Burim Ramadani Kam njëri prej të linçuarve disa vjet me radhë. Vrazhdtë, pandershëm dhe në forma të ndyta. Adresoja diçka që po vinte me...

Burim Ramadani

Kam njëri prej të linçuarve disa vjet me radhë. Vrazhdtë, pandershëm dhe në forma të ndyta. Adresoja diçka që po vinte me hapa të shpejtë. Por, pothuajse asnjëherë nuk i thashë ato që vërtetë ishin më të rënda. Disa po i them sot!

Janë 34 objekte që e quajnë veten xhami e që funksionojnë jashtë BIK-ut. Pra, gati në çdo komunë nga një. Tri vetëm në Prishtinë. Rreth 3000 të rinj të radikalizuar në shkallë të ndryshme. Miliona euro kanë qarkulluar për këtë ideologji të dhunshme, kryesisht vahabiste dhe tekfiriste, gjatë viteve.

Kjo ishte gjendja alarmante e raportuar nga institucionet e sigurisë në vitin 2012. Zyrtarisht e raportuar, në takime të mbyllura për opinionin, sipas detyrës zyrtare dhe normave të konfidencialitetit. Pra, po flasim për një situatë rreth katër vjet më parë.

Ju duket shumë? Ju duket e rëndë?

Nuk përfundojnë informatat e këqija me kaq.

Kampe stërvitore. Në disa pjesë të Kosovës, ku të rinjtë, kryesisht të moshës së mitur, futen në ingranazhet e shpërlarjes së trurit.

Dy kampe në zonën e Sharrit, përkatësisht Prevallë dhe Gorë. Një në zonën mes Llapit e Gollagut. Një në Dëbëllde. Një në Rugovë. Kampe jo të përhershme.

Rreth 50 të rinj të radikaluar u larguan me shpejtësi nga një stërvitje me armë në zonën malore e rreth Prizrenit, kur banorët e atjeshëm kishin njoftuar institucionet e sigurisë. Edhe kjo diku në vitin 2012.

Ju duket shumë? Ju duket e rëndë?

Sërish, nuk përfundojnë informatat e këqija me kaq.

Me armë e uniforma.Në vitet 2011 dhe 2012, janë të paktën gjashtë raste të raportuara të njerëzve me armë dhe me uniforma të paraqitura nëpër rrugët e Kosovës. Në orët e mbrëmjes, ata ‘legjitimonin’ kalimtarët e rastit. I ndalnin veturat dhe u kërkonin dokumentet e identifikimit. Ka ndodhur në Orllan, ka ndodhur në Rugovë.

Kishin shenja të veçanta, që bartnin në uniformat e tyre, të shkruara në arabisht dhe në shqip.

Ku jemi sot?

Kosova, si shtet dhe si shoqëri, nuk e përkrah ekstremizmin e dhunshëm. Këtu nuk ka dilemë. E trajton këtë problematikë me masa kryesisht të zbatimit të ligjit dhe duhet të kalojë shpejtë në masa të de-radikalizimit, ri-integrimit dhe rehabilitimit. Ka rrugë përpara për të bërë, por dukshëm është më mirë sesa është rrezikuar.

Por, Kosova, si shtet dhe si shoqëri, nuk ka qenë në gjendje të kuptojë shtrirjen dhe rritjen e ndikimit të rrymave ekstremiste për vite të tëra.

Sot, vërtetë situata është më ndryshe. Në përgjithësi, është rritur reagimi shoqëror dhe veprimi institucional kundër rrymave ekstremiste.

Në vitin 2014, kur realisht filloi veprimi më i fuqishëm i institucioneve të shtetit, situata filloi të ndryshojë për të mirë. Më tutje, reagimi publik u fuqizua dhe situata u vu nën kontroll shtetëror dhe shoqëror.

Porse, sot, në vitin 2016, janë rreth 60 qytetarë të Kosovës që kanë humbur jetën nëpër tokat e Sirisë e të Irakut. Për çka? Kush e bartë përgjegjësinë?

Sot, në vitin 2016, vetëdijësimi kolektiv mbi këtë rrezik për Kosovën është rritur dukshëm në krahasim me vite më herët. Por, pse jemi kaq vonë? Sërish, kush e bartë përgjegjësinë?

Sot, në vitin 2016, më nuk linçohesh nëse e adreson këtë problematikë serioze. Por, disa njerëz në Kosovë janë linçuar për vite me radhë, në format më të ndyra dhe më të pandershme.

Mjafton t’i shikoni linçimet në “Youtube” dhe në rrjete sociale. Të tmerrshme.

Aktivistët publik dhe social të linçuar deri në ekstreme, disa edhe të sulmuar fizikisht, të tjetë të kërcënuar dhe në disa raste në vendosur nën mbrojtje të rreptë të Policisë së Kosovës. Të tillë ishin për vite të tëra Xhabir Hamiti, Idriz Bilalli, Osman Musliu, Atifete Jahjaga, Artan Haraqija, Ramush Haradinaj, Ardian Gjini, Alma Lama, Vlora Çitaku, Berat Buzhala, Arbana Xharra, Ilir Deda, Donika Kadaj, Visar Duriqi, Rushit Arifi, Xhemail Ahmeti, Igballe Rogova.

Madje, fotografitë e disa prej këtyre, përfshirë edhe timen, ishin shpërndarë nëpër një numër të madh të oborreve të xhamive nëpër Kosovë me thirrjen “Kush nuk duhet të votohet!”.

Sidoqoftë, sot, në vitin 2016, pothuajse të gjitha ato objekte që veten e quanin xhami ose janë mbyllur nga shteti (institucionet e zbatimit të ligjit) ose janë mbyllur nga vet ata “udhëheqës” të atyre objekteve.

Plotësimi i kornizës ligjore të Kosovës në raport me ekstremizmin e dhunshëm ka ndikuar po ashtu pozitivisht. Ligji për Ndalimin e Bashkimit të Luftërat e Huaja, për shembull, është një tregim suksesi për Kosovën. Strategjia Kombëtare, po ashtu, është një dokument në parim i mirë, porse që duhet të ndërtojë mekanizmat e de-radikalizimit, ri-integrimit dhe rehabilitimit të njerëzve që veçmë janë të radikualizuzra.

BIK-u, sot, është më i përgjegjshëm për autoritetin e tij shoqëror dhe institucional. Sërish, përgjegjësia e BIK-ut është mjaft e madhe dhe me përmasa pouthaje përcaktuese për de-radikalizimin në përgjithësi.

Rreziku: Motivet lokale, “Ujqit e vetmuar” dhe revanshi

A jemi në rrezik?

Po. Natyrisht, rreziku nga rrymat ekstremiste as që ka kaluar dhe as nuk është afër kalimit.

Fatmirësisht, nuk kanë ndodhur sulme terroriste. Fatkeqësisht, jo për shkak të parandalimit që ne i kemi bërë.

Kryesisht, ndonjë sulm terrorist nuk ka ndodhur, sepse mesazhi që do të përçonte ndonjë i tillë nuk e ka fuqinë e mesazheve që përçojnë përmes sulmeve në Francë, Belgjikë apo edhe Turqi.

Komunikimi i organizatave ekstremiste dhe terroriste me botën bëhet përmes mesazheve që përçojnë sulmet eventuale. Një mesazh i tillë nga Kosova nuk do të arrinte ndonjë objektiv të fuqishëm nëpër botë. Përpos kësaj, Kosova dhe Ballkani edhe më tutje paraqiten si zona rekrutuese, prandaj pse të ‘rrezikohet’ një zonë e tillë?

Më tutje, janë tri rreziqe serioze me të cilat ballafaqohet Kosova dhe Ballkani nga rrymat eskstremiste dhe organizatat terroriste.

Së pari, motivet lokale. Shfytëzimi i motiveve lokale në Ballkan, sikurse edhe në Kosovë, do të mund të kombinonte rrymat ekstremiste me qasjet ento-nacionaliste. Si i tillë, ky kombinim do të ishte vërtetë vështirë i përballueshëm, edhe për shkak se qeverisjet në shtetet e Ballkanit nuk janë as popullore dhe as mjaftueshëm demokratike.

Së dyti, “ujqit e vetmuar”. Kështu quhen ata persona të cilët vetë-radikalizohen deri në ekstrem dhe nuk i takojnë as rrjeteve dhe as organizatave të ndryshme ekstremiste e terroriste. Ata që janë në gjendje të bëjnë veprime terroriste duke u bazuar nga “mësimet” që marrin kryesisht në platformat online dhe në leximet e matrialeve propagandistike ekstremiste.

Së treti, revanshi. Jo pak shtete nëpër botë, kohën e fundit sidomos Turqia, po ballafaqohet edhe me rrezikun e revanshit. Si i tillë, ky rrezik duhet të konsiderohet edhe në Kosovë dhe në Ballkan.

Marr nga gazeta Express