Një rresht për gratë Një rresht për gratë

Një rresht për gratë

Opinione 12 September, 2017, 16:14

Nga Sibel Halimi Pavarësisht ndjeshmërisë që shfaqi, Haradinaj nuk arritur ta sfidoi veten dhe Qeverinë që drejton ai, duke lënë në dispozicion më shumë... Një rresht për gratë

Nga Sibel Halimi

Pavarësisht ndjeshmërisë që shfaqi, Haradinaj nuk arritur ta sfidoi veten dhe Qeverinë që drejton ai, duke lënë në dispozicion më shumë vende për gratë. I la vetëm dy gra, simbolikisht sa për ta eliminuar nga formulimi i çdoditshëm Qeveri një gjinore. Megjithatë, ky veprim është tregues për vështirësinë e përfshirjes së grave në jetën publike, sa nga barrierat që i vendosë shoqëria në përgjithësi, po aq nga fryma maskuliniste e misogjiniste e politikanëve në Kosovë

Fjalimi i kryeministrit Haradinaj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, grave ia dedikoi një rresht. Në këtë rresht, ai demonstroi njëfarë dhimbje elementare për pozitën e gruas kosovare. Nuk hezitoi ta potencoi faktin se pozita e saj vazhdon të mbetet më e vështirë në zonat rurale.

Pavarësisht ndjeshmërisë që shfaqi, Haradinaj nuk arritur ta sfidoi veten dhe Qeverinë që drejton ai, duke lënë në dispozicion më shumë vende për gratë.

I la vetëm dy gra, simbolikisht sa për ta eliminuar nga formulimi i çdoditshëm Qeveri një gjinore.

Megjithatë, ky veprim është tregues për vështirësinë e përfshirjes së grave në jetën publike, sa nga barrierat që i vendosë shoqëria në përgjithësi, po aq nga fryma maskuliniste e misogjiniste e politikanëve në Kosovë.

Kjo strukturë qeverisje me këtë përfshirje simbolike të grave duhet ta ketë në agjendën e saj një ndër prioritetet edhe ndryshimin rrënjësor të qasjes ndaj grave. Jo sa për t`i plotësuar vendet kudo në administratën shtetërore, por të përpiqet ta nxjerrë gruan nga roli i të qenit asistente administrative.

Pra, gratë të jenë prezente në të gjitha nivelet me përfaqësim në politikën e brendshme e të jashtme, duke heqë dorë nga retorika qeverisëse e cila mburret me konfirmimin e faktit se Kosova ka një kornizë ligjore të avancuar në sferën e të drejtave të grave.

Shtetit duhet t`i jepet një pjesë e identitetit grua, në mënyrë që ai të bëhet gjithëpërfshirës.

Prandaj, ju lutem, tejkaloni pjesën rutinore të fjalimeve për bazën e mirë ligjore që ka ky vend. Nuk do të ndryshohet jeta e vajzave dhe grave kosovare me këtë diskurs. Kjo paketë ligjore duhet zbatuar në atë mënyrë që secila grua ta ndjejë veten si bashkëpjesëmarrëse në shtet, i cili i ofron asaj mundësi për jetë dhe mbrojtje të dinjitetshme.

Gratë dhe vajzat në Kosovë përballen ne vazhdimësi me dhunën në familje. Ato të shumtën e rasteve janë viktima, ama shteti asnjëherë nuk arriti deri tashti të tregohet gardian kundrejt rrezikut të çdohershëm të tyre.

Kosova ka nevojë për normalitet gjinor. Përqindja aktuale e përfaqësimit të grave në politikë është meritë ekskluzivisht e angazhimit të tyre, porse jo e shtytjes që i ka dhënë shoqëria.

Në vitin 2013, përfaqësuesi i BE-së në Tiranë, EttoreSequi ia kishte përkujtuar autoriteteve të Tiranës se barazia gjinore në politikë është një nga 12 rekomandimet e BE-së, për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Katër vjet më pas, kryeministri Rama realizon kërkesën duke e ndarë përgjysmë ndërmjet grave e burrave kabinetin e tij qeveritar.

Nga ana tjetër, vajzat dhe djemtë e Kosovës që nga tekstet shkollore i nënshtrohet një edukimi tradicional ku rolet e tyre janë të ndara në bazë të seksit. Po këta fëmijë që nga klasa e parë, veçanërisht vajzat nuk mund të ndjejnë barazinë, sepse janë tekstet shkollore që legjitimojnë dhe e favorizojnë një narracion të tillë, sipas të cilit të qenit djalë në këtë vend është përparësi biologjike. Pikërisht nga këto tekste, i jepet përparësia kësaj gjinie, në mënyrë që ata ta kenë pushtetin qoftë edhe mbi trupin e vajzave dhe grave. Ata kanë të drejtë të ngacmojnë dhe të bëjnë çfarë të duan, sepse shteti ka hequr dorë nga gratë e vajzat. Ngaqë shteti s`merret me to, shumë vajza detyrohen ta braktisin shkollimin e mesëm dhe atë universitar për mungesë të mbështetjes themelore. Për një biletë udhëtimi. Shumë sosh i nënshtrohen dhunës sistematike dhe ngacmimeve seksuale, por asnjë fjalë nga askush. Të tjera hyjnë në martesa të hershme. Pakt për fshehjen e krimeve. Menaxhmenti i shkollave dhe universiteteve nuk bën zë, ngase në esencë ky mentalitet i ka koduar këto patologji si normale dhe të natyrshme.

Shyhrete Berishës, iu deshën vite të tëra për ta fituar të drejtën e pronësisë, teksa shteti bëri spektatorin. Në rastin e Zejnepe Berishës, shteti mori rolin e zbutësit të peshës së krimit. Vrasësin fillimisht e dënoi me 12 vite burgim, pastaj ia rritën dënimin për pesë vjet shtesë dhe atë pas reagimit të familjarëve dhe grave.

Nuk është çudi që në sytë e opinionit, burri të perceptohet viktimë si i dënuar me 17 vite burg, teksa gruaja viktimë, shkaku i fajit të paragjykuar.

Në të njëjtën linjë është edhe rasti i Diana Kastratit. Vrasësi i saj ende “mister”, teksa autoritetet e rendit dhe të drejtësisë ndoshta presin vetëdorëzim e pastaj negocim në mënyrë që atë ta shpallin të lëkundur mendërisht e t`i shqiptojnë pastaj një dënim si masë të ngjashme qëndrimi një strehimore rehabilituese.

Në këtë kontekst, gratë kanë frikë ta bëjnë ndryshimin, sepse frikën ia kultivon familja që në fëmijëri. Duke u rritur në këtë frymë, më pas të tjerë ia sundojmë mendjen dhe trupin e tyre.

Ku kryeministri kanadez Justin Trudeau, kishte marrë detyrën më 2015, në fjalimin e tij inaugurues kishte thënë se është me rëndësi që kabineti qeveritar i ngjanë Kanadasë.

Prandaj, z.Haradinaj, pasi që nuk e bëtë me Qeverinë, së paku përpiquni ta bëni pjesëmarrjen e grave në jetën publike t`i ngjajë Kosovës!