Mos e fëlliqni edhe futbollin Mos e fëlliqni edhe futbollin

Mos e fëlliqni edhe futbollin

Opinione 11 September, 2019, 15:29

Shkruan: Imer Mushkolaj Ata që besuan qysh në fillim – nuk gabuan. Sukseset e djemve të Kombëtares së Kosovës po i demantojnë poseduesit e... Mos e fëlliqni edhe futbollin

Shkruan: Imer Mushkolaj

Ata që besuan qysh në fillim – nuk gabuan. Sukseset e djemve të Kombëtares së Kosovës po i demantojnë poseduesit e “licencave të patriotizmi”. Tash po thonë se janë krenarë me ata, për të cilët dikur hezitonin të shkruanin një fjalë të vetme. Të tjerët po përpiqen të manipulojnë me ta në kohë fushate. Gërditshëm

Para pak vitesh debati zhvillohej nëse do të quhej kombëtare a përfaqësuese. Sot kjo mbetet një cikërrimë, krahasuar me ëndrrën që çdo kosovar pret të bëhet realitet – kualifikimin e Kosovës në Europian.

Por nuk ishte e lehtë për të gjithë ata djem që besuan qysh në fillim se ëndrra mund të bëhet realitet, nuk ishte lehtë as për Fadil Vokrrin e bashkëpunëtorët e tij, nuk ishte lehtë as për të gjithë ata që, qysh në fillim, pa hezitim, flitnin për Kombëtaren e Kosovës si një realitet që nuk mund të zhbëhet, pavarësisht se kritikoheshin, shaheshin e linçoheshin nga ata që kishin zaptuar “licencën e patriotizmit”.

Vetëm të flisje për ekip kombëtar të Kosovës konsiderohej herezi nga ata që nuk besonin. Nga ata që hezitonin të thoshin një fjalë të vetme kur djemtë përballeshin me vështirësi, kur bënin çmos të përfaqësonin vendin me dinjitet, pavarësisht humbjeve të thella.

Vetëm të përmendje Kombëtaren e Kosovës konsiderohej blasfemi nga ata që luanin në kartën e folklorizmit. Ishte koha kur mijëra kosovarë marshonin drejt Shqipërisë për të ndjekur ekipin e zemrës, sepse Kosova nuk kishte arritur ende të siguronte një stadium dinjitoz për djemtë që do t’ia zbardhnin fytyrën. Ishte koha kur ëndrra për kualifikim në Botëror e Europian dukej thuajse e pamundur të bëhet realitet. Ishte koha kur Kosova pësonte humbje të thella dhe shumë nga propagandistët folkloristë iu gëzoheshin atyre. Por gjërat kanë ndryshuar. Kanë ndryshuar shpejt dhe për të mirë.

Vendosmëria, përkushtimi dhe angazhimi i djemve ka bërë që për Kombëtaren e Kosovës të ndërrojnë mendje edhe skeptikët më të mëdhenj. Edhe ata që nuk ishin në gjendje të shkruajnë asnjë shkronjë të vetme në rrjetet sociale si mbështetje, inkurajim për djemtë që po na bënin krenarë dita-ditës.

* * *

Sot është krejt ndryshe. Qindra-mijëra kosovarë duatrokasin djemtë e Kombëtares teksa arrijnë suksese të njëpasnjëshme. Mijëra të tjerë i ndjekin nga mbrapa, duke bërë tifozllëk kudo që ata paraqiten. Tash, në kohë fushate, politika përpiqet t’i keqpëdor, të manipulojë me ta për një grusht votash, siç ishte rasti me videon propaganduese të Kadri Veselit. Tash, në kohë fushate, për të uruar ekipin kombëtar të Kosovës kujtohet edhe Albin Kurti. Tash, në kohë fushate, tifoze e flaktë e Kombëtares shfaqet edhe Vjosa Osmani, e në kulmin e demagogjisë Lutfi Haziri ngatërron Zhegrovën me Vojvodën. Tash, në kohë fushate, dikush kërkon shpejt e shpejt një

hapësirë për të vendosur statujën e Fadil Vokrrit. Tash, në kohë fushate, gjithë politika është me djemtë e Kombëtares.

Tash tifo për paraqitjet dinjitoze të djemve kosovarë bëjnë ata që nuk kanë lidhje me dinjitet, ata që kanë qeverisur papërgjegjshëm, ata që kanë keqqeverisur. Tifo bëjnë edhe ata që kanë probleme me ligjin, ata që kanë aktakuza e janë rreshtuar në lista deputetësh, ata që nuk e kanë dert pse rrejnë publikisht në studio televizive, ata që iu premtojnë qytetarëve gjëra që kurrë nuk i realizojnë. Tifo bëjnë edhe ata që Kosovën e shohin veç si njëfarë shteti tranzitor, që nuk ia njohin simbolet, por që i gëzojnë privilegjet e majme që po ky shtet ua jep. Tifo bëjnë edhe ata që mendonin se ekipi kombëtar i Kosovës nuk do të bëhej kurrë dhe optimistët e pandreqshëm i kionsideronin budallenj që nuk dinë çfarë flasin.

Sot ekipi kombëtar i Kosovës i bën krenarë të gjithë – edhe kriminelët, edhe hajnat, edhe mashtruesit. I bën krenarë të padinjitetshmit, pakurrizorët, zvarranikët, poltronët e secilit që vjen në pushtet. E pushteti i Kombëtares është shumë më i madh se i secilit prej këtyre që kanë qeverisur ose duan të qeverisin.

* * *

Futbolli është lojë dhe djemtë e Kombëtares dinë edhe të humbin. Por të humbin me dinjitet, siç ndodhi të martën mbrëma kundër Anglisë. Të humbin si fitues. Gjë që nuk di ta bëjë politika në Kosovë. Gjë që nuk dinë ta bëjnë politikanët që me çdo kusht, pa zgjedhur rrugë e mjete, duan ose të rrinë, ose të vijnë në pushtet.

Dhe para se të na lodhin me urime e përshëndetje në rrjete sociale, ata do të duhej të flasin haptas, në mënyrë konkrete, se çfarë do të bëjnë për këta djem, për këtë ekip.

Kombëtarja e Kosovës është një ndër të mirat e rralla që iu ka ndodhur qytetarëve të lodhur e të izoluar. Politika nuk duhet ta fëlliq edhe atë, siç ka fëlliqur gjithçka. Askush nga politika nuk duhet lejuar të manipulojë me ekipin, sepse ai iu takon të gjithëve, është krenaria e të gjithëve.