Mos raftë me u harru Mos raftë me u harru

Mos raftë me u harru

Opinione 30 June, 2019, 20:51

Nuk ka shenja që do të mbushemi mend pas gjithë këtij cirku politik që karakterizoi gjysmëvjetorin e fundit shkollor Blerim Shala Mos rraftë me... Mos raftë me u harru

Nuk ka shenja që do të mbushemi mend pas gjithë këtij cirku politik që karakterizoi gjysmëvjetorin e fundit shkollor

Blerim Shala

Mos rraftë me u harru.

Kjo porosi a mësim i moçëm duket se i ri më së miri fundit të këtij gjymëvjetori shkollor në Kosovë.

Siç e dimë të gjithë ne, të thuash asgjë nuk ka shkuar si duhet në gjashtë muajtë e fundit në këtë arsimin kosovar. Nuk është ditur kur do të nisë mësimi në këtë semestër. Nuk është ditur a do të ketë apo jo pushim njëjavor pranveror. Nuk po dihet as kur po përfundon ky vit shkollor. Shkollat dhe mësimdhënësit janë ndarë në dysh: Disa i kanë dhënë fund këtij viti shkollor të premtën e kaluar (me 21 qershor), e të tjerët këtë do ta bëjnë këtë të premte, me 28 qershor.

Nxënësit, prindët e tyre, por mbi të gjitha vetë mësimi dhe arsimi në përgjithësi, ishin dhe mbetën viktimat kryesore të një përplasje të madhe, të paparë në këtë Kosovën e pasluftës (ndërsa gjithçka kemi parë në këto njëzet vitet e fundit), në mes të autoriteve qeveritare të Kosovës (të përfaqësuar në radhë të parë nga Ministria e Arsimit), dhe atyre sindikaliste (SBASHK-ut).

Çka nuk është thënë dhe çka nuk është bërë në këtë raportin në mes të dy pushteteve arsimore (u pa këtë vit përfundimisht që janë dy pushtete në arsimin kosovar), në gjashtë muajtë e kaluar. ‘Beteja’ bëhej, si thuhet me atë fjalorin ushtarak, ‘deri në nxënësin dhe arsimtarin e fundit’.

Problemet janë reale, përndryshe, kur flitet për interesimin e sindikalistëve që sa më shumë që është e mundur, të përmirësohet statusi social i arsimtarëve. Por vetë karakteri real i tyre (dhe kjo mund të ndodhë në çdo lëmi shoqërore, dhe në politikë, në përgjithësi), nuk do me thënë që nuk mund të dëmtohet, nëse mënyra e prezentimit të tyre ecën në drejtimin e gabuar, apo, nëse nuk ndodhë një baraspeshim në mes të qasjes/ formës ë shprehjes së pakënaqësisë, dhe vetë përmbajtjes së saj (të pakënaqësisë).

S’do mend që ky ka qenë rasti jo vetëm me grevën e fillimvitit shkollor, por edhe me shumë zhvillime të tjera në këtë raportin në mes të sindikatave dhe Qeverisë së Kosovës.

Kur të bëhen bashkë të gjitha ngjarjet e këtij gjysmëvjetori mësimor anëkënd Kosovës, nuk është vështirë të mbërrihet në konkludimin akuzues (në realitet), që në njëzet vitet e kaluara nuk ka pasë probleme më të mëdha në vet organizimin e mësimit në Kosovë, ndërsa tema e cilësisë së arsimit në Kosovë, tutje mbetet preokupim i të gjitha autoriteteve relevante, i mësimdhënësve, nxënësve dhe prindëve.

Në anën tjetër, faji real dhe përgjegjësia formale në gjithë këtë pështjellimin e këtij semestri mësimor, i takon gjithsesi edhe vetë autoriteteve qeveritare, të cilat kanë krijuar pakënaqësi të madhe me miratimin e Ligjit të pagave, që duhet të hyjë në fuqi në vjeshtën e këtij viti.

Një Ligj i këtillë që ka fuqinë dhe ndikimin e një Kushtetute (së paku në këtë dimensionin social dhe ekonomik në një shoqëri), i cili gjithsesi është dashtë të bëhet, nuk është përgatitur si duhet, prandaj që në ditën e miratimit të tij është përcjellur me reagime të shumta në të katër anët.

Një farë ‘paqe’ relative është ‘blerë’ në ndërkohë në mes të Qeverisë së Kosovës dhe segmenteve të veçanta të shoqërisë kosovare, pos tjerash, edhe me premtimet dhe zotimet qeveritare për ndryshimin e Ligjit në përputhje me kërkesat e atyre që kanë shprehur në të gjitha mënyrat e mundshme pakënaqësinë e tyre me këtë Ligj. Por të gjitha paralajmërimet janë që pas pushimeve verore, në muajtë e vjeshtës do të mund të kemi një artikulim të pashembullt të pakënaqësisë sociale në Kosovën e viteve të fundit, nëse në ndërkohë nuk do të ketë amandementim të Ligjit të pagave.

Dikush mund të shtojë këtu që probleme të këtij lloji lindin edhe në shoqëritë dhe shtetet shumë më të organizuara se ne, prandaj nuk bëhet nami që edhe ne këtë vit u përballëm me një situatë paradoksale në arsim (pos tjerash). Një konstatim i tillë qëndron. Por te këto shoqëri, gjithsesi nxirret mësimi kur ndodhë një zhvillim i këtij lloji, që megjithatë, mëdyshë një normalitet aq shumë të duhur në fushat më të ndishme në një vend, çfarë gjithsesi është arsimi. Ndërsa në rastin tonë, nuk ka shenja që do të mbushemi mend pas gjithë këtij cirku politik që karakterizoi gjysmëvjetorin e fundit shkollor. /Lajmi/