Ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Kosovës nga sot do të mbajë emrin e Ukshin Hotit. Këtë vendim e ka marrë ministri...

Ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Kosovës nga sot do të mbajë emrin e Ukshin Hotit.

Këtë vendim e ka marrë ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Ai ka thënë se këtë vendim e ka marrë në ditën kur vendi po kujton Ukshin Hotin, i cili ishte i burgosur politik nga regjimi i Beogradit dhe tash e 20 vite mungon dhe fati i tij nuk dihet ende.

“Kujtojmë se ai ishte një luftëtar i lirisë sonë, intelektual, diplomat dhe burrështetas modern. Hoti ishte gjithashtu Sekretar Krahinor i Kosovës për Marrëdhëniet me Jashtë (ministër i jashtëm) dhe ne sot kujtojmë kontributin e tij ndaj kombit dhe në diplomaci, dhe për ketë unë kam vendosur të emërtoj ndërtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme në emër të tij”, ka shtuar ministri Pacolli.

Në të njëjtën kohë, Ministria do të ndajë çdo vit çmimin Ukshin Hoti për Diplomaci.

“Ne do të luftojmë për përgjigje se çka ka ndodhur me Ukshin Hotin. Serbia nuk mund t’i ikë drejtësisë”, ka potencuar Pacolli.