Prof. Dr. Lisen Bashkurti për sovrani.info. Krimineli Vaslav Sheshel u shpall i lirë nga çdo lloj akuze në Hagë. Shesheli ishte zëvendës Kryeministër i...

Prof. Dr. Lisen Bashkurti për sovrani.info.

Krimineli Vaslav Sheshel u shpall i lirë nga çdo lloj akuze në Hagë. Shesheli ishte zëvendës Kryeministër i Millosheviçit. Ishte kryetar i një prej partive më nacional-raciste në Serbi e luftërave kundër popujve të tjerë në shpërbërjen e Jugosllavisë.

Sheshli ishte dhe mbetet simboli i ksenofobise serbe kundër slloveneve, kroateve, boshnjakëve dhe shqiptarëve. Ishte dhe mbetet ndër përfaqësuesit e dorës së zezë në Serbi. Politikani e çmendurisë njerëzore dhe i patalogjive të skizofrenisë raciste, shovene e segregative i Kombit Serb.

I zhytur në doktrina mesjetare, i mbarsur në urrejtje për popujt për rreth Serbisë, i damkosur si Garashanini dhe Cubrilovici i shkollës politike serbe, i njohur si gjakë ndjellës në luftëra dhe si urrejtje prodhues në paqe-Vasllav Sheshel na shpallet i pafajshëm(!!??).

A është e para herë qe Haga liron monstra të tillë? JO. A është e fundit herë që dalin me duar te pastra ato që janë të zhytur në gjak deri në fyt? JO.

Ndërkohë Kosova është një varr i hapur. Kosova është një tokë e mbjellur me kufoma. Kosova është një vend plot me të humbur. Kosova është një popull pa rini. Kosova është një familje pa fëmije. Kosova është nëna shamizezë. Kosova është babai i vetmuar. Kosova është dëshmia e gjallë e të kaluarës tragjike që rron. Çdo pëllëmbë, çdo familje, çdo fshat e qytet i Kosovës është akuze për krimet, gjenocidin dhe spastrimet e dhunshme etnike të Serbisë kundër popullit shqiptar të Kosovës.

Drejtësia vonon, por nuk harron. Krimi plaket, por nuk zhduket. Gjenocidi mbulohet, por nuk fshihet. Spastrimi dhunshëm etnik mënjanohet, por nuk shlyhet. Të zhdukurit fshihen nga letrat, por jo nga zemra dhe memoria e popullit.

Lirimi i Sheshelit nuk ka arsye për dekurajim moral. Nuk ka as motiv për mosbesim ndaj drejtësisë. Të gjithë e dimë se përballë këtij vendimi të shëmtuar të Hagës dhe lirimit të monstrumit të Serbisë-Sheshelit, Kosova e populli i saj ngrihen si tribunë të vërtetë.

Kosova ka të drejtë të jetë krenare. Populli i Kosovës ka arsye të jetë i lumtur. UÇK ka motive të jetë kokëlart. Shteti i Kosovës ka shkaqe që të ketë të ardhme të ndritur. Është momenti që të reflektojmë të gjithë për të mbrojtur me çdo çmim e sakrifice vlerat e luftës së Kosovës e popullit të saj martir për liri  e demokraci.

Në Kosovë mungojnë viktimat!
Në Serbi lirohen kriminelët!
Beteja për drejtësi vazhdon!