Gjendje kaotike është krijuar në vend për shkak të mungesës së terapisë kryesore për të sëmurët me diabet. Ministria e Shëndetësisë, që nga muaji...

Gjendje kaotike është krijuar në vend për shkak të mungesës së terapisë kryesore për të sëmurët me diabet. Ministria e Shëndetësisë, që nga muaji janar, asnjërën nga Qendrat e Mjekësisë Familjare në Kosovë nuk e ka furnizuar as edhe me një shiringë insulinë. Gjakova, Ferizaj dhe Peja janë disa nga qendrat të cilat kanë bërë kërkesa në MSH tash e sa muaj për furnizim me këtë ilaç me rëndësi jetike për të sëmurët nga diabeti.
Mbi 1 mijë pacientë me diabet nga Gjakova, 800 të tjerë nga Ferizaj e qindra pacientë të tjerë nga qyteti i Pejës, tash e disa muaj nuk janë furnizuar as edhe me një shiringë insulinë. Kjo për arsye se Ministria e Shëndetësisë në Kosovë nuk po e bënë furnizimin e rregullt me këtë medikament mjekësor, e që është jetësore për të sëmurët me diabet.

Që nga e enjtja e javës së kaluar Emine Grezda nga qyteti i Gjakovës nuk është furnizuar me insulinë. Thotë se këtë ilaç vështirë se po e gjen edhe në barnatoret private të këtij qyteti.

“Nuk po ka insulinë këtu e kurrkund në Gjakovë. Qe një muaj unë po kërkojë insulinë. Këtu po thonë që fajin e ka ministria. Unë prej së enjtes s’kam marrë insulinë. Sheqeri po më shkon deri në 10”, thotë 62-vjeçarja nga Gjakova. Fat të njëjtë si të Emine Grezdës kanë edhe mijëra pacientë të tjerë nga e gjithë Kosova. Me mungesë të insulinës, përveç Gjakovës, po ballafaqohen edhe Ferizaj, Prishtina e Peja.

Janë 800 pacientë në Ferizaj të cilët rregullisht injektojnë në trupin e tyre insulinë. Por, qe një muaj e gjysmë Qendra e Mjekësisë Familjare në këtë komunë nuk është furnizuar me këtë bar. Informatën e ka dhënë të hënën për Express drejtori i kësaj qendre, Asllan Bajrami.

“Aktualisht në qendrën tonë nuk kemi insulina. Ka premtime që me procedura të përshpejtuara do të përmirësohet furnizimi. Në qendrën tonë janë 800 pacientë të varur prej këtij meikamenti. Ne kemi bisedua me Ministrinë e Shëndetësisë. Sivjet nuk kemi insulinë”, ka thënë drejtori i Qendrës Kryesore së Mjekësisë Familjare në këtë komunë dr. Asllan Bajrami.

Në gjendje të njëjtë është Gjakova. Me insulinë nuk është furnizuar as kjo qendër. E janë më shumë se një mijë pacientë që kanë mbetur pa insulina në këtë qendër. Këtë fakt e ka thënë për Express, Korab Haxhidauti, farmacist në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjakovë.

“Ende nuk jemi furnizuar me insulinë. Pacientët çdo ditë po vijnë në qendër e po kërkojnë. Ne vazhdimisht jemi duke bërë kërkesa në Ministrinë e Shëndetësisë për furnizim”, ka thënë Haxhiudauti.

Me problematikë të ngjashme tash një kohë të gjatë po ballafaqohet edhe spitali Rajonal i Pejës. Madje, furnizimin e fundit me insulinë ky spital e ka pasur qysh në muajin qershor të vitit të kaluar. Kështu i ka thënë Expressit zyrtari për Informim i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, Naim Sahiti.

“Nuk jemi furnizuar prej qendrës. Data e fundit është 23.6.2017. dhe më nuk kemi marrë insulinë. Kemi insulinë vetëm për raste emergjente për veprim të shpejtë”, ka thënë Sahiti.

Lidhur me këtë problem emergjent, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për Express kanë deklaruar se ky dikaster gjatë këtyre ditëve po e vazhdon furnizimin me insulinë humane. Që andej thonë se furnizimi po bëhet sipas kërkesave të institucioneve.
“Ministria e Shëndetësisë ka vazhduar edhe këtyre ditëve me shpërndarjen nëpër institucione shëndetësore të sasive të mjaftueshme të Insulinës humane, shpërndarja e të cilave po bëhet sipas planifikimeve dhe kërkesave të institucioneve”, kanë thënë nga MSH.

Megjithatë, nga ky institucion kanë deklaruar se furnizimi po bëhet me sasi të kufizuara.

“MSH është duke bërë furnizime edhe me Insulinë analoge (në sasi të kufizuara) në mënyrë proporcionale, por me qëllim të përmbushjes së të gjitha kërkesave për këtë lloj insuline, Ministria tashmë ka zhvilluar procedura me afate të shkurtuara për sigurimin e tyre”, thuhet në përgjigjen.

Pritet që nesër të bëhet shpallja publike për operatorin e përgjegjshëm për furnizim me insulinë analoge dhe pritet që të fillohet me furnizim të shtuar me këtë bar.