A mund ta tërheqë Republika e Surinamit njohjen formale për Republikën e Kosovës A mund ta tërheqë Republika e Surinamit njohjen formale për Republikën e Kosovës
Sipas praktikës së deritashme të shteteve, konstatimit të GJND-së dhe punës së Komisionit të OKB-së për të Drejtën Ndërkombëtare, Republika e Surinamit me rastin... A mund ta tërheqë Republika e Surinamit njohjen formale për Republikën e Kosovës

Sipas praktikës së deritashme të shteteve, konstatimit të GJND-së dhe punës së Komisionit të OKB-së për të Drejtën Ndërkombëtare, Republika e Surinamit me rastin e njohjes fromale të Republikës së Kosovës ka krijuar obligim ndaj Kosovës por edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare si tërësi. Ky akt, edhe pse fillimisht i lëshuar si akt politik, krijon efekte juridike dhe rrjedhimisht sjellja në kundërshtim me atë akt paraqet shkeljes të obligimit ndërkombëtar dhe përfundimisht e bën atë si jo-valid në aspektin formal juridik

Në bazë të informatave të cilat po qarkullojnë për një notë verbale në emër të Misionit të Përhershëm të Republikës së Surinamit në OKB, drejtuar Ministrisë për Punë të Jashtme të Serbisë, në lidhje me siç thuhet “revokimin e njohjes” për Kosovën, shtrohet pyetja e natyrshme se sa mundet një shtet të tërheqë njohjen formale dhënë një shteti tjetër konkretisht Kosovës në këtë rast. Për të sqaruar këtë duhet të shikohet fillimisht në praktikën e shteteve në këtë drejtim dhe së dyti në parimet e së drejtës ndërkombëtare sa i përket deklaratave të njëanshme të shtetit dhe rrjedhimisht të jepet një sqarim në rastin konkret të tërheqjes së njohjes.

Sa i përket çështjes së parë, në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare shtetet kanë kujdes të theksuar, duke marrë parasysh konsekuencat e veprimeve të tyre andaj në momentin që e bëjnë veprimin dhe në këtë rast njohjen formale shtetet sigurohen ose do të duhej që të siguroheshin që njohja është e parevokueshme derisa shteti që njihet të vazhdojë të ekzistojë. Për këtë arsye shtetet në raste të caktuara krijojnë lidhje me shtetin e ri pa e njohur ende formalisht, pra juridikisht, pasi që për shkak të rrethanave të jashtme ose të brendshme nuk janë të sigurta në ofrimin e një njohjeje të tillë dhe qëndrueshmërisë së saj. Kjo njihet si njohje de facto, ose njohje në mënyrë të heshtur dhe si e tillë mund të jetë e paqëndrueshme, duke u varur nga rrethanat e brendshme apo të jashtme në vazhdimin e bashkëpunimit me shtetin përkatës, apo edhe njohjes apo jo të atij shteti. Në rastin e Kosovës, duke ditur që Republika e Surinamit e ka njohur Kosovën, nuk aplikohet modeli i njohjes së heshtur, pasi që ky shtet e kishte njohur më herët Kosovën në mënyrë formale përmes deklaratës së dhënë nga përfaqësuesit e autorizuar shtetëror.

Për të vlerësuar konsekuencat e njohjes formale duhet të trajtojmë këtë çështje në dritën e efektit të deklaratave të njëanshme të dhëna nga ana e përfaqësuesve të autorizuar të shtetit dhe cili është qëndrimi i së drejtës ndërkombëtare në këtë aspekt. Njohja formale e shtetit edhe pse ka karakter politik, ajo është e përcaktuar që të krijojë efekte juridike karshi shteteve të caktuara ose bashkësisë ndërkombëtare si tërësi. Këtë më së miri e ka interpretuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në rastin e Testeve Bërthamore (Zelanda e Re v. Franca, Aktgjykimi i datës 20 dhjetor 1974) Zelanda e Re e mbështetur nga Australia e kishte paditur Francën në lidhje me testet bërthamore që Franca i zhvillonte dhe kishte planifikuar të zhvillonte në Oqeanin Paqësor. Derisa rasti ishte në procedim, Franca, përmes zyrës së saj të Presidentit, kishte lëshuar një deklaratë zyrtare përmes të cilës kishte deklaruar se do të vazhdonte tutje testimet bërthamore nëntokësore dhe jo më në Oqean. Gjykata, me këtë rast kishte njohur deklaratën e lëshuar nga Franca duke konstatuar se “deklaratat e dhëna si akte të njëanshme të shteteve, në lidhje me rrethanat juridike ose faktike, mund të kenë efektin e krijimit të obligimeve ligjore…. Karakteri detyrues i veprimit të ndërmarrë rezulton nga vetë akti dhe është i bazuar në mirëbesim; shtetet e interesuara kanë të drejtë që të kërkojnë respektimin e të detyrimit të marrë”, pra përmes asaj deklarate. Në këto rrethana gjykata, GJND nuk kishte hyrë në shqyrtimin e meritave të rastit duke konstatuar se Franca tash e tutje ka marrë obligim që të mos vazhdoj testet bërthamore në oqean dhe se shkelja e një deklarate të tillë do të konsiderohej shkelje e obligimit ndaj bashkësisë ndërkombëtare si tërësi. Në të njëjtën frymë është edhe puna e Komisionit të OKB-së për të Drejtën Ndërkombëtare mbi deklaratat e njëanshme të shteteve. Për të qartësuar më shumë, sipas këtij komisioni, deklaratat të cilat janë konfuze dhe jo precise duhet të interpretohen në mënyrë të kufizuar derisa deklaratat të cilat merren në kundërshtim me të normat detyruese të ashtuquajtura jus cogesn janë jo-valide. Asnjëri rast nuk është prezent në deklaratën e Surinamit pasi që njohja ka qenë shumë e qartë, është lëshuar nga autoritetet përkatëse dhe nuk ka qenë në kundërshtim me normat detyruese të së drejtës ndërkombëtare .

Obligushmëria e akteve të njëanshme formale të shteteve është e rëndësishme në krijimin e një ambienti të mirëbesimit ndërmjet shteteve dhe ruajtjes së sigurisë juridike, pasi që e kundërta do të krijonte kaos në marrëdhëniet ndërkombëtare. Përmes deklaratave formale krijohet pritshmëri nga ana e shteteve dhe një siguri se shteti do të sillet në një mënyrë në një rrethanë përcaktuese të asaj sjelljeje.[1] Rrjedhimisht, sipas praktikës së deritashme të shteteve, konstatimit të GJND-së dhe punë së Komisionit të OKB-së për të Drejtën Ndërkombëtare, Republika e Surinamit me rastin e njohjes fromale të Republikës së Kosovës ka krijuar obligim ndaj Kosovës por edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare si tërësi. Ky akt, edhe pse fillimisht i lëshuar si akt politik, krijon efekte juridike dhe rrjedhimisht sjellja në kundërshtim me atë akt paraqet shkeljes të obligimit ndërkombëtar dhe përfundimisht e bën atë si jo-valid në aspektin formal.

Autori është Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

Autori: Besfort Rrecaj