbolet shtetërore (himni dhe flamuri) duhet të prekin thellë në ndjenjat e qytetarëve,…që për fatin e keq, të 93 % të popullatës (shqiptare) të Kosovës, jo vetëm që nuk sensibilizojnë ndjenjat e tyre, por bëjnë të kundërtën, provokojnë ato në mënyrën më të keqe, duke ua mohuar identitetin e lashtë kombëtar. Akoma më i shëmtuar se dizajni i flamurit të shtetit, është përmbajtja e dokumenteve personale, në veçanti e atyre të udhëtimit, ku nuk është i përcaktuar fare nacionaliteti i personit fizik që bart me vete pasaportën e Kosovës. Politikanët kosovarë, të dalldisur pas pushtetit e pranuan në “Pako të mbyllur” planin diskriminues, apo më mirë të themi shkombëtarizues (për shqiptarët) të Ahtisarit, pasojat e të cilit i ndjejmë tani e sa vite ne mërgimtarët në shtetin italian. Se vërtetë simbolet shtetërore, jo vetëm që janë akronim i shtetit, por janë bazë fondamentale për trajtimin e qytetarëve jashtë kufijve shtetërorë. Këtë që them, e dëshmon trajtimi i shtetasve kosovarë nga autoritetet italiane nga viti 2008 e deri në ditët e sotme. Mërgimtarët, qytetarët e shtetit pa identitet! Mospërcaktimi i identitetit kombëtar në Pasaportë, ua ka dhënë mundësinë e keqpërdorimit me (pa) qëllim autoriteteve italiane me shtetasit kosovarë. Edhe pse kanë kaluar tetë vite nga njohja ndërkombëtare e shtetit të Kosovës, Italia vazhdon të tallet me shtetasit kosovarë, me rastin e lëshimit të Lejeve të Qëndrimit (Permesso di Soggiorno), duke ua vënë siglën YUG, herë në vend të nënshtetësisë e herë në atë të vendlindjes,…ndërsa akoma më keq se kaq, në vend të kodit fiskal të Kosovës (160), vënë atë të Jugosllavisë (118)! Ky është identifikimi më paradoksal që shteti italian është duke u bërë shtetasve, të cilëve ua ka njohur shtetin tetë vite më parë! Vënia e siglës “YUG” për shqiptarët e Kosovës paraqet fyerje të rëndë dhe poshtëruese për shumë arsye; – E para, për faktin se jemi të vetmit emigrantë nga ish Jugosllavia që na ndodh një gjë e tillë. Këtë dëshiroj ta ilustroj me një shembull konkret; emigrantëve të Bosnjës, në Lejet e Qëndrimit u vënë vetëm siglën B e H, ndërsa nacionalitetin sipas përkatësisë etnike; serb, kroat apo boshnjak. – E dyta, Jugosllavia është një krijesë e cila nuk ekziston më (nga viti 1995). – E treta dhe më kryesorja, pas 17 shkurtit 2008, shteti i Kosovës është njohur juridikisht nga mëse 110 shtete gjithandej globit tokësor. Andaj kthimi prapa në kohë i autoriteteve italiane, përveçse tendencioz dhe me prapavijë politike është shumë i dëmshëm sa i përket identitetit të shqiptarëve në Ballkan. Në këtë rast, vetvetiu shtrohet pyetja për pushtetarët në Prishtinë; jemi apo s’jemi shtet, kemi apo s’kemi qeveri, kemi apo s’kemi Ministri të Punëve të Jashtme, kemi apo s’kemi ambasadë në shtetin italian, kemi apo s’kemi polici kufitare?! Në veçanti mbetet i pashpjegueshëm fakti i këtyre të fundit (PK), se si sigla YUG në Lejet e Qëndrimit të shtetasve kosovarë në Itali nuk ua ka ngacmuar akoma syrin e diplomatëve dhe “vigjilentëve” të sovranitetit të shtetit,…ngaqë kjo përbën një nga format e shkeljes juridike të sovranitetit të shtetit. Pikërisht me këtë çështje, në radhë të parë do duhej të merrej Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë, si përfaqësuese diplomatike e shtetit dhe mbrojtëse e të drejtave të bashkombasve të tyre në shtetin italian. Megjithatë pyetja e parë i shtrohet kryeministrit të vendit; “Zoti Mustafa, a e keni fuqinë politike, guximin njerëzor dhe intelektual, që në bisedimet e radhës me Vuçiçin në Bruksel ta parashtroni hapur këtë çështje brengosëse të bashkatdhetarëve tuaj? Nëse jo, atëhere gjatë përqafimit të radhës me ndërmjetësuesen italiane të bisedimeve me palën serbe, zonjën Federica Mogherini, t’ia thoni fshehurazi në vesh; “Kujdes zonja Mogherini, mos m’i trajtoni shtetasit e mi si jugosllavë”. Trajtimi paradoksal i shtetasve kosovarë si jugosllavë nga ana e shtetit italian, në njërën anë po vë në pah identitetin artificial të shtetit, ndërsa në tjetrën dukurinë e mosfunksionimit të aparatit shtetëror, e në veçanti të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Mbase, ky duhet të jetë shqetësim për të gjitha shoqatat dhe veprimtarët e shumtë në Itali, për reagimin e menjëhershëm ndaj autoriteteve italiane, për ndaljen e kësaj dukurie sa absurde po aq të dëmshme të trajtimit të shtetasve kosovar si “YUG”! sot.al