Mjaft më!… Mjaft më!…

Mjaft më!…

Opinione 16 August, 2019, 23:10

Hamdi Ndrecaj Për çudi secili pushtet i cilësdo partie apo koalicioni që nga UNMIK-u ka premtuar sigurim shëndetësor, liberalizim, vende pune dhe përspektivë, por... Mjaft më!…

Hamdi Ndrecaj

Për çudi secili pushtet i cilësdo partie apo koalicioni që nga UNMIK-u ka premtuar sigurim shëndetësor, liberalizim, vende pune dhe përspektivë, por të gjitha këto premtime ishin sa për lëmë leshi dhe për konsum politik.

Sigurimet shëndetësore dhe kartoni I gjelbër janë peng i mafisë së kompanive të sigurimeve dhe të pazareve të pushtetarëve në dëm të popullit, i cili s’e gëzon një sigurim shëndetësor. Lirisht mund të themi se kësisoji populli është I abuzuar nga pushteti, gjë që i ndalohet kësofare edhe e drejta për shërim, kurim dhe e drejta për të jetuar, e që këto përbëjnë shkelje flagrante të të drejtave të njeriut sipase kartës universale të të drejtave të njeriut. Prandaj pushtetarët tanë vazhdojnë me megagënjeshtrat e tyre për liberalizimin për EU e NATO.

Shumica e ligjeve të Kosovës janë ligje të xhunglës, ku të drejtën për shërim e gëzojnë vetëm feudalët politikë, despotët e të ashtuquajturës demokraci, si dhe ata që I kanë xhepat të fryrë. Një ligj diskriminue në Kosovë e që fare nuk ekziston asgjëkundi është edhe ligji për skemat sociale dhe pensionale, që janë direct të importuara nga Afika e Jugut dhe India. Paramendo një familje e varfër pesanëtarëshe gëzon një shumë të ardhurash nga qendra sociale 120 euro. Nga ato para, duhet paguar 30% energjinë elektrike, ujin e pijes, nëse është i kyçur në rrjet publik të ujësjellesit dhe për plehra. Ku mbetet ushqimi, veshmbathja, shkollimi i fëmijëve, shërbimet mjekësore, branat dhe drutë apo lëndët tjera djegëse gjatë stinës së dimriT?!

Dhe kur I kemi parasysh të gjitha këto, duhet pyetur se vallë pse po ikën rinia nga trojet tona, por jo vetëm ata. Athua nuk kan turp pushtetarët tanë të pandërgjegjshëm kur thonë se qytetari ynë s’paska arsye të largohet nga vendi. Pra në Republikën e Kosovës të drejtën për të jetuar e paskan vetëm ata që u pasuruan brenda natës, familjarët dhe dostat e tyre dhe mafia sistematike e tenderashëve.

Ku janë vendet e punës, ku mbetën donatorët, investitorët dhe paratë e donatorëve? Pra 20 vjet pas luftës Kosova gjithçka importon, që nga buka, që s’arrin ta sigurojë më shumë se 34% për kokë banori, pemë dhe perime të hershme 10%, ato të sezonit veror 30%. Thjesht jemi bërë një republikë që prodhon analfabetë, hajdutë, reketxhinj, narkomanë, mashtrues, fallxhorë, terroristë qoftë islamikë apo të krishterë .

Athua e meriton poopulli shqiptar i Kosovës një jetë të tillë apo duhet që t’u themi të gjithëve që kanë pushtetin dhe duan të qeverisin “mjaft më”, sepse Troja e Dardanisë nuk është prone private e pushtetarëve, ngase sot nëse kompanitë e ndërtimit kanë mbetur pa punëtorë, është si fakt se klasa punëtore është e nënçmuar dhe e diskriminuar tjemase, prandaj edhe po largohet nga Kosova, e për këtë fajtorë janë politikanët me politikat qëllimkëqija dhe të gabuara, prandaj, edhe këta do të meten pa votues, se nga ky vend të gjithë duan të ikin. Kosova po zhbëehet. Nuk e di a po e shihni apo jo.

Përditë e më shumë po zbrazen shkollat, po boshatisen lagjet dhe fshatra të tëra. Pra, mjaft më!