Mustafa: VV ka vendosur për protesta, LDK për opozitë në Kuvend Mustafa: VV ka vendosur për protesta, LDK për opozitë në Kuvend
Tani për tani, jemi duke bashkërenditur këtë aktivitet me partitë opozitare, me Vetëvendosjen. Në Kuvend njerëzit nga Grupi Parlamentar yni janë koordinuar edhe me... Mustafa: VV ka vendosur për protesta, LDK për opozitë në Kuvend

Tani për tani, jemi duke bashkërenditur këtë aktivitet me partitë opozitare, me Vetëvendosjen. Në Kuvend njerëzit nga Grupi Parlamentar yni janë koordinuar edhe me Partinë Social Demokrate. Do të mundohemi të bisedojmë edhe me disa përfaqësues të partive të pozitës dhe t’i bindim se shkuarja e mëtutjeshme e vendit me këtë Qeveri është në dëm të Republikës së Kosovës

Radio Evropa e Lirë: Z. Mustafa, Lidhja Demokratike tashmë po provon të paraqesë një mocion votëbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj. Shumicën në Kuvend, aktualisht, nuk e keni për ta kaluar këtë mocion. Si mendoni ta çoni vendin në zgjedhje, marrë parasysh këto rrethana?

Isa Mustafa: Po ne, tani për tani, jemi duke bashkërenditur këtë aktivitet me partitë opozitare, me Vetëvendosjen. Në Kuvend njerëzit nga Grupi Parlamentar yni janë koordinuar edhe me Partinë Social Demokrate. Do të mundohemi të bisedojmë edhe me disa përfaqësues të partive të pozitës dhe t’i bindim se shkuarja e mëtutjeshme e vendit me këtë Qeveri është në dëm të Republikës së Kosovës për shkak të një gjendjeje të tanishme të pakicës qeverisëse. Ne do të punojmë me ngulm ta arrijmë këtë qëllim. Është e vërtetë se tani për tani ne, si opozitë, nuk i kemi 61 vota përkatësisht mbi gjysmën e votave që lypsen për ta shpallur mocionin e votëbesimit, por do të bëjmë përpjekje maksimale që ta arrijmë këtë.

Radio Evropa e Lirë: Z. Mustafa kur do ta paraqisni këtë mocion? A mund të na flisni për ndonjë datë konkretisht?

Isa Mustafa: Tani për datë nuk mund të flas pasi janë në zhvillim e sipër aktivitetet me partitë opozitare dhe me të tjerët. Mirëpo, ne do t’i mbledhim nënshkrimet, do ta bëjmë tekstin e mocionit duke u koordinuar me partnerët tanë të opozitës dhe tjerët, në momentin kur jemi të sigurt që kemi jo vetëm 61, por edhe mbi 61 vota, në mënyrë që të mos sfidohemi në Kuvend ne pastaj do ta paraqesim mocionin në Kuvend.

Radio Evropa e Lirë: Pse pikërisht tani mendoni se duhet të ketë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë?

Isa Mustafa: Janë dy arsye themelore, njëra është çështje që lidhet me dialogun dhe me procesin e dialogut, sepse mendojmë se dialogu duhet të zhvillohet, mirëpo duhet të zhvillohet nga institucione që kanë legjitimitet politik dhe kushtetues. Për fat të keq, në këtë situatë edhe Qeveria aktuale nuk ka legjitimitet politik, sepse nuk prezanton mbi gjysmën e votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ata në Kuvend si parti shqiptare arrijnë maksimumin 43 ose 44 vota, ndërkaq opozita ka shumë më shumë vota dhe përfaqëson më shumë qytetarë të Republikës së Kosovës.

Presidenti, i cili e ka marrë këtë punë pa mandat të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka dalë jashtë kornizave të mandatit të tij me Kushtetutë, prandaj çdo marrëveshje që arrihet në këtë kohë, është marrëveshje, e cila është e pazbatueshme pasi nuk do t’i ketë votat për ratifikim në Kuvend me aq sa nevojitet me 2/3 e deputetëve. Prandaj, nuk është mirë të vazhdohet me këtë proces pa institucione të fuqishme dhe këto institucione duhet të dalin nga zgjedhjet e reja.

Ndërkaq, arsyeja e dytë është se kemi të bëjmë me një qeveri që po tregohet shumë e dobët, e cila është skandaloze në marrjen e vendimeve në dëmtimin së pari të buxhetit të Republikës së Kosovës, sepse do të bie qëndrueshmëria buxhetore dhe do të rrezikohet stabiliteti makroekonomik i vendit dhe, po ashtu, kemi hyrë në disa procese të cilat në një formë i dobësojnë relacionet tona me Bashkimin Evropian dhe agjendën tonë evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Lidhja Demokratike e Kosovës po insiston në miratimin e një rezolute nga ana e Kuvendit, e cila do të kufizonte presidentin Thaçi sa i përket bisedimeve të paralajmëruara për ndryshim të kufijve. Mirëpo, ajo nuk po arrin të vendosetnë rend të ditës për votim, cilat do të jenë veprimet e mëtutjeshme të LDK-së?

Isa Mustafa: Mosvendosja e kësaj rezolute në votim, është një shkelje e drejtpërdrejtë edhe e Rregullores së Kuvendit, edhe e Kushtetutës, sepse nuk ka të drejtë kryetari i Kuvendit të sabotojë me vendosjen e kësaj rezolute në Kuvend. Në fakt, Lidhja Demokratike nuk po kërkon asgjë jashtë asaj çfarë po kërkojnë shumica e qytetarëve të Kosovës, pjesa më e madhe e subjekteve politike dhe çfarë është në opinion, sepse ne konsiderojmë se askush nuk ka të drejtë tani të hapë çështjen e ndryshimeve territoriale përkatësisht shkëmbimit të territorit apo korrigjimit të kufijve, sepse ne mund të përdorim nocione të ndryshme në këtë aspekt, por të gjitha këto çojnë në shkëmbim të territoreve, dërgojnë në tendenca për kufij etnik dhe për zhvendosje të popullsisë, që është shumë e dëmshme e rrezikshme jo vetëm për Kosovën, por e rrezikshme edhe për rajonin dhe më gjerë. Ne do të vazhdojmë të bëjmë presion në Kuvend, Grupi Parlamentar i yni në koordinim edhe me grupe tjera dhe do të vazhdojmë edhe bojkotimin e seancave derisa kjo nuk del në Kuvend.

Por, po ashtu do të kujdesemi që çështjet që janë të agjendës evropiane, sidomos ligjet që janë të agjendës evropiane, ato që prekin interesat më të gjera të qytetarëve të Republikës së Kosovës, t’iu japim një zgjidhje në mënyrë që të mos pësojnë qytetarët, të mos pësojë orientimi evropian dhe euroatlantik i Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, presidenti Thaçi po deklaron se ka mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë më konkretisht të SHBA-së dhe BE-së për bisedimet për ndryshime të kufijve. Ju keni pasur ndërkohë kontakte me përfaqësues tëSHBA-së dhe Bashkimit Evropian. Çfarë ju kanë thënë juve këta përfaqësues?

Isa Mustafa: Unë nuk kam parë, as nga përfaqësues të Bashkimit Evropian, as nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara qëndrimet e tyre ose orientimet e tyre ndaj vendit tonë se çfarë ne duhet të bëjmë. Ajo çfarë ata thonë është se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut dhe nuk e përcaktojnë në mënyrë eksplicite se çfarë duhet të jetë ajo zgjidhje. Dhe, në asnjë rast, unë s’kam parë që ka pasur angazhim, qoftë të përfaqësuesve të BE-së ose SHBA-së për korrigjim të kufijve ose shkëmbim të territoreve.

Në fakt, angazhime të tilla ka pasur nga Akademia e Shkencave e Serbisë , 20 ose 30 vjet më parë, ka pasur edhe tani nga disa eksponentë të politikës serbe, por kurrë s’ka qenë ajo kërkesë e jona dhe s’ka qenë kurrë kërkesë e aleatëve tanë. Mirëpo, nëse një zgjidhje e tillë del nga goja e institucioneve të Republikës së Kosovës, atëherë është e natyrshme që edhe disa nga aleatët tanë fillojnë të luhaten edhe të thonë ngadalë sepse edhe Kosova po menduaka se kjo është një zgjidhje.

Dhe, tani nuk kam dëgjuar nga zyrtarë të SHBA-së që janë deklaruar se e përkrahin një zgjidhje të tillë dhe nuk kemi nevojë që ne të komentojmë qëndrimet e tyre. Në qoftë se është qëndrim i tyre, ata duhet të deklarojnë, qoftë Shtëpia e Bardhë, qoftë Departamenti i Shtetit, Senati ose Kongresi. Por, në asnjë rast ne nuk kemi dëgjuar se ata kanë deklaruar një qëndrim të tillë dhe nuk ka nevojë që presidenti ynë të japë deklarata në emër të tyre. Ata duhet të japin deklarata vetë dhe ne duhet t’i dëgjojmë ato deklarata, mirëpo ne jemi ata që në fund të fundit duhet të vendosim për ardhmërinë e këtij vendi dhe si LDK konsiderojmë se është e dëmshme dhe e papranueshme që tani të hyjmë të bëjmë këmbime të territoreve, ta vëmë edhe njëherë në pikëpyetje shtetësinë tonë për arsye se nuk e ka pranuar Serbia, ndërkaq e kanë pranuar 116 shtete tjera.

Radio Evropa e Lirë: Z. Mustafa keni mbajtur disa takime me kryetarin e VV-së, Albin Kurti. A jeni ende në fazën e diskutimeve apo tashmë keni një plan konkret veprimi si bllok opozitar?

Isa Mustafa: Jemi në fazën e diskutimeve. Ne po mundohemi t’i koordinojmë bashkërisht çështjet që kanë të bëjnë me të bërit opozitë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Të bashkëbisedojmë edhe në lidhje me këto ecuri aktuale, sidomos edhe ato që ndërlidhen me çështjen e dialogut me Serbinë dhe aktivitete tjera. Natyrisht se ne nuk i diktojmë njëra-tjetrës si parti politike se çfarë duhet të bëjmë. Lëvizja Vetëvendosje është përcaktuar që të mbajë protesta, ne jemi të përcaktuar që opozitarizmin tonë ta fuqizojmë edhe më tutje në Kuvend por ta zhvillojmë bashkërisht edhe me subjekte tjera opozitare dhe, po ashtu të vendosim vija komunikimi edhe me partitë në pozitë që edhe ata të kundërshtojnë atë çfarë është e dëmshme për Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: Sa është i mundshëm një koalicion ndërmjet LDK-së dhe VV-së nëse vendi shkon shpejt në zgjedhje, apo kurdo që mbahen ato?

Isa Mustafa: Tani për tani, nuk kemi biseduar për koalicionin dhe unë mendoj se është herët që kjo çështje të thuhet. Ne njëherë po mendojmë ta rrëzojmë këtë Qeveri dhe në momentin kur përgatitemi për zgjedhje tjera, kur hyjmë në fazën e zgjedhjeve tjera ne pastaj do të marrim vendime në LDK. Vendimet e tilla te ne merren në bazë të statutit në Këshillin e Përgjithshëm dhe asnjëherë nuk e themi as në mënyrë individuale, të parapërcaktoj se si do të jetë. Mirëpo, ajo çfarë ne angazhohemi është ajo që në të ardhmen duhet të kemi një Qeveri, e cila do të jetë Qeveri stabile dhe e cila do të punojë fuqishëm në zhvillimin ekonomik dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe shkapjen e institucioneve shtetërore që për fat të keq po vazhdon dhe po fuqizohet edhe më tutje.